Akuza e rëndë e Kadrijajt për Kurtin, analistët zbërthejnë prapavijën e saj – kërkohet hapja e dosjeve politike!

Politika

Akuza e rëndë e Kadrijajt për Kurtin, analistët zbërthejnë prapavijën e saj – kërkohet hapja e dosjeve politike!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 gusht 2023 Në ora: 16:23
Time Kadrijaj dhe Albin Kurti. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri Albin Kurti ka qenë në qendër të kritikave nga partitë opozitar.

Së fundmi, opozita ka “vërshuar” me akuza dhe reagime të shumta ndaj qeverisë Kurti, ku madje ka bërë thirrje edhe për rrëzim të saj dhe shkuarje në zgjedhje të reja.

Mirëpo, së fundi një akuzë tjetër e rëndë ka ardhur në llogari të Kurtit, nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj,

Kadrijaj ka thënë se ka kohë që AAK ka ngritur dyshime rreth mundësisë që Kurti i shërben agjendave armiqësore.

Në një postim në Facebook, ajo i ka bërë thirrje publike ShBA-ve që të iniciojnë një hetim të pavarur ndaj kryeministrit Kurti.

“A ka Kurti lidhje me mafinë energjetike serbo-ruse? A qëndron fakti që Kurti i anuloi dy projektet kryesore amerikane në Kosovë; ndërtimin e termocentralit të ri dhe projektin e gazsjellësit amerikan, për t’i favorizuar lidhjet e tij përmes Martin Berishajt në Serbi, e deri tek oligarkët rus”, ka shkruar Kadrijaj.

E këtë deklaratë të deputetes së AAK-së e komentuan analistët politikë, ku treguan edhe prapavijën e saj.

Mulliqi: Ka ardhur koha e hapjes së dosjeve politike

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Fillimisht, tha se këto akuza vijnë për faktin se partitë opozitare ende nuk po mund ta pranojnë humbjen e pushtetit, pasi janë mësuar për vitet të tëra të keqpërdorim paranë publike.

“Blloku opozitar kurrsesi nuk është duke u pajtuar se e ka humbur më meritë pushtetin. Nuk është duke u pajtuar për faktin se krejt pas luftën e kishin pushtetin, të cilin shumë e keqpërdorën. Janë mësuar me zhvatje të pronës shoqërore, më keqpërdorim të buxhetit të vogël të Kosovës të varfër. Nga logjikat dhe praktikat e vjetra duhet të lirohemi përgjithmonë. I kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit në planin e brendshëm zhvillimor, ashtu edhe në planin e jashtëm, e posaçërisht në zhvillimin e dialogut me Serbinë, duke i krijuar asaj favore të mëdha më nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën”, deklaroi ai.

Po ashtu, Mulliqi përmendi disa nga aferat e ish-pushteteve të kaluara, derisa tha se ka ende në sistemet e drejtësisë persona të afërt më qeveritë e kaluara, prandaj kërkoi Vetting sa më të shpejt.

“Tash po bëhen sikur kanë harruar se më sa e sa afera korruptive janë përballur dhe janë kthyer sërish në pushtet, që rrallë kund mund të ndodh. Kanë harruar se shumë kanë rënë ndesh më ligjin. I kanë kapur fortë të gjitha hallkat e sistemeve e në këtë kontest edhe organet e drejtësisë, ku ende nuk jemi liruar nga kuadrot e vjetra, e nga të cilat duhet të lirohemi sa më parë me procesin e Vettingut, të përfolur që shumë kohë e kurrë të zbatuar në praktikë. Këtu pushteti i ri duhet të bëjë reforma shumë më shpejt dhe reforma përmbajtësore, në mënyrë që të kemi funksionim ashtu siç duhet të shtetit ligjor. Edhe këto aferat e fundit që po i përmend opozita kanë lidhshmëri më ish strukturat politike. Dhe, të shigjetosh kritika qeverisë dhe Albin Kurtit edhe për agjenda të tradhtisë kombëtare, dhe se Kurti duhet të hetohet nga Amerika, po tingëllon më shumë si mbulesë apo qitje në margjina të marifeteve shumëvjeçarë të opozitës”, theksoi analisti.

Krahas kësaj, ai ia bëri me dije partive opozitare se ishin ata që bashkëpunuan dhe nënshkruan marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovë.

Ku, kësisoj, këto akuza janë absurde dhe të pakuptueshme.

“Gjatë pushtetit të tyre u instalua korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat e varfëruan shumë Kosovën, dhe ishim dëshmitarë se gjatë pushtetit të tyre kishim eksod masiv nga vendi. Të kërkosh që me agjenda të huaja politike të përmbysësh qeverinë, kjo është e pashpjegueshme. Janë vë opozita me mjetet e tyre të informacionit në kor të përbashkët për të rrëzuar Qeverinë Kurti. Nuk po kuptojnë apo më mirë të themi nuk po dëshirojnë ta kuptojnë së në çfarë situate delikate politike gjendet aktualisht vendi nga Serbia hegjemoniste, dhe nga marrëveshjet e dëmshme që i nënshkruan ish krerët e dy partive më të mëdha politike në Bruksel. Dhe, tash për shkak të gabimeve trashanike që i kanë bërë, po mundohen më çdo kusht t’ia atribuojnë qeverisë së Albin Kurtit. Madje u përpoqën që me metoda jo demokratike në Kuvend të krijojnë situata për të shkuar në zgjedhjet të reja, e dihet se do të dalin prapë humbës”, shpjegoi Mulliqi.

Ndër të tjera, analisti kërkoi edhe hapjen e dosjeve politike, për të parë me të vërtetë se kush me kë ka bashkëpunuar.

“Të kthjellojnë pak kokat e tyre të nxehta, e të mendojnë mirë së çka flasin dhe si po veprojnë. Tek e fundit janë organet përkatëse si AKI, të cilat merren më çështjen e sigurisë kombëtare. Duket se vërtetë ka ardhur koha e hapjes së dosjeve politike, siç e kanë bërë shtetet e rajonit, e të shihet përfundimisht se kush cilit tabor i takon, apo kush i ka shërbyer dhe po ju shërben agjendave armiqësore. Hapja e dosjeve zaten është edhe kusht për inkuadrim në strukturën politike të BE-së”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

Kujtojmë se edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë i zëshëm kundër Kurtit.

Ai ka thënë se Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet.

Haradinaj ka shtuar se për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e shtetit, Kurti angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, “jarana”.

“Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel. Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë se “këto janë ato lidhjet e shkurtëra të kapjes së shtetit me miq e dollarë, për të cilat e kam pas ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”.

Mehmeti: Është shumë e dobët dhe e ulët nga një deputet/e të bëhen akuza të tilla

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti këto akuza ndaj kryeministrit Kurti i cilësoi shumë të ulëta.

Image
Faton Mehmeti

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se këto deklarata tregojnë nivelin e ultë politikë.

“Është shumë e dobët dhe e ulët nga një deputet/e të bëhen akuza të tilla pa paraqitur asnjë fakt të vetëm. Kjo vetëm se dëshmon për nivelin e ulët si njerëzor ashtu edhe politik, me përligjen e humbjes së tyre dhe rënies së tyre nga ana e qytetarëve”, deklaroi analisti.

Sipas tij, me këto akuza të pa argumentuara, deputeteje e AAK-së, vetëm se po e fuqizon Kurtin dhe në këtë mënyrë assesi nuk mund ta rrëzojë atë nga pushteti.

Në mungesë të argumenteve tjera bëjnë këso akuza, e kanë shumë gabim dhe vetëm sa po ndihmojnë që Kurti të fuqizohet. Në akuza, ku s’ka fakte tjetri vetëm rritet, me këtë strategji kurrë nuk rrëzohet kurrë. Akuzat e tilla janë pasqyrë e mjerimit të deputetes Kadriaj dhe në përgjithësi AAK-së”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat