Mësohet shkaku themelor i “ledhatimit” të Serbisë/ Ja pse politikanët shqiptarë s’duhet ta justifikojnë “goditjen” e Kurtit nga ndërkombëtarët

Politika

Mësohet shkaku themelor i “ledhatimit” të Serbisë/ Ja pse politikanët shqiptarë s’duhet ta justifikojnë “goditjen” e Kurtit nga ndërkombëtarët

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 24 qershor 2023 Në ora: 08:05
Esobar- Kurti- Lajcak

Situata që është krijuar në veri të Kosovës dhe synimi i kryeministrit Albin Kurti që ta shtrijë sovranitetin edhe në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe, ka bërë që ky i fundit të jetë cak i kritikave nga bashkësia ndërkombëtare.

Por, ndryshe po veprohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ishte edhe ministër i kriminelit, kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Madje Vuçiq nga bashkësia ndërkombëtare është konsideruar edhe partner i mirë.

Por krejt kjo po kritikohet nga analistë dhe njohës të fushës së politikës.

Kosova po trajtohet si “delja e zezë” në Ballkan

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se kjo që po ndodhë tani, po ndodhë për herë të parë në historinë e shekullit 21.

“Kohët e fundit, më saktë javët e fundit, Kosova është shndërruar në objekt kritike, qortimesh e madje presionesh të qendrave perëndimore, përkatësisht përfaqësuesve të tyre për Ballkanin. Kjo po ndodh për herë të parë në historinë e këtij shekulli, pasi që deri më sot Serbia ishte pika e sulmeve dhe „delja e zezë“ në rajonin tonë. Serbia është shkaktare e të gjitha luftërave në 33 vitet e fundit në ish-Jugosllavi. Është autore e masakrave dhe akteve gjenocidiale kundër boshnjakëve myslimanë, shqiptarëve dhe popujve të tjerë jo-serbë. Dihet nga të gjithë se Beogradi kërcënon edhe sot, sërishmi, sigurinë dhe paqen në Ballkan. Provokon dhunë dhe akte të tjera midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe midis serbëve dhe boshnjakëve e midis serbëve dhe malazezëve”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai thotë se Kosova po trajtohet si “delja e zezë” në Ballkan dhe shkaktare e krizave në rajon.

“Megjithëse e angazhuar kundër paqes dhe stabilitetit rajonal e evropian, në rastin e fundit të promovimit të kryetarëve të komunave të zgjedhur rishtazi në komunat e veriut të Kosovës, Serbia u trajtua si “delja e bardhë” dhe papritmas Kosova u bë “delja e zezë”! U tha se kryeministri i Kosovës nuk e dëgjoi këshillën e ndërkombëtarëve që kryetarët e komunave në veri t’i sistemonte në zyra alternative dhe jo në zyrat e komunave që njihen zyrtarisht si të tillë e për këtë arsye u fajësua zoti Kurti për përshkallëzim të situatës në veri”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, është për t’u brengosur me qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Çdo mendje normale do të mendohej shumë për ta pranuar një klauzolë si kjo. Edhe nëse zoti Kurti ishte me faj, se nuk u konsultua me ndërkombëtarët për vendosjen në zyra të të zgjedhurve në zgjedhjet e fundit, askush, asnjë mendje mediokre nuk mund ta pranojë që thjesht për këtë arsye të fajësohet Kosova, ose për më keq të sanksionohet ajo. Serbia nuk vendos sanksione kundër Rusisë dhe askush nuk deklarohet për sanksione ndaj saj. Serbia nënshkruan marrëveshje në kuadër të margjinave të OKB-së për të udhëhequr politikë të përbashkët ndërkombëtare me Rusinë dhe përsëri askush nuk e kërcënon. Serbia mban në territorin e saj baza logjistike e spiunazhi të Rusisë dhe askush nuk e përmend këtë si arsye të destabilizimit të rajonit. Serbia mobilizon ushtrinë e saj dhe e sjell atë në kufi me Kosovën dhe askush nuk i thotë Aleksandër Vuçiq se po kryen akte destabilizuese e përshkallëzuese të konfliktit”, nënvizon Bytyçi.

“Serbia emëron një eksponent të lidhur me Moskën si kryetar të shërbimit sekret të saj, si dhe mban po një eksponent tjetër të afërt me Kremlinin si shef diplomacie dhe askush në qendrat evropiane e amerikane nuk shqetësohet për këto. Serbia shpall çdo ditë projekte destabilizuese përmes keqpërdorimit të pakicave serbe në vendet fqinjë dhe sërishmi askush nuk mendon që ta penalizojë atë. Imagjino sikur Shqipëria apo Kosova të investojë e të përdorë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës e ata në Greqi për destabilizimin e këtyre shteteve! Do të bëhej nami! Shqipëria e Kosova do të shpalleshin “armiqtë e Evropës e të SHBA-ve”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Por pse nuk ndodh kjo me Serbinë?

“Sepse Shqipëria e Kosova nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç lidhjeve dhe aleancave me BE-në dhe SHBA-të, si dhe me NATO-n. Ndërsa Serbia është e lidhur me Rusinë dhe çdo presion ndaj saj do ta shtyjë atë për lidhje akoma më të rrezikshme me Kremlinin. Ky është shkaku themelor i sulmeve të disa eksponentëve perëndimore kundër Kosovës dhe kundër kryeministrit të saj, Albin Kurti. Fatkeqësisht këtë fakt nuk e vlerësojnë aspak disa politikanë shqiptarë. Të tillë politikanë në Tiranë e në Prishtinë ë që të goditet Albin Kurti nga dikush në Perëndim dhe gjithçka është e justifikueshme”, shprehet Bytyçi.

Por cila është zgjidhja në këtë situatë në të cilën gjendet Kosova?

“Kundërshtarët e Kurtit thonë se qeveria duhet të bëjë siç thonë ndërkombëtarët, aleatët, duhet të veprojë sipas këshillave të tyre dhe të heqë dorë nga mbrojtja e territorit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nëse pranojmë se Perëndimi po lufton me të gjitha mjetet politike e diplomatike për të mbështetur Serbinë me qëllim shkëputjen e saj nga ndikimi dhe influence e Rusisë, atëherë ka baza të qëndrueshme dyshimi se po për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare perëndimore synon t’i japë Serbisë territoret e veriut të Kosovës.”, deklaron Bytyçi, sipas të cilit, pikërisht kjo është arsyeja e qëndrimeve të pa kompromis të Kurtit.

“Ndërkohë që Aleksandër Vuçiq përkëdhelet, mbahet me premtime dhe ndoshta punohet për t’i dhënë atij një bonus në këmbim të arsyetimit të tij para serbëve për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme të vendit të tij. Ky është konflikti i vërtetë sa i përket asaj që ndodh në terren dhe raportit të Perëndimit ndaj këtij konflikti. Edhe kur Serbia kryen akte krejt të dhunshme, si p.sh rrëmbimi i tre policëve kosovarë nga ana e forcave special të Beogradit, ajo nuk dënohet e nuk kërcënohet”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

Lëshime në favor të Serbisë, e kundër Kosovës

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti deklaron se krejt kjo sjellje e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, lidhet me Rusinë.

“Është bërë e zakonshme përkëdhelja e Serbisë, kjo edhe ka lazdruar aq shumë Vuçiqin sa po i duket se është president është i Kosovës dhe se mund të vendos ai çdo gjë. Marrëzi dhe llojit të vet, me presidentin serb që " kërcënon" në vazhdimësi ndërkombëtarët se do kthehet kah Rusia nëse nuk vazhdojnë ta përkëdhelin. Duhet të marr fund kjo gjë, Serbia përveç forcës nuk njeh ndonjë element tjetër, është shtet që nuk njeh dialogun”, thekson Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Bashkësia ndërkombëtare po mundohet të shkëpus Serbinë nga Rusia për ta futur nën thundrën e saj, derisa të arrijë këtë po bëjnë lëshime në favor të saj e kundër Kosovës. Sa më parë të marr fund kjo praktikë, sa më shumë ledhatohet aq më shumë tërbohet Serbia”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat