Dronët “Bayraktar” për Kosovën/ Eksperti i sigurisë tregon mesazhin që përçon kjo

Politika

Dronët “Bayraktar” për Kosovën/ Eksperti i sigurisë tregon mesazhin që përçon kjo

Nga: P.R Më: 15 maj 2023 Në ora: 21:55
Dronët “Bayraktar”

Në mediat vendore është raportuar se Kosova është pajisur me pesë dronë “Bayraktar” nga Turqia, raportime të cilat nuk i ka mohuar e as pohuar Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Për blerjen e dronëve, ditë më parë ka folur edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Sipas tij, janë duke realizuar blerjen e dronëve në vlerë mbi 4 milion euro.

“Blerjet janë duke u realizuar nga programi amerikan “FMS”, siç është rasti me blerjen e dronëve në vlerë prej 4,500.000 €, ndërsa po ashtu jemi duke pranuar donacione nga programi “FMF””, deklaroi Mehaj.

E për ardhjen e dronëve “Bayraktar” për gazetën “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se është një element i garantimit të sigurisë nacionale të Kosovës.

Image
Drizan Shala

 

“Marrja e dronëve nga ana e Turqisë, dëshmon që Kosova ka paraparë që ky model do mund të jetë një argument i garantimit të bazamentit të sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës. Ky model është dëshmuar në luftën në Ukrainë-Rusi, por që ky model ka jap disa anë negative të cilat kanë shtyrë kompaninë e “Bayraktar” që të avancojë modelin e saj për nevojat e saja të shtetit të Turqisë”, shprehet Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, pajisja e Kosovës me dronët “Bayraktar” ka edhe një mesazh.

“Në fazën aktuale në të cilën gjendet Kosova, ardhja e “Bayraktarit” dëshmon që mund të ndihmoj në mbikëqyrjen dhe mbledhjen e informacioneve inteligjente për kontroll të brezit kufitar, por edhe hapësira tjera ku kontrolli nuk mund të zbatohet në terren”, deklaron Shala.

“Kosova duhet të avancojë në ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse për këtë komponentë të sigurisë me që ka një mori çështje për të zgjedhur në proces e cila avancon sigurinë nacionale të republikës”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat