Të mos përsëritet historia/ Publicisti komenton ambiciet e shfrenuara serbe për asociacionin, ka një paralajmërim për ndërkombëtarët

Politika

Të mos përsëritet historia/ Publicisti komenton ambiciet e shfrenuara serbe për asociacionin, ka një paralajmërim për ndërkombëtarët

M.Haziri Nga M.Haziri Më 15 maj 2023 Në ora: 23:18
Kryeministri Albin Kurti

Kosova dhe Serbia po vazhdojnë bisedimet tash e disa vite.

Një raport normalizim mes dy shteteve po duket të jetë larg, kjo sepse Serbia po kërkon themelimin e Asociacionit që për të njejten nuk po e pranon Kosova.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Idriz Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai u shpreh se ndërkomëbtarët dhe opozita po kërkojnë themelimin e Asociacionit në vazhdimsi nga Kosova, ani pse është i dëmshëm për vendin.

“Ndërkombëtarët kaluan çdo përmasë në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë! Opozita e këshillon, me zë të lartë, kryeministrin Kurti: "Bëje Asociacionin, sepse garantë janë ndërkombëtarët!" Kjo është "një fjalë goje!" Sepse po këta garantues e siguronin Bosnjën dhe Hercegovinën, për krijimin e Asociacionit të 14 komunave serbe, se "nuk do të kenë kompetenca shtesë", - i siguronte boshnjakët Christopfer Hill me shokë. Dhe vetëm brenda dy viteve, me dy shkallëzime, u krijua "Republika Serbska, e cila, tani e dy dekada, e ka pykuar shtetin boshnjak”, u shpreh ai.

Ekipi Menaxhues dhe Asociacioni

Publicisti fillon pastaj të tregojë një kronologji të situatës së krijuar me Ekipin Menaxhues për Asociacion.

“Qeveria paraprake Hoti kishte autorizuar ministrin e saj, Goran Rakiq, për themelimin e Ekipit Menaxhues, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky Ekip nuk iu përgjigj ministrit aktual, Elbert Krasniqit, për konsultime! Edhe pse Ekipi në fjalë ishte i Kosovës, komunikonte vetëm me Serbinë. Kryeministri Kurti e toleroi shefën e këtij "biçim" Ekipi, Danijela Vujiçiq. Madje, i dha parësi për ta prezantuar -Draft-statutin- për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili ishte skandaloz, sepse formon një entitet të tretë në Kosovë, përkatësisht, një "Republika Serbska" brenda Kosovës. Dhe, kryeministri Kurti, në stilin e tij konçiz tha se "drafti serb është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë!"

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Albert Krasniqi, në koordinim me kryeministrin Albin Kurti, duke vlerësuar se Ekipi Menaxhues për Asociacionin, me prezantimin e një drafti bizar, i hartuar në Beograd, ka mbaruar misionin e tij, vendosi shkarkimin e këtij Ekipi provokator, i cili abuzoi me detyrën që i ishte ngarkuar! Mendoj se shkarkimi ishte veprimi i qëlluar, madje në kohën e duhur. Dhe as që duhet të krijohet një ekip tjetër i pavnevojshëm, si dublim i ekipit dialogues”, shpjegon ai.

Zeqiraj nga ana tjetër përmend Draftin e prezantuar nga kryeministri Kurti, ku i mundëson komunitetit serb në Kosovë, për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta.

“Si kundërpërgjigje, më 2 maj në Bruksel, kryeministri Kurti prezantoi një - Draft-vizion -, si propozim për çështjen e rregullimit të komuniteteve jo shumicë, përfshirë edhe atë serb. Drafti në fjalë nuk përmend Asociacionin, por thirret në Nenin 7 të Marrëveshjes të Ohrit. Dhe, "kjo i mundëson komunitetit serb në Kosovë, për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta, përmes një kornize vetëmenaxhimi". Drafti i kryeministrit Kurti, ka në bazë modelin e Kroacisë, për pakicën serbe atje. Madje këtë model e ka pranuar Serbia, që nënkupton se nuk ka arsye të mos e pranojë edhe për Kosovën”, tha publicisti.

Ambicia e Serbisë

Sipas publicistit Serbia ka shumë ambicia të ndërhyjë në territorin e Kosovës dhe kështu krijon kushte mbi kushte.

“E veçanta e takimit të fundit, Kurti-Vuçiq, në Bruksel, është Draft-statuti i prezantuar, më saktë i lexuar, nga kryesuesja e Ekipit Menaxhues për Asociacionin serb, Danijela Vujiçiq, i cili qëllim parësor e final kishte autonominë territoriale. Edhe më qartë kjo ambicie e shfrenuar serbe, me prapavijë kriminale, "kusht mbi të gjitha kushtet", e ka krijimin e Asociacionit, si trampolinë për krijimin e një "Republika Serbska" në Kosovë, krejt "alla dodiçke" e Bosnjes”, thotë publicisti.

Në bisedë e sipër Zeqiraj shpjegon dallimet mes dy draftëve për Asociacion.

Draft-statuti për Asociacionin të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga Danijela Vujiçiq, në emër të Ekipit Menaxhues serb dhe Draft-vizioni i paraqitur nga kryeministri Kurti, përjashtojnë njëri-tjetrin substacionalisht. Ndonëse i pari synon Asociacion me kompetenca ekzekutive, përkatësisht, një "Republika Serbska", i dyti, kërkon Asociacion brenda konturave të Kushtetutës të Kosovës. Drafti i parë është provoktiv dhe kërkon prolongim, zgjatje në kohë të bisedimeve, me qëllim të dështimit të çfarëdo marrëveshje, sipas llogarive të presidentit Vuçiq, i cili, në zgjedhjet e ardhshme ka ambicje për postin e kryeministrit të Serbisë.

Ndërsa Drafti i dytë, kërkon marrëveshje për integrimin e mirëfilltë të pakicës serbe në shoqërinë kosovare, ashtu siç janë integruar minoritetet turk, boshnjakë, romë, ashkali, egjyptianë, kroatë. Madje turqit e boshnjakët deklarojnë publikisht se "më shumë të drejta gëzojmë ne, në Kosovë, se sa bashkëkombasit tanë, përkatësisht, në Turqi dhe Bosnje. Ndërkohë që komuniteti serb gëzon të drejta shtesë, krahasuar me komunitetet tjera jo serbe në Kosovë”, potencon Zeqiraj.

Në fund, publicisti vjen me një thirrje për ndërkombëtarët për të mos përsëriten ngjarjet e krijuara në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës, përkatësisht, të shekullit 19-të dhe 20-të, kur tokat shqiptare ishin monedhë të llogaritjeve në politikat.

Sikur kjo nuk po mjafton për serbët, realisht, për Beogradin zyrtar. Kjo forcon bindjen, se kërkesat e Serbisë duhet shpërfillur me neveri meritore. Dhe, ndërkombëtarëve, madje kushdo qofshin ata, duhet thënë troç: Mos përsërisni Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës, përkatësisht, të shekullit 19-të dhe 20-të, kur tokat shqiptare ishin monedhë të llogaritjeve në politikat, për të kënaqur interesat e kombit serb, dhe fqinjëve të tjerë sllavë e ortodoks, gjithnjë, me trysninë ushtarake e politike të Rusisë cariste.

Brenda një shteti, minoritetet duhet të kenë trajtim të njëjtë, ashtu siç duhet t´i gëzojnë të gjitha të drejtat që gëzon popullata shumicë. Diskriminimi pozitiv i një komuniteti, në raport me komunitetet tjera, është shqetësues edhe për qeverinë dhe shtetin e Kosovës, sepse krijon pabarazinë e brendshme. Këtë fakt domëthënës nuk duan ta kuptojnë ndërkombëtarët. Dhe, marrëzisht, ngulmojnë realizimin e Asociacionit, madje para të gjitha marrëveshjeve të tjera, të mbetura peng nga pala serbe”, përfundoi Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat