Krasniqi e Abdixhiku ‘tradhtuan’ Haradinajn, kritikohen për refuzimin e ftesës së Osmanit - paralajmërohen për këtë gjë!

Politika

Krasniqi e Abdixhiku ‘tradhtuan’ Haradinajn, kritikohen për refuzimin e ftesës së Osmanit - paralajmërohen për këtë gjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 qershor 2023 Në ora: 10:23
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional, ditë më parë ftoi në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ftesë, erdhi me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kërkoi nga presidentja të iniciojë takimin e kryetarët e partive politike kryesore në vend, duke shprehur shqetësimin për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend.

Në ftesën e dërguar liderëve të partive politike, presidentja Osmani ka theksuar bindjen se “bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve me partitë politike janë thelbësore për t’i përballur sfidat aktuale dhe për të punuar bashkë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta...”.

Mirëpo, siç duket opozita është e ndarë, kjo pasi, dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, refuzuan ftesën e presidentes Osmani dhe hodhën poshtë kërkesën e Haradinajt.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi ka shkruar në Facebook se i ka kthyer përgjigjen presidentes Osmani duke e njoftuar atë se e refuzon pjesëmarrjen në takim, për një varg arsyesh.

Në letrën dërguar presidentes Osmani, lideri i PDK-së ka thënë se në tre javët e fundit, situata e sigurisë në Kosovë është përkeqësuar dukshëm dhe në veri të vendit nuk ka normalitet.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi.

Gjithashtu, ftesës së presidentes i është përgjigjur negativisht edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani, është thënë se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk mund të pranojë e as të tolerojë një përplasje të Kosovës me aleatët, duke shtuar se s’mund të jetë pjesë e diskutimeve për këtë çështje.

Fatkeqësisht, kjo tregon qartë se ka mungesë të unitetit politik mes partive në Kosovë, madje kjo po vërehet në një kohë kur vendi ynë po përballet me ngjarje serioze dhe nevojiten vendime madhor për sovranitetin tonë.

Mehazi: Pyesim Krasniqin e Abdixhikun, a është Kosova primare apo partitë e tyre politike?

Image
Sulejman Mehazi

E për këtë temë, në një prononcim per gazetën “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Së pari, ai tha se ky veprim refuzues i partive më të mëdha opozitare është i njëjtë me vendimin e Vuçiqit për të mos u takuar me Kurtin.

“Refuzimi i takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanit, nga krerët e partive më të mëdha opozitare, PDK e LDK është veprim i njëjtë si i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, për t'u mos u takuar në Bruksel me Kurtin, gjersa Vuçiqi mohoi Kurtin në takimin e radhës në Bruksel, krerët e opozitës Krasniqi dhe Abdixhiku mohuan takimin me presidentet e Kosovës, Vjosa Osmanin, këto veprime të njëjta të PDK-së e LDK-së me të Vuçiqit kanë kuptimin e mohimit të shtetit të Kosovës”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Mehazi tha se Krasniqi e Abdixhikun e refuzuan ftesën e presidentes Osmani vetëm për çështje inatashe partiake.

Sipas tij, këto veprime të PDK e LDK e gëzojnë Vuçiqin.

“Mos takimi e refuzimi i PDK-së dhe LDK-së me presidenten Vjosa Osmani për situatën e tensionuar në veri është çështje inatesh e interesash partiake, për opozitën më e rëndësishme është mos zgjedhja e problemeve në veri e më të vlefshme janë partitë e tyre sesa Kosova. Veprimet e opozitës për t'u mos u takuar me Osmanin gëzon edhe Vuçiqin pasi ndihmojnë Serbinë. Për për hirë të situatës në veri PDK-ja e LDK- ja është dashur ta pranojnë ftesën e Vjosa Osmanit, për shkak se këtu bëhet fjalë jo për interesa kapricioze partiake, por për interesa madhore shtetërore. Inatet partiake duhet lënë mënjanë për R. e Kosovës”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori, pyeti liderët e partive opozitare se “a është Kosova primare apo partitë e tyre politike?”.

“Mos takimi me Vjosa Osmanin nga PDK e LDK e ka kuptimin e përkrahjes politike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, e të mohimit të shtetit të Kosovës. Pyesim Krasniqin e Abduxhikun, a është Kosova primare apo partitë e tyre politike?, a PDK-ja e LDK-ja së bashku me partitë tjera janë mbi Kosovën, apo Kosova është mbi të gjitha partitë, e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është mbi të gjitha partitë politike, mbi kushtetutën e qeverinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Qytetarët nuk ia falin PDK-së e LDK-së

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, vlerësoi se PDK dhe LDK nuk po arrijnë të dalin ga egot e tyre edhe kur në pyetje është interesi i Kosovës.

“Fatkeqësisht, dy partitë e mëdha opozitare, ende s’kanë arrit të dalin nga egot e ngushta edhe kur është në pyetje interesi nacional. Qasja e tyre s’ka ndryshuar, edhe pse po kjo qasje i ka sjell në gjendjen ku janë tani”, u shpreh ai gjatë një bashkëbisedimi me “Bota sot”.

Krahas kësaj, analisti tha se këto veprime të opozitës për ta goditur qeverinë janë të rrezikshme, derisa paralajmëroi ndëshkim për këto parti në zgjedhjet e ardhshme.

“Po vazhduan kështu për kohë të gjatë, do të arrijnë të mbesin në opozitë. Për të goditur qeverinë janë në gjendje edhe të sakrifikojnë vendin, marrëzi dhe shumë e rrezikshme. Qytetarët s’do i falin për këtë diskurs dhe këto veprime, do e pagujnë në zgjedhjet e ardhshme se si po e dëmtojnë shtetin në emër të egos për pushtet”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat