Zgjedhjet në veri/ Opozita skeptike për udhëzimin administrativ, këto janë parashikimet për situatën atje

Politika

Zgjedhjet në veri/ Opozita skeptike për udhëzimin administrativ, këto janë parashikimet për situatën atje

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 24 gusht 2023 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Kanë mbetur edhe pak ditë, deri tek përfundimi i afatit për hartimin e udhëzimit administrativ për zgjedhjet në veri (1 shtator, 2023).

Deri më tani, nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

Ditë më parë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës do të determinohet gjatë ditëve në vijim.

Por, ai nuk dha detaje lidhur me punën e bërë deri më tani nga grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ, që mundëson nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve të komunave.

“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër, anëtarë të partive opozitare në vend thonë se vonesa në shpalljen e zgjedhjeve në veri, po bënë që Kosova të vazhdon të jetë nën sanksione të Bashkimit Evropian.

Gaxherri: Tashmë çështja e veriut është kthyer në çështje personale të Kurtit

Image
Besa Gaxherri

Besa Gaxherri, anëtare e Kryesisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se tashmë çështja e veriut është kthyer në çështje personale të Kurti, duke theksuar se, qeveria e tij është duke gabuar në çdo veprim.

Sipas saj, Kurti në veri ka bërë lojë elektorale, për çka edhe Kosova tashmë është e sanksionuar nga BE.

“Qeveria është e vonuar, është e gabuar për çdo veprim të saj në Republikën e Kosovës. Po i shohim çdo ditë tashmë skandalet e saj, jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë ekonomik dhe korruptiv. Kështu që nuk ka mbetur hapësirë për t’i dhënë ndoshta ndonjë këshillë ose për të ndikuar. Por, tashmë çështja e veriut është kthyer në çështje personale të Kurtit dhe ne po presim e po punojmë që të mund t’i bindim qytetarët që këto veprime janë shumë të dëmshme për Kosovën. Zgjedhjet në veri të vendit natyrisht që i ka pranuar tashmë pas gjithë asaj loje elektorale që e ka bërë Kurti, e që është në dëm të Kosovës, i ka përfituar sanksionet dhe asgjë tjetër dhe tash duhet të shkojmë në zgjedhje. Unë kisha menduar dhe i kisha sugjeru Kurtit mos të bëjë lojëra elektorale më në këtë çështje, sepse kjo nuk është çështje elektorale, por është kruciale për vendin”, deklaron ajo.

Më tej Gaxheri, potencon se nuk ka nevojë për peticione, por t’i kërkohet kryetarëve të dorëhiqen.

Derisa, i ka bërë thirrje Kurtit për hapa më të shpejt dhe konkret për këtë çështje.

“Ne duhet të ecim përpara, nuk mendoj se duhet bërë këto lloj peticione, ka mënyra konkrete, sepse s’kemi çfarë fshihemi, duhet të jemi ballë problemeve. Zgjedhjet i ka pranuar se duhet t’i mbajë edhe në zgjedhje mund të shkojmë duke kërkuar nga kryetarët që vetë të dorëhiqen. Tash çfarë loje e Kurtit është nuk mundem me imagjinu, sepse jemi të gjithë dëshmitarë se Kurti shumë shpesh na zhgënjen, më shumë sesa ne presim. Ta shohim si do të shkoj tutje. Ne çështjen e veriut e kemi të veçantë, andaj duhet hapa konkret sepse është problem me të cilin ballafaqohemi qe sa vite dhe nuk mundemi me vepru sikurse me komuna të tjera. Tash Kurti duhet të jetë korrekt dhe i sinqertë me Republikën e Kosovës dhe pastaj me faktorin ndërkombëtar, ky proces duhet të ec sa më shpejtë, nuk ka humbje më të madhe se sa kur ne e neglizhojmë këtë proces dhe humbim kohë, thotë ajo për “Bota sot”.

Pajaziti: Tani askush nuk e di si do veprohet, madje as njerëzit që Kurti i ka emëruar të merren me këtë proces

Image
Zenun Pajaziti

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti, duke kritikuar qeverinë për vonesa në shpalljen e zgjedhjeve në veri, potencon se Kurti e ka humbur besimin edhe te partnerët.

Sipas tij, tani askush nuk e di si do veprohet, madje as njerëzit që ai i ka emëruar të merren me këtë proces.

"Tashmë është bërë rutinë që kjo Qeveri me qenë jo veç e vonuar, por edhe e gabuar. Krejt agjenda është pasojë zingjirore e veprimeve të gabuara. Edhe nëse veprohet tash, përsëri jemi shumë të vonuar. Përpjekja e qeverisë për rikthimin e gjendjes së para një viti është përgjegjësi direkte e veprimeve të gabuara dhe të dështuara të Kurtit. Më e keqja është se e ka humbur besimin edhe te partnerët. Tashmë askush nuk e di si do veprohet, madje as njerëzit që ai i ka emëruar të merren me këtë proces", vlerëson ai për “Bota sot”.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar gati tre muaj më parë.

Në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – janë shqiptarë. Serbë lokalë kanë protestuar që nga 29 maji kundër hyrjes së tyre në objektet komunale.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat