Përgjimet, veriu dhe asociacioni, a është e mundur që vendi të shkojë në zgjedhje deri në fund të vitit?

Politika

Përgjimet, veriu dhe asociacioni, a është e mundur që vendi të shkojë në zgjedhje deri në fund të vitit?

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 18:36
Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Mbi dy vjet pas marrjes së mandatit të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Kurti, partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të reja.  PDK, LDK dhe AAK thanë se janë të gatshëm për zgjedhje, madje kërkuan nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje.

Derisa analistët politikë kanë qëndrime të ndryshme rreth kësaj çështje.

Sadiku: Opozita nuk mund të rrëzoj qeverinë Kurti

Image
Arbnor Sadiku

Analisti politik, Arbnor Sadiku, vlerëson se vendi mund të shkojë në zgjedhje në vjeshtën e vitit 2023, derisa thekson se, opozita nuk mund të rrëzojë qeverinë Kurti, për shkak të numrave.

Tutje ai thotë se minimi i kësaj qeverie nga bashkësia ndërkombëtare si dhe publikimi i përgjimeve të Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radojçiqin, do ta detyrojnë Kurtin të rrëzojë vetë qeverinë.

“Vendi lehtësisht mund të shkoj në zgjedhje, në vjeshtën e vitit 2023, për faktin që nuk ka klimë të favorshme politike ndërkombëtare për vazhdimin e mandatit qeverisës deri në fund. Por , opozita nuk mund të rrëzoj qeverinë Kurti sepse nuk i ka numrat dhe është e pa fuqishme. Por, arsyet pse mund të bie qeveria Kurti, janë: minimi i kësaj qeverie nga bashkësia ndërkombëtare, përmes sanksioneve politike, mos miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, si dhe dalja e disa përgjimeve të fundit që përfshihen disa eksponent të VV-së, që kanë koordinuar plane me përfaqësues serb si Radojçiq i cili është futur në listën e zezë amerikane, do e detyrojnë Kurti të rrëzoj vet qeverinë, dhe vendin ta qojë në zgjedhje parakohshme parlamentare”, deklaron ai për Bota sot.

Xani: Viti 2024 pothuajse të gjitha partitë i gjen në "fushatë zgjedhore"

Image
Visar Xani

ana tjetër, analisti Visar Xani, thotë se partitë opozitare për kundër kërkesave për zgjedhje nuk kanë veprime të koordinuara.

“Nuk duket që do të kemi zgjedhje të shpejta nëse nuk do të kemi edhe disponimin e deputetëve të partive që sot qeverisin. Edhe përkundër kërkesave për zgjedhje nga opozita, nuk kemi veprime të koordinuara dhe në bllok opozitar dhe për këtë arsye iniciativat e tilla nuk duken që kanë suksese. Po futemi në pjesën e fundit të mandatit të qeverisë, sepse edhe ashtu viti 2024 pothuajse të gjitha partitë i gjen në "fushatë zgjedhore" për këtë arsye duket qe edhe opozitës nuk është duke i konvenuar tani të ketë zgjedhje”, thotë ai për Bota sot.

Synimet e opozitës

Pas zhvillimeve të fundit në vend dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës, partitë opozitare kanë intensifikuar kërkesat për zgjedhje të reja.

AAK ka paralajmëruar mocion mosbesimi, ndërkaq PDK kërkon shpërbërjen e Kuvendit. Po ashtu, edhe LDK është shprehur e gatshme për zgjedhje ku i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti të jap dorëheqje.

Në shenjë pakënaqësie me sjelljet e Qeverisë, të dy partitë e mëdha opozitare kanë paralajmëruar bojkotimin e punës në Kuvendit.

PDK-ja dhe LDK-së, kanë bërë me dije se nuk mund të sillen normalisht në një situatë jo normale.

Në Deklaratën e miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së përmendet pezullimi i çdo komunikim zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu.

“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë çdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës” thuhet në piken 7 të Deklaratës.

Më pas, tregohet se kjo parti nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës, nga sot nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës dhe për asnjë vendim, rezolutë, ligj, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër, ndonëse do të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës për të ngritur zërin dhe për të folur për këtë rrezikim që po i bëhet Kosovës nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës”, thuhet në pike 8 të Deklaratës.

Paralajmërime të njëjta ka dhënë edhe LDK-ja.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, pas vendosjes së masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën.

Ai ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së vlerëson se është e pamundur që të sillemi në mënyrë normale në këtë situatë.

“LDK nuk ka marr pjesë në Mbledhje e Kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet e konfirmuara nga zëdhënësi i BE dhe nga kryeministri Kurti. Ne si grup parlamentar vlerësojmë së është e dëmshme për Kosovën dhe është e pa mundur që të sillemi në mënyrë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë.”, ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat