“Asnjë nuk ka ndodhur pa e ditur ai”/ Ja kush po e akuzon Fatos Klosin për vrasjet në Shqipëri, kërkohen hetime nga Specialja

Politika

“Asnjë nuk ka ndodhur pa e ditur ai”/ Ja kush po e akuzon Fatos Klosin për vrasjet në Shqipëri, kërkohen hetime nga Specialja

Nga: Petrit Rudi Më: 13 maj 2023 Në ora: 20:01
Fatos Klosi

Në kohën kur po vazhdon procesi gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale, nga kjo e fundit po kërkohet që hetimet t’i shtrijë edhe në territorin e Shqipërisë.

Kjo është kërkesa edhe e Saim Tahirajt, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

“Mendoj se nëse Gjykata Speciale në Hagë nuk i shtrin hetimet edhe në territorin e Shqipërisë, ka lënë punën e saj në gjysmë. Pa hetimin e kreut të SHIK-ut (SHISH-it) Klosi dhe strukturës së ngushtë rreth tij është i pa mundur zbulimi i shumë vrasjeve që ndodhën në Shqipëri dhe disa tjera në Kosovë”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Specialja duhet të hetojë vrasjet që kanë në territorin e Shqipërisë, ku Tahiraj e akuzon Fatos Klosin, ish shef i SHISH-it në Shqipëri.

“Fatos Klosi ishte i lidhur ngushtë me anëtarët e shtabit të LPK-së dhe asnjë veprim nuk ka mundur të ndodhë pa e ditur ai. Fatos Klosi kishte çdo gjë nën kontroll të këtij shtabi, madje mendoj se edhe themelues të SHIK-ut në Kosovë është ky me rrethin e tij të ngushtë. Të gjitha ato vrasje që ndodhën në Shqipëri; e Ali Ukës, Ilir Konushevcit, ministrit të mbrojtjes Ahmet Krasniqi, zhdukja e Sadri Ramqaj dhe të tjerë, domosdoshmërisht duhet të hetohen nga Gjykata Speciale në Hagë”, thekson Tahiraj.

“Përgjegjës për të sqaruar këto vrasje është Klosi me strukturën e tij. Drejtësia në Shqipëri është e kapur nga politika e PS dhe mu për këtë arsye janë mbyllur hetimet”, shton Tahiraj.

Ai thotë se i njëjti model u bart në Kosovë.

“I njëjti model u bart edhe në Kosovë fatkeqësisht, dhe nuk u zbuluan vrasjet politik por u mbyllen, njëjtë si në Shqipëri sepse atje është qendra kryesor drejtuese. Të gjitha vrasjet politike, në Kosovë dhe Shqipëri duhet të hetohen patjetër nga Gjykata Speciale në Hagë si të pandara, pasi që mendoj se qendra projektuese dhe urdhërdhënëse ishte në Tiranë”, shprehet Tahiraj.

“Shtabi i LPK-së dhe SHIK-u i Kosovës janë një trup i përbashkët me SHIK-un (SHISH-in) në Shqipëri, andaj mendoj se janë përgjegjës për të gjitha vrasjet politike dhe duhet të japin shpjegimet e tyre para Gjykatës Speciale”, përfundon Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat