Akuza: SHIK-u dhe SHISH-i të implikuar në këto vrasje, e ndoqën Ibrahim Rugovën

Politika

Akuza: SHIK-u dhe SHISH-i të implikuar në këto vrasje, e ndoqën Ibrahim Rugovën

Nga: P.Rudi Më: 17 maj 2023 Në ora: 20:47
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatos Klosi

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka hedhur akuza në drejtim të SHIK-ut, i cili për drejtues kishte Kadri Veselin, tash i akuzuar për vrasje në Gjykatën Speciale, dhe SHISH-it të Shqipërisë, i cili ishte udhëhequr nga Fatos Klosi.

Sipas Hazirit, këto dy shërbime janë të përfshira në vrasje, duke përmendur vrasjen e kolonel, Ahmet Krasniqit.

“Sa i përket dy shërbimeve SHIK dhe SHISH, është shumë e vërtetë që kanë qenë të afërta me njëra-tjetrën, sidomos në përndjekjen dhe surveimin e njerëzve, bashkëpunëtor të ish-presidentit Rugova, dhe vet këtë të fundit, dhe është shumë e vërtetë se këto kanë qenë të involvuara në vrasjen e kolonel, Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në qeverinë e Bujar Bukoshit, sidomos SHISH që udhëhiqej nga Fatos Klosi në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit SHP të UÇK-së në Tiranë, i njohur edhe si Shtabi i Rognerit”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Siç thotë ai, Gjykata Speciale duhet të hetojë edhe vrasjet që kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë.

“Në këtë drejtim po ashtu duhet hetuar edhe vrasja e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës, pasi për të gjitha këto vrasje të cilat kanë ndodhur në territorin shqiptar, drejtësia shqiptare nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të zbardhjes së tyre në mungesë të vullnetit politik, por edhe të implikimit të segmenteve shtetërore në këto ngjarje, sidomos në vrasjen e kolonel, Ahmet Krasniqit”, thekson Haziri.

“Natyrisht se për vrasjet e cekura nga ju Gjykata Speciale do të duhej të shtrinte hetimet edhe në Shqipëri, por kjo varet nga bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare atje”, shton Haziri.

Më tej, ai deklaron se hetimi i vrasjeve që kanë ndodhur në Shqipëri dhe hetimi i dosjeve të SHISH-it nga ana e Gjykatës Speciale, varet nga vullneti i Tiranës zyrtare.

“Dosjen e SHIK-ut tashmë një pjesë e ka, ndërsa sa i përket SHISH-it, kjo varët nga mundësia dhe autoriteti i Gjykatës Speciale dhe kuptohet bashkëpunimi apo jo i autoriteteve shqiptare. Gjykatat e një shteti tjetër nuk kanë autoritet mbi institucionet e një shteti tjetër. Është krejt në vullnetin e Shqipërisë nëse dëshiron të bashkëpunojë apo jo. Gjithçka varet nga vullneti i Tiranës zyrtare”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat