Ndizet alarmi për veriun e Kosovës, parandalohet sulmi terrorist – Profesori ‘zbulon’ çfarë po përgatitë Vuçiqi, ja detajet

Politika

Ndizet alarmi për veriun e Kosovës, parandalohet sulmi terrorist – Profesori ‘zbulon’ çfarë po përgatitë Vuçiqi, ja detajet

Nga: N. Shaqiri Më: 24 qershor 2023 Në ora: 14:03
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Gjatë natës së mbrëmshmë në veri të Kosovës, është parandaluar një sulm terrorist nga Policia e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në një konferencë të jashtëzakonshme për media, se në veturën e gjetur rreth 100 metra larg Zveçanit u gjendën armë automatike, municione, uniforma, shok bomba dhe çanta ushtarake.

Të njëjtat me simbole të “Brigadës së veriut” dhe njësiteve ruse.

“Për më tepër tash kur ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangën një sulm të  planifikuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës. Të dashur qytetarë, siç edhe jeni njoftuar, mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit dhe municioneve të ndryshme përfshirë eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme municionesh, uniforma, shok bomba dhe çanta ushtarake. Siç edhe mund t’i shihni këtu, ka çanta me shenja të informacionit ilegal kriminal e terrorist “Brigada e veriut’, shenja dalluese të njësiteve ruse, radiolidhje me ato të njëjtat të konfiskuara të Aleksandër Filopoviqit në komunën e Leposaviqit. Qytetarët e dinë se ai ka qenë ish-shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të veriut, i dekoruar nga Vuçiq.”, ka deklaruar Sveçla.

Për këtë është deklaruar edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ai ka thënë se pas një pune intensive Njësitë e Specializuara të Kosovës në bashkëpunim me Shërbimet Intelegjente të Kosovës kanë siguruar informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, sipas tij me qëllim që të njëjtat të përdoren për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe KFOR-it.

Hoxha për veturën në Zveçan që në të u gjetën sasi e madhe e armatimit tha se e njëjta ka qenë e parkuar ndërmjet objekteve të banimit kolektiv, në rrugën “Obiliqi”, lagjia “Kolonia” në Zveçan.

“Menjëherë janë marrë të gjitha masat e sigurisë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës për sigurinë e qytetarëve në atë zonë për shkak se kjo sasi e armëve dhe mjetëve shpërthyese paraqet rrezik të jashtëzakonshëm për banorët e asaj lagjeje. Policia ka ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe ka arritur deri tek informacionet se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion, duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për banorët, qytetarët që e frekuentojnë atë zonë”, ka shtuar Hoxha.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka shtuar tutje se shumica e mjeteve të sekuestruara janë prodhim i Serbisë, duke shtuar se nga totali i granatave të sekuestruara, 15 prej tyre janë prodhim i vitit 2021.

Për parandalimin e këtij sulmi terrorist është deklaruar edhe analisti politik profesori Enver Bytyçi.

Ai thotë se një automjet me targa të Serbisë është kapur në Zveçan i mbushur plot me armatim dhe mjete shpërthyese, të cilat përdorën zakonisht për akte terroriste.

“Vetura është pronë e hekurudhave të Serbisë, një shoqëri kjo publike, ose më saktë e varur nga qeveria e Beogradit! Ministri Sveçla ka dhënë detaje të shumta rreth ngjarjes dhe sigurisht që shoqëria shqiptare duhet të alarmohet, nëse kupton se në veri të vendit po përgatitet nga ana e Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiq, një lloj rezistence me akte terroriste të tipit gueril”, thotë profesori.

Bytyçi pyet sepse nuk po reagon askush për këtë.

“Por në fakt askush nuk po reagon për këtë. Edhe në këtë rast nuk kanë zë për të folur as diplomatët e Brukselit, as ata të DASH, të ngarkuar me dialogun. Nuk ka zë të flasë ambasadori Hill, ose ambasadori Hovenier. Megjithatë shqiptarët duhet të kërkojnë që akte të tilla t'i dënojnë dhe denoncojnë në radhë të parë politikanët opozitarë në Kosovë, më pas politikanët shqiptarë në rajon, përfshirë kryeministrin e Shqiperisë, Edi Ramën, kryeministrin në detyrë të Malit te Zi, Abazoviçin, shefin e OSBE-së, Bujar Osmani e të tjerë”, shprehet Bytyçi.

Ai tutje pyet se në rast konflikti me Serbinë me kë do të jenë Edi Rama, Ali Ahmeti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj, e deri te Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli?

“Armatimi i gjendur në atë veturë nga policia e Kosovës është arritje e madhe e shtetit dhe qeverisë Kurti për kontrollin e territorit. Por është gjithashtu edhe këmbanë alarmi, se Kosova e Serbia po shkojnë drejt një konflikti të pashmangshëm. Me kë do të jenë në këtë rast Edi Rama, Ali Ahmeti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj, e deri te Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli? Me Serbinë apo me Kosovën?!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat