Kërkohet dorëheqja e këtyre dy politikanëve/ Dialogu do të dështojë nëse nuk ndërmerren këto veprime

Politika

Kërkohet dorëheqja e këtyre dy politikanëve/ Dialogu do të dështojë nëse nuk ndërmerren këto veprime

Nga: Naile Ejupi Më: 2 gusht 2023 Në ora: 12:51
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Muaji maj ka qene muaji kur edhe ishte zhvilluar takimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Tentime për takime ka pasur edhe pas majit, por një gjë nuk është arritur madje nuk pritet të arrihet edhe për pak muaj.

Gjersa, Bashkimi Evropian është në pushim veror, ata kanë përsëritur thirrjen për zbatim të marrëveshjes së Ohrit bashkë me ankesin e zbatimit, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi thotë se dialogu nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke me Borrellin dhe Lajçakun.

ShBA-ja duhet gradualisht ta marrë udhëheqjen e dialogut, pasi sipas tij, mund të ketë dështim të dialogut.

“Me Z.Borel dhe me z.Lajcak te UE-se kurrë dialogu me marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë! Dialogu i udhëhequr nga UE dhe i përkrahur nga SHBA-të nuk do të dështoje, nëse SHBA-të e marrin udhëheqjen. Dhe natyrisht, se SHBA-të gradualisht do të marrin dhe udhëheqin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pa SHBA-të nuk ka marrëveshje me njohje reciproke. Këtu është edhe ngadalësimi apo si quhet, dështimi i dialogut Kosovë-Serbi. Ne këtë kemi kohë që tregojmë se me z.Borrel dhe me z.Lajcak kurrë nuk do të kemi marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke. Pa SHBA-të nuk funksionon ky dialog dhe nuk arrihet marrëveshja përfundimtare”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai thekson se dialogu udhëhiqet nga dy politikanë që shtetet e tyre nuk e njohin Kosovën, kësisoj sipas tij, ata nuk duan pajtim dhe marrëveshje përfundimtare.

“Sidomos kur de-fakto, dialogu udhëhiqet nga dy politikane, të cilët nuk e njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Si z.Borel, ashtu edhe z.Lajcak nuk e duan pajtimin dhe marrëveshjen përfundimtare, duke njohur shtetësinë e Kosovës dhe të Serbisë. Të dy këta politikanë të UE-së janë pro shtetit serb dhe kundër shtetit sovran të Kosovës. Qëndrimet e tyre janë në emër të UE-së, a në fakt janë qëndrime të Spanjës dhe të Sllovakisë. Se si tolerohen nga Gjermania, Austria, Italia, Franca, Holanda etj. ,nuk ka shpjegim. Mirëpo, pa i larguar të dyte nga pozita e tilla ndërmjetësuese, dialog dhe marrëveshje me njohje reciproke kurrë nuk do të ketë”, nënvizon Kelmendi.

Pa Uashingtonin nuk ec dialogu, thotë Kelmendi, gjersa shton se duhet të merren masat e theksuara ndaj shtetit serb dhe politikanëve të tyre.

“De-fakto e dinë këtë edhe administrata e SHBA-ve. Mirëpo, kjo administratë punon që çështja të realizohet në emër të UE-së dhe ku rolin dominant do të ketë dhe gradualisht po e merre Uashingtoni.

Këtu dhe në këtë anë do të kemi shumë më shumë intervenim ndaj Kosovës dhe Serbisë. Pa Uashingtonin nuk ec dialogu. Por, edhe këtu kërkohen të ndërmerren masa të theksuara ndaj shtetit serb dhe politikanëve serbë. Tek ata qëndron përgjegjësia pse dialogu dhe marrëveshja përfundimtare nuk arrihet. Natyrisht se edhe ndaj qeverisë në Kosovë kërkohet të intervenohet. Por, jo vetëm kundër kësaj, ndërsa neofashistet serbe, pa asnjë masë ndëshkuese, veprojnë me agresivitet fashist”, deklaron juristi.

Ai ka përmendur dy veprime sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, gjersa ka shtuar se nëse merren ato do të ketë një dialog të suksesshëm dhe do të arrihet marrëveshja përfundimtare.

“Lypset, pra, të ndërmerren dy veprime: 1. Nga UE-a të largohen si ndërmjetës z. Borell dhe z.Lajcak dhe 2. SHBA-të të marrin detyrën udhëheqëse në dialog për të arritur te marrëveshja përfundimtare me njohje. Me masat e tilla realizohet një dialog i suksesshëm dhe arrihet te marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke. Kështu qysh është vetëm vendnumërim do të kemi në dialog”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat