Zgjedhjet e brendshme dhe “përjashtimi” i anëtarësisë së vjetër/ Gabimet që mund t’i kushtojnë shtrenjtë LDK-së

Politika

Zgjedhjet e brendshme dhe “përjashtimi” i anëtarësisë së vjetër/ Gabimet që mund t’i kushtojnë shtrenjtë LDK-së

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 korrik 2023 Në ora: 08:08
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është duke mbajtur zgjedhjet e reja të brendshme, të cilat do të përcaktojnë edhe strukturën e re partiake.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, javë më parë ka lavdëruar proceset zgjedhore të LDK-së nëpër degë.

I uroj të gjithë anëtarët e LDK-së për këtë garë të brendshme,” – u shpreh z. Abdixhiku.

Abdixhiku u shpreh se kjo garë do të ishte më shumë garë për mobilizim.

Ai përmendi edhe parimin e përfaqësimit gjinor, duke theksuar që kërkonte të rritej përfaqësimi i grave në këtë parti.

Këto zgjedhje kanë ngjallur pakënaqësi te kuadrot e vjetra të LDK-së, të cilat kanë kundërshtarë dhe kanë kritikuar këto zgjedhje.

Ishte, Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, që reagoi për procesin zgjedhor të kësaj partie në Podujevë, duke akuzuar rëndë kryetarin e sapo zgjedhur të degës, Ekrem Hysenin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Veliu procesin zgjedhor e ka cilësuar të manipuluar, ndërsa ka thënë se është kaluar çdo limit duke shkuar deri në absurd.

Sipas tij, në këë proces është shkelur çdo dispozitë e Statutit të LDK-së e rregullore pune.

“Duke shkelur dispozitën statutore mbi bazën deleguese kontrabanduan për Kuvendin e Degës edhe delegatë nga një fshat në zonën e thellë malore në Sylevicë, që tash e disa vite nuk ka asnjë banor dhe ekziston vetëm në hartë”, ka shkruar ai në Facebook.

Berisha: Procesi zgjedhor i LDK-së nuk është vetëm çështje e brendshme e saj, por pasqyrim i modelit demokratik të shoqërisë

Image
Anton Berisha

Anton Berisha nga Lidhja Demokratike (LDK) në një prononcimin për gazetën “Bota sot” tha kjo parti në thelb është demokratike dhe shmangia nga gjithë përfshirja në kuadër të zgjedhjeve të brendshme mund t’i kushtojë në humbje.

Në periudhën e rëndë që është duke kaluar Kosova jam fokusuar në zhvillimet politike e diplomatike dhe nuk kam përcjellë zhvillimet partiake.

LDK në thelbin e vet është parti demokratike dhe gjithëpërfshirëse dhe shmangia nga kjo qasje që nga 2006 i ka kushtuar shtrenjtë, në humbje të njëpasnjëshme deri më tani.

LDK duhet të ketë parasysh se procesi i saj zgjedhor nuk është vetëm çështje e brendshme e saj por pasqyrim i modelit demokratik të shoqërisë”, theksoi ai.

Madje, kërkoi që LDK t’i rregullojë dy gjëra dhe të vendos kufizime në këtë aspekt.

Në mendimin tim, Kryesia aktuale është dashur të rregulloj paraprakisht dy gjëra: Të vë kufizime që një individ të mos ushtrojë funksione të shumëfishta partiake, dhe së dyti të qartësojë rolin e kryetarëve të komunave që kapërcen nivelin partiak”, nënvizoi Berisha.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe një praktikë që po bëhet jo vetëm në LDK por edhe në parti të tjera, kur kryetarët e komunave ndikojnë ne procese të brendshme.

“Ka indikacione në LDK por edhe në parti të tjera, ndodhë që kryetari i komunës në praktikë dominon procesin zgjedhor përmes instrumenteve komunale, duke e shndërruar Degën në një lloj drejtorie komunale, në përforcim të dominimit personal, të marrjes së pozitave të shumëfishta, krejt kjo në dëmtim të procesit gjithpërfshirës, profesional e demokratik”, përfundoi Anton Berisha për “Bota sot”.

Latifi: Gjatë procesit zgjedhor të LDK-së do të duhej të jetë e kujdesshme me veprimtarët e të gjitha brezave që nga themelimi

Kurse, analisti Haki Latifi në një bashkëbisedim për “Bota sot” tha se udhëheqësisë së LDK-së i duhet shumë punë për ta kthyer besimin te qytetarët.

Image
Haki Latifi

Ai kërkoi që LDK të jetë e kujdesshme ndaj anëtarësisë që janë dëshmuar si veprimtarë të qendrës së djathtë që kanë parime dhe përqafuar.

LDK-në e presin shumë punë, dhe duhet në vazhdimësi ta kthej besimin e qytetarëve në LDK në mbarë Kosovën për tu forcuar çdo ditë. Kjo është përgjegjësi për LDK-në si partia më e vjetër në Kosovë që ka vënë themelet e shtetit të Kosovës. LDK duhet të përgatitet për të marrë përsipër përgjegjësit, sfidat e forcimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Mendoj se jo vetëm tash por në të gjitha proceset zgjedhore LDK do të duhej të jetë e kujdesshme ndaj anëtarësisë që janë dëshmuar si veprimtarë të qendrës së djathtë që kanë parime dhe përqafuar programin politik të LDK-së e profilizuar si qendër e djathë e cila edhe është anëtare e Partive Popullore Europiane (PPE-së). E jo tu jepet hapësirë njerëzve që kanë si ideologji majtizmin dhe kanë për synim grabitjen e kësaj partie”, deklaroi Latifi.

Krahas kësaj, vlerësoi se procesi i mbylljes për veprimtarët që përkrahën dhe punuan në kuadër të filozofisë rugoviane do ta dëmtonte partinë.

Njëherit gjatë procesit zgjedhor të LDK-së do të duhej të jetë e kujdesshme me veprimtarët e të gjitha brezave që nga themelimi, kur dihet se LDK, e cila i mbushë këtë vit 34 vjet, ku ky potencial do të ishin në funksion forcimit të kësaj partie. Pra si rrjedhojë mendoj se nuk do ta forconte partinë procesi i mbylljes për veprimtarët që përkrahën dhe punuan në kuadër të filozofisë rugoviane nga brenda dhe hapjës nga jashtë që ishin tërë kohën kundër kësaj filozofie. Kuptohet se gjatë këtij procesi zgjedhur një kujdes të veçantë duhet kushtuar me veprimtarët që janë zemërthyer dhe të pashpresë por që nuk duhet injoruar. Është mirë të bisedohet me ta dhe gradualisht të futen në organizimin e LDK-së”, theksoi ai.

Në fund, Latifi u shpreh optimist se LDK ka ditë të mira para vetës, e ato ditë të mira për Kosovën.

“Jemi njerëz prej mishi e ashti dhe jo gjithmonë jemi në nivelet e duhura. Kujtoj se procesi zgjedhor në LDK, do të duhej të ishte në funksion të shtrirjes së dorën njëri-tjetrit, duke lënë anash të gjitha inatet e zënkat e së kaluarës, më bën të besojë dhe më bënë të jem shumë optimist se LDK-ja, ka ditë edhe më të mira para vetës. Ditët e mira të LDK-së janë ditë të mira edhe për Kosovën. Këtë, nuk duhet harruar kurrë”, përmbylli Haki Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat