Serbia e do asociacionin sipas formës së saj, eksperti amerikan tregon si duhet të veprojë Kosova/ Ja cila është lëvizja e gabuar e Vuçiqit

Politika

Serbia e do asociacionin sipas formës së saj, eksperti amerikan tregon si duhet të veprojë Kosova/ Ja cila është lëvizja e gabuar e Vuçiqit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 prill 2023 Në ora: 12:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe daton që nga viti 2013, kur fillimisht u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas dy vitesh më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe një marrëveshje tjetër për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ish-kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.

Në të përmbahej edhe një klauzolë që kërkonte prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të shqyrtonte mos-përputhjet eventuale të tekstit me Kushtetutën e Kosovës.

Marrëveshja e 2015-ës për parimet shtesë parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Pra, ai duhet të ketë një kuvend si trup suprem të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Asociacioni do të ketë një president, i cili do ta përfaqësojë Asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës.

Pas 10 viteve, çështja e Asociacionit vazhdon të jetë “mollë sherri” në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron vazhdimisht se një asociacion me kompentenca ekzekutive nuk do të ketë, madje në marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, marrëveshje kjo e pranuar nga të dyja vendet, nuk përmendet një asociacion, por një vetëmenaxhim i serbëve.

“Vetëmenaxhimi i përket neni 7, që thotë vetëmneaxhim për komunitetin serb e nuk thotë për komunat. Nëse vetëmenaxhimi do të ishte te komunat, atëherë do të kishte të bënte me vetëqeverisjen lokale. Mirëpo, vetëmenaxhimi nuk ju referohet serbëve në territorin ku banojnë por në identitetin që kanë. Pra, komuniteti serb do të ketë vetëmenaxhim.”, deklaroi Kurti pas marrëveshjes së Ohrit.

Në anën tjetër, nga Serbia duan një asociacion sipas formës së Beogradit, e jo siç e kërkon Prishtina.

Të mërkurën, drejtori i Zyrës Serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit”, sipas tij “Prishtina ende refuzon të përmbushë obligimin e saj kryesor – formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Ai tha për RTS se komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi të veçantë për një situatë të tillë.

Petkoviq thekson se Asociacioni është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe komprometuese gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t’ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë”.

“ Kur shikon gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi e veçantë ka komuniteti ndërkombëtar, i cili është i detyruar të bëjë presion mbi themelimin e Asociacionit. Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, shtoi ai.

Eksperti amerikan për politikë dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, duke folur për “Bota sot” rreth asociacionit dhe formës si duhet të jetë, thotë se kjo çështje ka qenë një pikë qendrore e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Sipas tij, palët nuk duket se janë të gatshme të avancojnë procesin e normalizimit.

“Krijimi i asociacionit të komunave ishte me të vërtetë një pikë qendrore e marrëveshjes ndërmjet BE-së, Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i së cilës është lehtësimi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Megjithatë, më duket se edhe pse një marrëveshje e tillë është negociuar në mirëbesim nga të gjitha palët, as Serbia dhe as Kosova nuk duket se janë të gatshme të avancojnë procesin e normalizimit për shkak të dyshimit të vazhdueshëm për angazhimin e tyre real”, deklaroi Meir për “Bota sot”.

Image
Alon Ben Meir

Sipas tij, Vuçiq nuk ka qenë i sinqertë gjatë gjithë procesit të negociatave dhe Kurti nuk i beson atij.

“Për arsye të mirë, kryeministri Kurti nuk i beson presidentit Vuçiq, i cili pak ditë më parë deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës për sa kohë të jetë në pushtet. Kjo lëvizje përpara në shoqatat para zgjedhjeve të planifikuara për 23 prill duket krejtësisht joreale. E kam thënë gjatë gjithë kohës se Vuçiq nuk ka qenë i sinqertë gjatë gjithë procesit të negociatave. Fakti që ai nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen franko-gjermane flet vetë”, shtoi eksperti amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat