18 vite nga vrasja e Bardhyl Ajetit/ Kërkohet drejtësi nga institucionet e Kosovës!

Politika

18 vite nga vrasja e Bardhyl Ajetit/ Kërkohet drejtësi nga institucionet e Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 qershor 2023 Në ora: 08:14
Bardhyl Ajeti ishte gazetar i pashoq në Gazetën kombëtare “Bota sot”

Sot bëhen 18 vite që nga vrasja e gazetarit dhe kolumnisti më i devotshëm Bardhyl Ajeti.

Vrasja e tij, në pikë të ditës, në Bresalc të Gjilanit, nën një breshëri plumbash të ftohtë, disa në trup e disa në kokë, akoma vazhdon të jetë e pazbardhur.

Institucionet e drejtësisë në vend, vazhdojnë edhe më tutje të heshtin për rastin, kur duar shtypëse të fjalës së lirë, i morën jetën, një njeriu të pashembullt por edhe një pene briliante në fushën e gazetarisë.

Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë, si pasojë e lëndimëve të rënda që i kishte marr në atentatin e 3 qershorit 2005.

Ajeti ishte gazetar i pashoq në Gazetën kombëtare “Bota sot”, shkrimet e tij sfidonin të panjohurat, padrejtësitë dhe dëshironte me ngulm të bënte dallimin në shoqërinë ku jetonte.

Mirëpo edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e gazetarit Ajeti, zbardhja e kësaj vrasje nuk është zbuluar ende.

A mund të pritet një zbardhje e këtyre vrasjeve sa më shpejt?

Haziri: Çështja e zbardhjes së vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti, e ka fatin e njejtë sikur edhe vrasjet të tjera politike në Kosovë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai u shpreh se çështja e zbardhjes së vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti është e njejt sikur vrasjet e tjera politike në Kosovë që nuk ka vullnet politik nga institucionet e drejtësisë të zbardhen.

“Sikur çështja e zbardhjes së vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti, e ka fatin e njejtë sikur edhe vrasjet të tjera politike në Kosovë gjatë dhe pas periudhës së luftës. Për shkak të mungesës së vullnetit politik nga institucionet e drejtësisë por edhe në përgjithësi të institucioneve shtetërore të Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, ai theksoi që është obligim i shtetit të Kosovës që të sjellin drejtësi për vrasjen e Bardhyl Ajetit mirëpo edhe për vrasjet e tjera politike.

“Ndikimi politik që vazhdimisht ka qenë prezent në institucionet e drejtësisë në Kosovë ka bërë që edhe pas 18 viteve ne thërrasim akoma për drejtësinë që shteti i Kosovës dhe shoqëria e Kosovës e ka obligim që të sjellë për vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti por edhe për vrasjet e tjera politike në Kosovë”, tha analisti.

Ndër të tjera, ai shtoi që e kemi barrë moszbulimin e vrasjes së Bardhyl Ajetit.

“Nuk mund të ecim drejtë një shoqërie ku respektohet rendi dhe ligji, një shoqëri me ambicie integruese drejtë shoqërive të zhvilluara dhe demokratike, duke pasur këtë barrë mbi vete, pra mos zbulimi dhe mos vendosja e drejtësisë për vrasjen e Bardhyl Ajetit, por edhe vrasjeeve të tjera politike në Kosovë”, nënvizoi Haziri për “Bota sot”.

Burjani: Të gjitha rastet e kësaj natyre duhet të zbardhen

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që duhet të zbardhen rastet e kësaj natyre.

“Të gjitha rastet e kësaj natyre duhet të zbardhen, është obligim i organeve të rendit, ka shumë raste që kanë ndodhë pas luftës fatkeqësisht deri më tash nuk ka përgjigje ,çështja është tek Prokuroria e Gjykata”, potencoi juristi.

Në fund, Burjani nënvizon që duhet organet të angazhohen më shumë për të u zbardhur më shumë këto raste.

“Duhet organet të angazhohen, megjithatë ato organe e din punën e vet dhe kompetencat dhe mund të mund të zbardhen rastet e shumta. Institucionet e rendit e kanë obligimin për tu marr me rastet”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat