Rritet presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për lirimin e tre policëve të kidnapuar të Kosovës

Politika

Rritet presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për lirimin e tre policëve të kidnapuar të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 qershor 2023 Në ora: 08:06
Policët e kidnapuar

Kanë qenë duke patrulluar në Leoposaviq, por tash e gjashtë ditë tre policë të Kosovës vazhdojnë të mbahen në paraburgim nga autoritetet serbe me pretendimin e kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Lirimi i tyre është kërkuar dhe vazhdon të kërkohet nga ndërkombëtarët. I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën (20 qershor) ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët u rrëmbyen nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi.

Këtë ai e ka kërkuar në një diskutim në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik në Ëashington për dialogun Kosovë-Serbi, ku i ftuar është edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ne dëshirojmë që të shohim lirimin e menjëhershëm të tyre. Pozicioni ynë është, qoftë nëse janë rrëmbyer apo nëse janë gjetur gabimisht në territorin serb, ata nuk kishin qëllime të ishin atje, prandaj ata duhet t’u kthehen familjeve të tyre”, ka thënë Escobar.

Në anën tjetër, deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ditë më parë ka thënë se ndaj tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe dyshohet se është ushtruar dhunë.

Kjo, sipas tij pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë.

“Ndaj tre policëve dyshohet se është ushtruar dhunë, pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë. Kjo nga për përvoja që kam me forcat speciale serbe në Preshevë kur arrestonin të rinjtë. Fakti që DASH kërkon lirimin e tyre pa kushte do të thotë se ka të dhënat që i ka KFOR por për arsye politike po mbahet e heshtur e vërteta”, deklaroi Kamberi në Euroneës Albania.

Gjersa, nga Komisioni për siguri nuk kanë dashur të komentojnë për deklaratën e Kamberit dhe fatin e tre policëve, analistët politikë e konsiderojnë shqetësuese deklaratën e tij, gjersa shtojnë se duhet vërtetuar ajo.

Haziri: Pres që pas presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë do të bëjë që të tre policët e Kosovës do të lirohen

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se presioni ndërkombëtar do të ndikojë që policët të lirohen nga paraburgimi.

“Tani dyshimet e z. Kamberi mbesin vetëm dyshime deri sa ato nuk vërtetohen se policët kosovar të kindapuar nga Serbia janë maltretuar fizikisht. Unë pres që pas presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë do të bëjë që të tre policët e Kosovës do të lirohen nga paraburgimi prej 30 ditësh i caktuar nga gjykata serbe, pasi për një vendim të tillë nuk ka asnjë bazë, bazuar në argumentet që ka paraqitur qeveria e jonë, konkretisht Ministria e Brendshme, ku argumentohet fuqishëm se policët kosovar ishin marrë nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës”, shprehet Haziri.

Sipas tij, policët mund të përdoren nga Serbia për tej zgjatje të procesit, por kjo e fundit duhet të përgjigjet për këtë sulm ndaj integriteti dhe sovranitetit të Kosovës.

Pra vetëm presioni i fortë ndërkombëtar do ta bëjë Serbinë që të reflektojë në këtë drejtim, e jo ndonjë ndërmjetësim, pasi këtë të fundit Serbia mund ta përdorë për ta tej zgjatur procesin dhe për të nxjerr koncensione siç është vendosja e paraleleve në mes policëve kosovar të kidnapuar nga ana e saj, dhe kriminelëve serb të arrestuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës. Kuptohet se preokupimi kryesor është lirimi i policëve tanë nga Serbia, por kjo nuk duhet të mbetët e tëra dhe Serbia duhet të përgjigjet për këtë sulm ndaj integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, dhe në këtë drejtim qeveria e Kosovës duhet të punojë ngushtë edhe me aleatët tanë ndërkombëtar që kjo çështje mos të kaloj pa pasoja për Serbinë”, shprehet Haziri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka hedhur poshtë deklarimet e Serbisë që policët janë arrestuar në territorin serb.

Kurti në një konferencë për medie, ka bërë të ditur se të martën shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka vizituar sot tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.

Ai tha se në bazë edhe të rrëfimit të tyre, dëshmohet se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Prandaj, Kurti kërkoi denoncimin nga aleatët ndërkombëtarë karshi agresionit serb.

Duhanaj: Shqetësuese, deklaratat e Shaip Kamberit

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, thotë se deklaratat brenda apo jo territorit të Serbisë janë të kota.

Image
Leon Duhanaj

Sipas Duhanajt, edhe nëse policët kanë qenë përtej linjës kufitare, gjë që nuk është e saktë, nuk kanë pasur asnjë agjendë armiqësore ndaj shtetit serb.

Vetë akti i kidnapimit, ka qenë shkelje e rëndë mbi sovranitetin e vendit. Tani deklaratat si: ka qenë brenda territorit të Serbisë, apo jo, janë krejtësisht të kota, pasi që edhe nëse do të ndodhte, nuk kishte me qenë argument i mjaftueshëm për një akt të tillë. Nëse ndodh që një polic, me pahir kalon kufirin, mund të ndalohet, verifikohet dhe të kthehet mbrapa. Jo vetëm ne, por edhe Serbia vetë dhe gjithë bota e dinë, se policët kosovarë, edhe nëse kanë qenë përtej linjës kufitare, gjë që nuk është e saktë, nuk kanë pasur asnjë agjendë armiqësore ndaj shtetit serb”, pohon Duhanaj.

Ai deklaratat e deputetit Kamberi i sheh shqetësuese, gjersa shton se duhet reaguar zëshëm si shtet dhe shoqëri, pasi që sjelljet e tilla nuk i takojnë civilizimit njerëzor.

Në këtë kontekst, deklaratat e deputetit Kamberi i shoh si shqetësuese, sepse në asnjë rast nuk do duhet të guxohej të maltretoheshin policët. Nëse një gjë e tillë ka ndodhur, atëherë do të duhej reaguar zëshëm si shtet dhe si shoqëri, sepse sjellje të tilla nuk i takojnë civilizimit njerëzor. Prapë po mendoj dhe shpresoj që pala serbe, e ka organizuar kidnapimin vetëm për skenarët e sabotimit të situatë në tavolinën e bisedimeve. Mandej i konvenon pushtetit në Serbi, ashtu siç për fat të keq edhe këtij në Kosovë, që gjerat të mbeten në status quo, në mënyrë që të zhvendoset fokusi i publikut dhe, të mbulohet paaftësia menaxhuese në qeverisje. Uroj që policët tanë ta kenë shëndetin e plotë dhe të mos u mungoj asgjë. Njëherësh uroj që QUINT të ndikojë që të lirohen sa me parë!”, përfundon analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat