A duhet të shkojë në Bruksel Albin Kurti?

Politika

A duhet të shkojë në Bruksel Albin Kurti?

Nga: P.Rudi Më: 20 qershor 2023 Në ora: 08:16
Albin Kurti

Në kohën kur tensionet Kosovë-Serbi janë në rritje, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka ftuar në takim kryeministrin Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Madje sipas Borell, Bashkimi Evropian pret që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.

Kryeministri Kurti deri më tani ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit, duke paralajmëruar se një gjë të tillë do ta bëjë posa ta mësojë gjendjen e policëve të Kosovës, të cilët u kidnapuan nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës dhe po mbahen në paraburgim në Serbi.

E takimin e thirrur në Bruksel, analisti politik Faton Mehmeti po e sheh si tentim për mbulimin e dështimit të Borellit në dialogun Kosovë-Serbi.

BE ka dështuar, së paku deri tani në raport me çështjen e Kosovës. Ftesa e Borell nuk është asgjë tjetër përveç se tentativë për të mbuluar dështimin e saj. Që 12 vite BE s’ka qenë e zonja të arrijë marrëveshje mes palëve, sa herë që ndodh ndonjë eskalim i situatës, thërret palët në Bruksel sikur nxënësit tek kujdestari i klasës”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet ta ‘shtrëngojë’ e jo ta përkëdhel presidentin serb, Vuçiq.

E mirëkuptoj Kurtin pse heziton të shkojë, s’ka sukses, e sa për takime rutinë nuk ka interes Kosova. BE duhet të "shtrëngojë" Vuçiqin dhe Serbinë për dështim të marrëveshjeve, Kosova s’ka pse shndërrohet në palë të dështimeve nga Serbia”, thekson Mehmeti.

Kosova duhet të tregohet e gatshme për bisedime, por të bëjë të qartë kujtdo se nuk është e interesuar për takime për sy e faqe, por për takime serioze për zgjidhje të problemeve. Derisa BE nuk garanton seriozitet dhe sinqeritet, s’ka pse Kosova të shkojë në takime të tilla”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

Kujtojmë se zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel për të gjetur dalje nga kriza dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut.

Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje. Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshmojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Peter Stano gjatë një konference për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat