Rrëzimi i vetvetes / “Driblingjet” e Vuçiqit, analistët tregojnë qëllimin e paralajmërimit për zgjedhje në shtator! 

Politika

Rrëzimi i vetvetes / “Driblingjet” e Vuçiqit, analistët tregojnë qëllimin e paralajmërimit për zgjedhje në shtator! 

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 maj 2023 Në ora: 20:16
Aleksander Vuçiq

Serbia në fillim të muajit maj u trondit nga vrasjet që ndodhën, fillimisht në një shkollë, e pastaj në një fshat. Në të dy rastet që ndodhën brenda pak ditësh humbën jetën rreth 16 persona. 

Për shkak të këtyre dy ngjarjeve mijëra njerëz u mblodhën në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, më 8 maj, duke bërë thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë shtetëror. 

Madje, pas të shtënave, Vuçiq u zotua ta “çarmatoste” Serbinë me një plan ambicioz, ndërkohë që Serbia ka nivelin më të lartë të posedimit të armëve në Evropë nga civilët, me afërsisht 39 në çdo 100 njerëz që posedojnë armë zjarri, sipas organizatës kërkimore, Small Arms Survey. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se “më së voni” do të ketë zgjedhje të reja në shtator dhe se për këtë do të flet më shumë më 26 maj.  

Sipas mediave serbe Vuçiq pritet që ta rrëzoj veten e tij.  

Në Kosovë kjo po konsiderohet edhe si neglizhencë ndaj përmbushjes së detyrave në dialog.

Elezaj: Një skenar i tillë madje edhe mund të ndodhë 

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj në një përgjigje për “Bota sot” thotë se, pas shumë ngjarjeve që ndodhën në Serbi, sidomos vrasjet e nxënësve, Vuçiqit i është shtuar presioni. 

Por, Vuçiq i cili ka paralajmëruar për një miting, Elezaj, thotë se ai dëshiron të mat forcën e tij politike me opozitën duke shtuar është shumë i sigurt se në Serbi vazhdon ta ketë përkrahjen e mbi 50% të popullit. 

“Ata të cilët i përcjellin ngjarjet në Serbi, e dinë se pas dy masakrave që ndodhën, e para në Beograd, ku mizorisht u vranë 9 nxënës, dhe e dyta në Mladenovac, ku u vranë 8 civilë, presidenti serb dhe qeveria e tij, u gjenden në një situatë të vështirë, por dhe para një presioni të madh të opozitës, meqë sipas saj, presidenti dhe organet shtetërore të Serbisë mbajnë përgjegjësinë kryesore për dy tragjeditë e ndodhura me 4 dhe 5 maj të këtij muaji. 

I gjendur në një situatë të pa lakmuar para popullit si dhe presionit të brendshëm për situatën e krijuar pas dy masakrave në fjalë, i vetëdijshëm se është përgjegjësi numër një për sigurinë dhe jetën e qytetarëve të vendit të vet, pastaj duke e parë se një pjesë e popullit ka filluar të protestojë nëpër rrugët e Beogradit, gjoja kundër dhunës, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i njohur si një spekulant i aftë politik, doli me një sërë masash të reja, duke kërkuar dorëzimin vullnetar të armëve nga ana e popullit, ndryshimin e ligjit për armë, etj. 

Pra, si kundërpërgjigje ndaj kritikave të ashpra të partive opozitare ndaj tij dhe qeverisë aktuale, të cilat (partitë opozitare) kërkuan dorëheqjen e tij dhe të saj (qeverisë), para ca ditësh Vuçiq doli me disa propozime konkrete, siç ishte mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja, etj., duke paralajmëruar madje edhe një miting gjithë-popullor me 26 maj, e gjithë kjo si shfaqje e muskujve të tij politik, por edhe si matje e re të forcave politike me opozitën, ngase është shumë i sigurt se në Serbi vazhdon ta ketë përkrahjen e mbi 50% të popullit”, shprehet analisti. 

Tutje, Elezaj thotë se skenari që Serbia mund të shkojë në zgjedhje edhe mund të ndodh se, duke pasur parasysh edhe presionin ndërkombëtarë. 

Më tej, analisti përmend sjelljet fashiste të Vuçiq-it, ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke shtuar se ky vazhdon të mbetet i kapur si “pijaneci për gardhi”. 

“Meqë serbët janë të njohur në historinë e tyre si njerëz që e duan tepër shumë pushtetin dhe pozitat sunduese në shoqëri, dhe, se për të ardhur, gjegjësisht për të mbetur në pushtet, janë të gatshëm ta kallin vendin e tyre, kërcënimi i A. Vuçiqit me rrëzimin e vetvetes dhe qeverisë së tij, për të shkuar në shtator në zgjedhje të reja, para se ky të jetë një manipulim i tij politik me opinion e brendshëm serb, një skenar i tillë madje edhe mund të ndodhë, e që mund jetë njëri ndër opsionet e tij politike, jo vetëm për ta urtësuar skenën e brendshme politike në Serbi, por edhe si një kundërvënie ndaj presioneve ndërkombëtare, të cilat sa vijnë e shtohen ndaj tij dhe Serbisë, në rend të parë, për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe për qëndrimin e tij mashtrues ndaj implementimit të Marrëveshjes së BE-së për Kosovën.  

Pra, një skenar të këtillë Vuçiq është i gatshëm që ta fus në zbatim, me qëllim të vetëm që ta prolongojë sa më shumë që të jetë e mundur vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, madje për të blerë sa më shumë kohë që mos ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit me Kosovën! 

Por, janë të tejdukshme sjelljet fashiste të Aleksnadër Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, andaj ky vazhdon të mbetet i kapur si “pijaneci për gardhi”, duke deklaruar neveritshëm, se pa formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, ai nuk është i gatshëm ta vazhdon dialogun me Prishtinën, dhe kjo si metodë e tij shantazhuese, si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Brukselit zyrtar”, përfundon ai. 

Mehazi: Driblingjet politike të presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, janë të njohura me dekada, edhe deklarata e tij e fundit 

Image
Sulejman Mehazi

Derisa, profesori Sulejman Mehazi thotë se kjo deklaratë e Vuçiqit nuk është e vërtetë. 

Qëllimi i tij, është që të bëhet edhe më i fuqishëm para Marrëveshjes së Ohrit në lidhje me detyrat obliguese ndaj Kosovës, BE-së e SHBA-së, 

“Driblingjet politike të presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, janë të njohura me dekada, edhe deklarata e tij e fundit: "se më së voni në Serbi do ketë zgjedhje të reja në shtator" janë në dobi të partisë së tij e kurrsesi kundër vetes së tij. Kështu që s'janë të vërteta disa media serbe që thonë se me zgjedhjet e parakohshme që do mbahen në shtator Vuçiqi qëllimshëm do ta rrëzojë veten. Sikur të ishte presidenti i Serbisë kundër vetes ai do vepronte sikurse ish-kryeministri i RMV-së, Zoran Zaevi, i cili dha dorëheqje të parevokushme nga të gjitha funksionet jo vetëm shtetërore, por edhe partiake, përkundrazi Vuçiqi bën të kundërtën se në shtator ai do konkurrojë jo për ta dobësuar veten, por për t'u bërë dhe më i fuqishëm para Marrëveshjes së Ohrit në lidhje me detyrat obliguese ndaj Kosovës, BE-së e SHBA-së. Zgjedhjet e parakohshme Vuçiqit do ia mundësonin blerjen e kohës për të zvarritur e dobësuar detyrat shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit. Këto veprime politike të parakohshme zgjedhore presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, i bën vetëm për të errësuar, humbur e zhvatur marrëveshjen e planit franko-gjerman të BE-së në lidhje me Kosovën. 

Është e pabesueshme e absurde që partia në pushtet të mbajë zgjedhje të parakohshme për të humbur vetë. 

Nuk e dimë se a mban mend historia politike botërore që partia në pushtet të mbajë zgjedhje të parakohshme për t'u shkatërruar vetë, qesharake, ironike e asgjë më shumë për Vuçiqin”, shpjegon profesor Mehazi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat