Masat ndëshkuese nga BE për Kosovën/ Analisti politik ‘zbulon’ kohën se kur do të largohen sanksionet

Politika

Masat ndëshkuese nga BE për Kosovën/ Analisti politik ‘zbulon’ kohën se kur do të largohen sanksionet

Nga: Q.Rexhaj Më: 20 gusht 2023 Në ora: 14:24
BE/Kosova

Janë bërë gati dy muaj që kur Kosova është nën masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak të vendimit që kryetarët e zgjedhur në veri të ushtrojnë mandatin në objektet komunale.

Këto masa përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu masa tjetër,  është ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 si dhe pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale, ku të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ndihmohen nga BE-ja për këtë çështje.

Nga ana tjetër, krerët institucional vazhdimisht kanë kërkuar nga BE t’i largoj këto masa.

Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, duke folur për masat ndëshuese nga Bashkimi Evropian për Kosovën, thotë se Kosova mund të mbetet nën sanksione deri në fund të mandatit të Qeverisë Kurti.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, këto masa mund të largohen plotësisht vetëm pas plotësimit të kërkesave të Bashkimit Evropian.

“Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, nuk do të largohen plotësisht pa plotësimin e kërkesave të Bashkimit Evropian. Pra, Kosova mund të mbetet nën sanksione deri në fund të mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje apo Qeverisë Kurti”, thotë ai.

Këto masa Qeverisë së Kosovës i janë treguar më 28 qershor.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit, ka thënë se masat e BE-së janë për keqardhje.

“Me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar.” – ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat