E paralajmëroi edhe media amerikane/ Pse Vuçiq po dëshiron një konflikt të ri me Kosovën?

Politika

E paralajmëroi edhe media amerikane/ Pse Vuçiq po dëshiron një konflikt të ri me Kosovën?

Nga: P.Rudi Më: 21 gusht 2023 Në ora: 20:24
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi e ka komentuar analizën e publikuar nga mediumi amerikan, CNN, i cili shkruan se perëndimi me qasjen e butë që po ndjekë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po rrezikon destabilizimin e Ballkanit.

“CNN dhe shumë medie botërore me peshë në opinionin publik kohët e fundit po tërheqin vëmendjen e Perëndimit demokratik se në rajonin ballkanik, sidomos sa i përket konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, diplomatët evropianë dhe amerikanë nuk po ruajnë ekuilibrat. Mbajnë anë dhe favorizojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili në këto medie akuzohet për hipokrizi dhe lidhje të dyfishta, përkatësisht me Rusinë dhe Perëndimin. Për pasojë ato tërheqin vëmendjen se presidenti serb përbën një rrezik real për paqen dhe stabilitetin rajonal e evropian”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Vuçiq po bën një lojë të dyfishtë me perëndimin.

“Se Aleksandër Vuçiq bën lojë të dyfishtë dhe se ai e ka të pamundur të shkëputet nga lidhjet dhe aleanca me Rusinë e Vladimir Putin, këtë të vërtetë e kanë thënë me kohë shumë politikanë e analistë shqiptarë. E kanë thënë pa ndërprerë edhe kryeministri I Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Republikës, Vjosa Osmani. Vetëm kryeministri i Shqipërisë nuk e ka artikuluar asnjëherë në dhjetë vite këtë të vërtetë. Tani është mire që e thonë CNN, Neë York Times e të tjera medie prestigjioze amerikane, por edhe ato evropiane, si p.sh Frankfurter Allgemaine Zeitung e Gjermanisë”, shprehet Bytyçi.

Më teh, ai thotë se fatkeqësisht të gjitha paralajmërimet e politikanëve dhe analistëve shqiptarë, por edhe të medies ndërkombëtare po bien në vesh të shurdhër.

“Sepse partnerë të bisedimeve dhe ndërmjetësimit në dialogun Kosovë-Serbi janë diplomatë të korruptuar ose me sentiment pro-serb e pro-rus. Shihni emrat e tyre – Joseph Borrell, Miroslav Lajçak të ndihmuar nga i ngjashmi I tyre, Gabriel Escobar. Këtyre të treve sikur tua fusësh në vesh boritë e TV CNN, nuk duan ta kuptojnë faktin se Aleksandër Vuçiq është anti-europian dhe anti-amerikan. Pra nuk duan ta besojnë se ai ndërsa u thotë atyre fjalë të ëmbla, nga ana tjetër përgatit konfliktin. Shihni kë ka marrë në qeveri. Ivica Daçiçin, një idhtar i pakorrigjueshëm i lidhjeve serbo-ruse. Vukeviçin, si ministër të mbrojtjes, i cili po kërkon edhe revokimin e njohjeve të Kosovës nga ana e Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi. Pra ekstremin e e miltantizmit pro-rus e destabilizues në rajon. Ka në konsulencë të përditshme gjithashtu spiunin dhe bashkëpunëtorin më prominent të shërbimit sekret të Moskës, Aleksandër Vulin”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Kush beson se Aleksandër Vuçiq me këta bashkëpunëtorë të tij pro-rusë ruan paqen në rajon, ai nuk është as diplomat, as politikan, por është një njeri idiot. Duke e ditur se në diplomacinë e kësaj kategorie është vështirë të gjenden idiotë, atëherë i bie që ata diplomatë perëndimorë qe besojnë në përpjekjet e presidentit serb për paqen në rajon, janë të korruptuar e për pasojë të detyruar ta besojnë një gjë të tillë. Madje edhe ta përçojnë në kancelaritë r tyre këtë lloj besimi”, shton Bytyçi.

Prandaj sipas Bytyçit, mediat ndërkombëtare, përfshirë edhe CNN po paralajmërojnë për rrezikun serioz që paraqet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Por mediet europiane dhe ato amerikane kanë sy e veshë përtej kuadratit të këtyre diplomatëve. Prandaj ato paralajmërojnë për rrezikun serioz që paraqet presidenti iSerbisë, Aleksandër Vuçiq. E si mund të jetë ndryshe, kur ai çdo ditë flet me agresivitet kundër Kosovës, pavarësisë së saj dhe të drejtës për të qenë e lirë nga mizorët vrasës si ai?! Çfarë mund të sjellë tjetër veç konfliktit e po iu dha mundësia edhe luftës, një politikan sot mbi 50 vjeçar, por që në rininë e tij ka marrë në dorë kallashnikollin, ka bërë thirrje për gjenocide dhe ka justifikuar mizoritë serbe në Bosnjë e në Kosovë?! Aleksandër Vuçiq është peng i veprave të tij kriminale. Provat e krimit të tij i ka në dorë edhe Vladimir Putin. I dinë dhe evropianët e amerikanët. Në cilëndo anë të jetë, ana tjetër do ta groposë”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi nënvizon se Vuçiq ka interes jetik për luftë në Ballkan.

“Me një konflikt të ri Vuçiq beson se do t’i humbë gjurmët e krimit të mëparshëm. Megjithatë nuk e ka të lehtë. Por iluzionistët nuk duhet të shpresojnë se presidenti i Serbisë bën paqen. E ka thënë vetë kur nuk nënshkroi Marrëveshjen në Bruksel e në Ohër. “Ka dhimbje në dorën e djathtë dhe kështu do të jetë për katër vite”! Në fakt dhimbja e tij është urrejtja, hakmarrja për humbjen katastrofike të pranverës së vitit 1999. Atëherë ishte ministër i Milosheviçit”.

Por si duhet të veprojë Kosova karshi kësaj situate dhe paralajmërimit të CNN?

“Autoritetet e Kosovës duhet të vazhdojnë të nisen nga kjo premise – Se Aleksandër Vuçiq mbetet politikani i konfliktit në rajon dhe si i tillë nuk mund të bëjë paqen. Duhet të shpërndahen deklaratat e tij luftënxitëse në të gjitha kancelaritë dhe mediet ndërkombëtare. Duhet të realizohen videot e deklaratave luftë-nxitëse që ai bën dhe të denoncohet për to. Madje nga buxheti I shtetit të Kosovës duhet paguar që presidentit serb ti zbulohet maska. Duhet gërmuar edhe në faktet për implikimin e tij në krimet kundër njerëzimit në luftën e Bosnjës dhe të Kosovës. Ka mundësi që kjo të bëhet. Nëse nuk bëhet me lekë, bëhet me shumë lekë. Por për ta shkatërruar reputacionin e Aleksandër Vuçiq paratë nuk janë asgjë”, shprehet Bytyçi, i cilit thotë se pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë për ta pranuar miratimin e një fondi për sigurinë, sovranitetin, tërësinë territoriale dhe formësimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.

“Kur paraardhësit e Kurtit dhe Osmanit përdornin paratë e qytetarëve të Kosovës për të lobuar për ndarjen e Kosovës, pse qeveria e sotme të mos përdorë para për tërësinë territorial dhe shtetësinë e saj?!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat