“Serbia e pati nënshkruar kapitullimin” – Eksperti i sigurisë me thirrje për ndërkombëtarët: Të ndëshkohet Serbia për këto arsye!

Politika

“Serbia e pati nënshkruar kapitullimin” – Eksperti i sigurisë me thirrje për ndërkombëtarët: Të ndëshkohet Serbia për këto arsye!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 26 gusht 2023 Në ora: 17:48
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

“Sanksionimi i atyre shteteve që kanë investua në këtë shtet do ta vetëdijesonte Serbinë që në të ardhmen të ju përmbahet marrëveshjeve të arritura”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka muaj të tërë që nuk janë takuar në kuadër të dialogut të Brukselit, ku është diskutuar më vite të tëra për të gjetur një marrëveshje përfundimtare, e cila do të qetësonte gjakrat!

Mëgjithatë, edhe pse dy liderët nuk janë takuar tashmë disa muaj, ishte i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, që është takuar ditë më parë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin, ku kanë diskutuar "në thellësi "për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson prej më shumë se dhjetë vjetësh në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës në fund të majit, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Image
Hajrullah Tërnava

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës i ka injoruar kërkesat e saj, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.

Në tentim për t’i ulur tensionet në veri, Lajçak dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri më 10 korrik, në Bratisllavë.

Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.

Në kuadër të dialogut ishte arritur edhe një marrëveshje në Ohër, por e cila nuk është nënshkuar nga presidenti serb, edhe pas insistimit të kryeministri Kurti që ta bëjë një gjë të tillë.

E kjo marrëveshje e arritur në Ohër, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava po pret që të jetësohet.

Ai thotë se është e pakuptimtë që bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë të zgjasin pafund.

“Bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët që një kohë të gjatë e deri më tani, sidomos nga plani franko-gjerman që ju ofrua palëve në fjalë, si variant merre ose lere, tani është koha që të jetësohet ai plan në fjalë, sepse është e pakuptimtë që këto bisedime të zgjasin pafund, dhe vetë varianti i ofruar merre ose lere, e ka kuptimin e vetë, që ata që nuk i përmbahen kësaj marrëveshje, duhet të ndëshkohen”, thotë Tërnava.

Sipas tij, pavarësia e Kosovës është “certifikuar” nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nuk mund të kontestohet nga ana e Serbisë.

“Këto bisedime me ndërmjetësime nga ndërkombëtarët nuk mund të zhvillohen pakufi, e sidomos kur dihet se vet Serbia e pati nënshkruar kapitulimin e saj sipas marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999,  pas bombardimeve, dhe GJND si gjykatë ndërkombëtare e patë arsyetuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, gjë që edhe ky fakt e dëshmon gjendjen reale që tani gjithçka duhet të merr fund rreth njohjeve reciproke mes këtyre dy shteteve Serbi-Kosovë”, thekson ai.

Tërnava shton se, Serbia si i vetmi shtet evropian po i qëndron pranë Rusisë.

Ndërkombëtarët që ndërmjetësojnë në këto bisedime, e sidomos pas bindjes për pranim dhe zbatim dhe gatishmërisë së Kosovës për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, tash është momenti që faktori ndërkombëtar përfundimisht të ushtron presion të ashpër politik dhe paralajmërim edhe për izolim ekonomik ndaj Serbisë,  nëse Vuçiqi vazhdon me sabotimin e marrëveshjeve të fundit të akorduara në Bruksel dhe në Ohër, të zotuara vetëm deklarativisht për t’u zbatuar, por që zyrtarët serbë nuk janë të gatshëm për të vazhduar tutje dhe zbatuar atë që është pranuar por pa u nënshkruar”, potencon ai.

Ai shton se, ndërkombëtarët duhet të jenë vendimtar dhe bisedimeve Kosovë-Serbia duhet t’i vije fundi pasi po zgjasin me vite të tëra.

“Serbisë njëherë e përgjithmonë duhet t’i thuhet se nëse nuk ju përmbahet marrëveshjeve të arritura në Ohër, ajo duhet të ndëshkohet nga shtetet ndërkombëtare dhe të sanksionohet, e jo si deri më tani sikur që është investua me investime marramendëse në Serbi, nga shtete të BE-së. Sanksionimi i atyre shteteve që kanë investua në këtë shtet do ta vetëdijesonte Serbinë që në të ardhmen të ju përmbahet marrëveshjeve të arritura”, përfundon Tërnava.

Ndryshe, shtensionimi i situatës në veri dhe kthimi në dialog janë kërkesa të shteteve perëndimore ndaj Kosovës.

Ndërsa, së fundmi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë, tha se kërkesat e vendit të tij ndaj Qeverisë së Kosovës nuk kanë të bëjnë me presion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat