“Paradoskale”, publicisti i nxjerr me emra zyrtarët më të zëshëm që kërkojnë Asociacionin - ja pse përmend SHIK-un

Politika

“Paradoskale”, publicisti i nxjerr me emra zyrtarët më të zëshëm që kërkojnë Asociacionin - ja pse përmend SHIK-un

Nga: A.Zh Më: 18 maj 2023 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, ka kritikuar opozitarët, për “dekonstruktivitetin” lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka përmendur me emra zyrtarët më të zëshëm për këtë temë, duke e quajtur qëndrimin e tyre “paradoks”.

Në mesin e tyre, ai ka përmendur edhe ish-zyrtarë të lartë të PDK-së, të cilët sipas tij, me porosi po e sulmojnë gazetën “Bota sot”, për përçarjen e shqiptarëve.

Image
Idriz Zeqiraj

“Opozita, paradoksalisht, vazhdon destruktivitetin lidhur me krijimin e Asociacionit! Më të zëshmit janë:

a) Ish-kuadrot e Gjykatës Kushtetuese, të prirë nga Ismet Kryeziu, me shokë, një enverist i rreshkur;

b) Avokat Skënder Musa, kuadër aktiv i organizatës ilegale kriminale SHIK, i cili, pacipërisht dhe rrugaçërisht, sulmon familjet e viktimave, "për dëshmi të rreme" në Hagë, ndërkohë që ata vazhdojnë të jenë në zinë e përhershme dhe të përjetshme familjare, tani e tej dy dekadave;

c) Disa nga krerët e PDK-së, mbrojtës të krimit dhe të kriminelëve;

d) Disa ish-zyrtarë të lartë dështakë të PDK-së, tani analistë me porosi, në T7, me Express-in e tyre, të cilët akuzojnë gazetën kombëtare "Bota Sot", për përçarjen e shqiptarëve. E vërteta është se Vëllezërit Mazrekaj, ishin dhe mbetën denoncuesit më të zëshëm të krimit të organizuar vrastar dhe të korrupsionit, më saktë, të hajnisë zyrtare në Shqiptari. Dhe, po të ishte lexuar drejtë, nuk do të kishte ndodhur ploja e LPK-së në hapësirat shqiptare;

e) Ish-ambasadorë të privilegjuar pameritueshëm, si Kullashi, Bernardi, me shokë shumë;

f) Gazetarë shërbëtorë të shefave partiakë, si Baton Haxhiu, Halil Matoshi, me shokë, të cilët në debatet e çdo mbremshme e përsërisin se "Zajednica" duhet krijuar e zbatuar;

h) Ish-politikanë të shumë qeverive, si Isa Mustafa, Skënder Hyseni, me klanin e tyre, por që assesi nuk përfaqësojnë LDK-në e mirëfilltë, as dje në pozitë dhe as sot në opozitë”, ka potencuar Zeqiraj.

Sipas tij, vetëm profesori Mazllum Baraliu, e trajton me kompetencë e profesionalizëm temën për Asociacionin dhe mundësinë që kjo marrëveshje të prishet.

“Përndryshim nga ish-kolegët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët jo vetëm që nuk merakosen për "Zajednicën", por edhe agjitojnë për zbatimin e saj, profesor Mazllum Baraliu e trajton me kompetencë e profesionalizëm doktrinën juridike - Clausula "Rebus Sic Stantibus" dhe mundësinë e prishjes të saj. Mos vallë, kolegët e tij, dikur kuadro të Kushtetutës, nuk kanë dëgjuar për këtë doktrinë juridike, meqë edhe pse janë bërë "yje" televizive në mediet e Kosovës dhe përtej”, ka pohuar më tej publicisti Zeqiraj.

Ai ka thënë se shpreson që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të bëjë zgjidhje për “Zajednicën” në pajtim me vullnetin e popullit. Në fund, Zeqiraj ka dhënë një kritikë domethënëse për kryeminstrin.

“Megjithatë, pavarësisht anëshmërisë skandaloze të ndërmjetësuesëve të BE-së, miqtë tanë, SHBA, Anglia me ca të tjerë, për zgjidhjen e çështjes të Asociacionit, i referohen korrigjimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese të vitit 2015. Shpresojmë se kryeministri Kurti, me ekipin e tij, do të jenë në pajtueshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Një vërejtje domëthënëse që mund t`i bëhet kryeministrit Kurti, kërkesa serbe për Asociacionin, nuk është e balancuar me çështjen e të pagjeturve të të zhdukurve me dhunë. Shqiptarët bashkëndjejnë dhimbjen e familjarëve, për njerëzit e tyre varr-bosh. Por, aktualisht, në vend të saj duhej të kushtëzohej njohja e Kosovës nga ana e Serbisë”, ka theksuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat