Serbia, shkaktari kryesor i destabilizimit/ Analistët: E palogjikshme të sanksionohet Kosova

Politika

Serbia, shkaktari kryesor i destabilizimit/ Analistët: E palogjikshme të sanksionohet Kosova

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 qershor 2023 Në ora: 12:14
Pamje nga veriu i Kosovës, 23 prill 2023

Tensionet që po ndodhi në veri, e që po i shkakton Serbia, Bashkësia Ndërkombëtare po e fajëson Kosovën.

Rasti i radhës ishte arrestimi i kriminelit Millun Millenkoviq – Llune, të cilit madje Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim.

BE dhe SHBA vazhdimisht po bëjnë thirrje që Kosova të tërheq policinë nga veriu, gjë të cilën Kurti po thotë se policia atje është për të mbajtur rendin dhe ligjin.

BE ka njoftuar edhe për sanksione ndaj Kosovës, e cila sipas tyre nuk po respekton deklarimet e BE-së dhe SHBA-së.

Elezaj: Është obligim moral i çdo qeverie të Kosovës, që gjithnjë të konsultohet dhe koordinohet me miqtë tanë amerikan

Analisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kosova në rrafshin ndërkombëtar ka pësuar një metamorfozë negative.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, sa herë që ndodhin lëkundje mes miqësisë së Kosovës me Amerikën, atëherë me automatizëm pozita ndërkombëtare e Kosovës dobësohet.

“Pyetja juaj është shumë me vend, ngase vërtetë pozicioni aktual i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar ka pësuar një metamorfozë negative, dhe atë për shkaqe të pajustifikuara politike dhe kombëtare, mbase këtë e dëshmon qartë qëndrimi ndëshkues i miqve amerikan ndaj qeverisë së Kosovës, gjegjësisht ndaj kryeministrit Kurti, i cili sipas deklaratave të përfaqësuesve amerikan dhe dy ambasadorëve, atij në Prishtinë dhe Beograd, mbanë përgjegjësi për mos-koordinim të aksioneve të fundit në veri, ku ende po vazhdojnë tensionet.

Sepse, kurdo që ndodhë ndonjë lëkundje në miqësinë dhe marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën, e cila siç dihet disa herë kombin shqiptar e ka shpëtuar nga copëtimi dhe zhbërja e tij fizike, siç e shpëtuan edhe Kosovën nga gjenocidi kolektiv që regjimi barbar serb bëri në Kosovë ndaj 2 milion shqiptarëve në vitin 1998/99, atëherë me automatizëm pozita ndërkombëtare e Kosovës dobësohet, siç po ndodhë këto ditë, kur vetë BE-ja është në sinkron të plotë me qëndrimet amerikane, madje e cila edhe paska përgatitur sanksione ndaj Kosovës, siç kanë raportuar dje mediet ndërkombëtar”, thotë ai.

Tutje, sa i përket sanksioneve, ai thotë se Kosova, kryeministri Kurti me këtë tensionim erdhi nga mos dakordësia e tij me SHBA-bë.

“Pra, fjala është për tensionim në raportet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në, për, gjithnjë sipas tyre, mos koordinimin e kryeministrit Kurti me ndërkombëtarët, me rastin e dërgimit me polici të tre kryetarëve ilegjitim në ndërtesat e tri komunave në veri, gjë që shkaktoi tensione dhe destabilizim të situatës në veri midis policisë së Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it.

Askush, përfshirë miqtë tanë amerikan, nuk është kundër mbrojtjes së integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës në tërë territorin e saj, veçse asnjëherë nuk duhet harruar faktin, se pa ndihmën dhe intervenimin e NATO-s të udhëhequr nga amerikanët, Kosova kurrë nuk do çlirohej nga Serbia, por as nuk do bëhej shtet i pavarur, prandaj gjithmonë duhet nisur nga këto premisa dhe vlera njerëzore që presidentët amerikan, z. B. Clinton dhe G. Ë. Bush, i shtynë, që duke bombarduar Serbinë t’i shpëtojnë 2 milion shqiptarë të Kosovës nga zhbërja e tyre etike dhe fizike. Pra, është obligim moral i çdo qeverie të Kosovës, që gjithnjë dhe pa hezitim të konsultohet dhe koordinohet me miqtë tanë amerikan, është obligim dhe detyrë kombëtare për çdo politikan shqiptar të Kosovës, që përherë të tregojnë respekt dhe pietet të lartë ndaj atyre që bën gjithçka që sot populli shqiptar i Kosovës të jetojë i lirë dhe sovran në vendin e tij të çliruar me gjakun e mijëra dëshmorëve.

Se, pse po paralajmërohen sanksione ndaj Kosovës nga ana e SHBA-ve dhe BE-së, mendoj se në masë të madhe shkaqet i shpjegova më lartë, ndonëse rreth krijimit të tensioneve në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-së, mund të thuhet edhe shumë çka, kur kihet parasysh fuqia e vogël ekonomike dhe ushtarake e Kosovës në raport me fuqitë e mëdha botërore, me vetë faktin se vendi ynë në këtë aspekt për një kohë shumë të gjatë do jetë i varur nga raportet e saj me SHBA-të dhe vendet e Evropës perëndimore, gjë të cilën shqiptarët si kolektivitet dhe si shtet demokratik, duhet ta pranojnë se janë faktor minorë në arenën ndërkombëtare, por pa e harruar faktin se shqiptarët janë popull sovran dhe autokton në trojet e tyre shekullore në Ballkan.

Ndërsa, sa i përket pyetjes tuaj, se pse nuk po dënohet shkaktari kryesor i destabilizimit të situatës në veri të Kosovës, dhe ajo është Serbia fashiste, mendoj se regjimi racist i A. Vuçiqit, kohëve të fundit ka bërë disa depërtime të suksesshme drejt SHBA-ve përmes lobimit aktiv si dhe propagandës së fuqishme anti-Kosovë në Evropën perëndimore, ndonëse shkaku kryesor për përkëdheljen e saj nga Perëndimi qëndron në shkakun, ngase aleanca verio-atlantike me çdo kusht po punon që Serbinë ta shkëpus nga ndikimi rus, gjë që ky tentim i tyre po ecën shumë ngadalë, kur dihet fakti se mbi 60-70%-ind e serbëve janë pro-rus, përkatësisht kundër anëtarësimit në BE, etj”, përfundon ai.

Mehazi: Përveç Rugovës, Kurti është ai që ka çuar peshën e Kosovës deri në nivelet e elitës së fuqishme politike e diplomatike të SHBA-së dhe BE-së

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi thotë se pas zgjedhje në veri situata u tensionua, duke e fajësuar politikën n Kosovë.

Ai thotë se edhe nëse mbahen zgjedhjet përsëri në komunat me shumicë serbe, ka tendencë që serbët përsëri mos të marrin pjesë dhe të përsëritet situata e njëjtë.

“Politika është e lëvizshme sikurse era që i lëviz degët e pemëve herë në të djathtë e herë në të majtë, herë andaj e herë këndej, kështu mund të ndodh edhe me ndërkombëtarët, SHBA-në dhe BE-në të cilët pas zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut ndërkombëtarët arsyetuan protestuesit agresivë e të ashpër serbë në anën tjetër fajësuan policinë e pafajshme të Kosovës në veri, gjersa pas zgjedhjeve të reja lokale që do mbahen në të ardhmen në këto komuna serbe mund të ndodh e kundërta, degët politike të ndërkombëtarëve mund të kthejnë e lëvizin në anën e Kosovës e kundër Serbisë. Themi kështu për shkak se deklaratat thuajse të përditshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, japin sinjale se qytetarët vendas serbë të Kosovës përsëri do bojkotojnë zgjedhjet dhe se përsëri në këto katër komuna me shumicë serbe do fitojnë kandidatët shqiptarë dhe se përsëri do jetë e njëjta situatë tensionuese me protesta të egra serbe dhe se përsëri ushtarët e KFOR-it dhe policisë së Kosovës do përballen me protesta të dhunshme serbe.

Në këtë rast anulimi i mbledhjes së dy qeverive shqiptare nuk ka ndonjë ndikim negativ ndërkombëtar ndaj Kosovës, pasi anulimi i Ramës më shumë ka qëllime inatesh politike e diplomatike ndaj Kurtit i cili dita ditës kryeministrit të Shqipërisë po ia zbulon turpet e lidhjes dashurore të tij me Vuçiqin”, thotë ai.

Sa i përket sanksioneve, Mehazi thotë se kjo është e palogjikshme sepse Kosova nuk mund të izolohet nga BE dhe SHBA.

“Është e palogjikshme të thuhet se Kosova mund të izolohet dhe saksionet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shkak Serbisë, përkundrazi politika serioze e shtetërore e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka shpërthyer kufijtë shtetërore dhe si asnjëherë pas Rambujesë Kosova nuk është ndërkombëtarizuar aq shumë, sikurse me Kurtin me Marrëveshjen paqësore të Ohrit ku morën pjesë BE, SHBA, Franca e Gjermania.

Përveç Rugovës, Kurti është ai që ka çuar peshën e Kosovës deri në nivelet e elitës së fuqishme politike e diplomatike të SHBA-së dhe BE-së.

Shkurt, SHBA-të dhe BE-ja mund ta izolojnë e sanksionojnë, Albin Kurtin, por kurrsesi Kosovën që e krijuan vetë SHBA-ja dhe BE-ja”, përmbylli Mehzi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat