Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës, juristi “alarmon” BE-në e ShBA-në, ja kërkesa për qeverinë

Politika

Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës, juristi “alarmon” BE-në e ShBA-në, ja kërkesa për qeverinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 qershor 2023 Në ora: 13:28
Rrëmbimi i policëve

Tre policët e Kosovës të cilët janë rrëmbyer të mërkurën nga njësitë speciale serbe, R.Z., B.S. dhe M.S. ndodhen në Kralevë të Serbisë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik.

Kështu ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkoviq.

“Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kralevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim prej 30 ditësh”, ka thënë ai.

Rrëmbimi i policëve ka sjellë reagim kombëtar e ndërkombëtar.

Gjersa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të lirohen policët, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i pyetur se a ka arritur të komunikojë me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, theksoi dhe njëherë se “qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit, ne jemi angazhuar nga të katërta anët me të gjitha kanalet e mundshme për lirimin e 3 punonjësve të policisë”.

“Debati mbi shkeljen, apo mos shkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe nën niveli ne marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk kanë asnjë rëndësi për tre burra që janë sot larg shtëpisë së tyre dhe që duhet të kthehen menjëherë. Pastaj debati ishin këtej apo ishin andej, dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është se ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre sepse nuk kanë bërë asnjë krim dhe sikur të presupozojmë se janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo qindra metra në këtë anë, pala e tretë që merret me këtë punë thotë dhe kështu dhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje e kufirit do të thotë kthehu mbrapa! Kaq! Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por duhet të mbarojë”, tha u shpreh kryeministri shqiptar.

Juristi Muhamet Kelmendi, thotë se grabitja e policëve është akt i rëndë dhe i dënueshëm.

Sipas Kelmendit, organet e rendit duhet të jenë në lartësi maksimale, pasi varen kufijtë e shtetit.

“Klikën neoimperialiste serbe duhet ndalur tash, dikur mund të bëhet vonë! Grabitja e policëve të Republikës së Kosovës brenda territorit të Republikës është akt i rëndë dhe i dënueshëm. Sipas normave mbi të cilat janë ndërtuar shtetet është e ndaluar hyrje me armë dhe më uniformë të huaj në shtetin tjetër. Ai është akt luftarak dhe territorial i dënueshëm. Mos përzierje në punën e brendshme dhe respektimin e ndër sjelltë rrjedhë dhe është obligim ndërkombëtar. Të largojmë një herë këtë rregull? Kosova duhet të mbrohet. Çka po tregon Serbia me aktet e tilla të rënda kriminale dhe të dënueshme? Në gjendjen që po kalon Kosova në raport me shtetin kriminal serb kërkohet sy qeltësi dhe përkujdese të jashtëzakonshme. Organet e rendit kërkohet të jenë në lartësi maksimale. Prej tyre varen kufijtë e shtetit. Nuk ka qetësi për asnjë organ, derisa veprojnë grupet kriminale dhe terroriste në veri të Kosovës, ndoshta edhe në brendi! Duhet të ketë edhe përgjegjësi politike të kompetenteve! Serbia mendon se e ka momentin e duhur për të shkuar nga shkatërrimi i Republikës. Dënimi i veprimeve në veri të policisë speciale dhe mos tërheqja e saj nga komunat ka krijuar terren, ku Kosova është dënuar dhe po vazhdon ashtu”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ndaj rrëmbimit të policëve, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka dhënë për herë të parë qëndrimin e SHBA-së.

Miller tha se SHBA-ja pret nga të dyja palët, edhe nga Kosova dhe nga Serbia, që ta shtensionojnë situatën. Këtu tha se përfshihet edhe “lirimi i pakusht” i tre policëve.

“Më lejo ta bëjë të qartë këtë – pritjet tona për dy palët janë që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës. Kjo përfshin lirimin e pakusht të tre policëve të Kosovës, të ndaluar së fundmi. Ne besojmë se dy palët duhet ta ndjekin pa vonesë planin trepikësh që është përshkruar nga BE-ja. Si pjesë e kësaj, siç kemi folur më herët, Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të bartin detyrat e tyre tranzicionale nga lokacione alternative dhe t’i tërheqin forcat policore nga afërsia”, tha Miller.

Në anën tjetër, Kelmendi thotë se veprimet e Serbisë janë alarm për BE dhe për SHBA-në.

“Nga SHBA dhe UE nuk u dënuan grupet kriminale serbe në veri dhe nuk u kritikua Serbia për faktin, se pikërisht ky shtet i ka organizuar, i ka armatosur dhe i udhëheq në aksione terroriste. Nga Serbia nuk u kërkua masa për t’i ndalur veprimet e tilla të rrezikshme. Kjo i dha forcë shtetin serb. Perëndimi mendon se te krimineli i luftës Vuçiq, i përkrahur nga z. Rama dhe Maqedonia, tash ndoshta edhe nga Mali i Zi, qëndron forca për paqe në Ballkan. Ky është qëndrim themelisht i gabuar. Krimineleve dhe territoreve nuk u besohet. Ata kapen dhe dënohen. Kështu nuk u bë me rastin e Kosovës.

Tash këta kriminel të udhëhequr nga kryekrimineli Vuçiq kanë marrë forcë. Në veri të Kosovës po kryejnë aksione kriminale, ndërsa nga shteti serb u bë një akt grabitqar ndaj tre policëve në brendi të Kosovës. U kapen ku nuk e priten dhe të lidhur u dërguan me arrest. Me atë u tregua se paqja, liria dhe barazia nuk rrezikohet nga Kosova, por nga Serbia. Ky duhet të jetë alarm për UE dhe për SHBA-të. Kuptohet se aleatë për paqe dhe liri e barazi nuk bëhen kriminelet si Vuçiq. Me atë vetëm forcohen.

Sa më parë që nxirret ky qëndrim, aq më mirë për paqen. Klikës hegjemoniste serbo - ruse duhet ndalur hovi tash. Përndryshe, mund të bëhet vonë!”, thekson Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat