7 shtatori, ngjarje historike në kaosin e përgjakshëm, që pasoi vdekjen e Jugosllavisë dhe rrugën drejt pavarësisë së Kosovës

Politika

7 shtatori, ngjarje historike në kaosin e përgjakshëm, që pasoi vdekjen e Jugosllavisë dhe rrugën drejt pavarësisë së Kosovës

Nga: M.Lakna Më: 7 shtator 2023 Në ora: 17:14
Pamje nga Kuvendi i Kaçanikut

Sot janë mbushur 33 vjet që kur Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik.

Ngjarja historike e 7 shtatorit 1990 pasoi Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.

Nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese të Kaçanikut rrodhi Referendumi për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992.

Ngarjen e historik të shtatë shtatorit në përvjetorin e saj të 33-të sot e kanë përkujtuar personalitete të shumta nga jeta politike e kulturore në vendin tonë.

Në lidhje me këtë ditë, për gazetën “Bota sot” foli edhe publicisti dhe ish-kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Image
Haki Latifi

Ai tha se 7 shtatori i vitit 1990 shënon fillimin e një epoke të re për Kosovën

Përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, të popullatës shumicë për krijimin e shtetit të pavarur, datojnë prej shumë kohësh, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90, atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Kujtojmë me nderime dhe krenari këtë ngjarje të rëndësishme në rrugën tonë drejt lirisë pavarësisë dhe shtetit të Kosovës kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, vepruan në përputhje me mandatin që kishin në kuadër të proceseve të atëhershme, duke dëshmuar guxim, vizion dhe përgjegjësi të lartë për vullnetin që përfaqësonin dhe për aspiratën tonë historike për liri dhe pavarësi”, tha Latifi për gazetën “Bota sot”.

Ai potencoi se më 7 shtator 1990 në Kaçanik është përcaktuar orientimi kushtetues e juridik për Kosovën shtet i pavarur e sovran.

“Sot kujtojmë në një kohë të historisë më të re të Kosovës kur është përcaktuar orientimi kushtetues juridik për Kosovës shtet sovran dhe të pavarur në të cilën dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990 Kaçanik, ku të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë. Pavarësisht represionit të asaj kohe të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, më 2 Korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës i asaj kohe kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë”, nënvizoi ai.

Latifi tha se kjo është ngjarje historike në kaosin e përgjakshëm që pasoi vdekjen e Jugosllavisë, në të cilën Kosova e kishte të qartë rrugën që duhej të ndiqte dhe qëllimin që duhej të arrinte.

Në këto rrethana ai kujtoi se u lind edhe Alternativa politike e quajtur LDK, si lëvizje politike mbarë-popullore, e cila ishte bërë shpresë dhe besë për shqiptarët e Kosovës dhe për mërgimtarët.

“LDK, e udhëhequr nga presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën, duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror.

Kjo ngjarje tregon momentin e kthesës së madhe në rrethana shumë të vështira, një moment i përgjigjes së veçantë të institucionit më të lartë përfaqësues të vendit për të thënë fjalën e vet karshi gjithë asaj që i kurdisej Kosovës për zhbërje si dhe ishte artikulim i vullnetit politik të qytetarëve të saj. Dhe janë punët e mëdha të mëvonshme që janë bërë me organizimin e referendumit të vitit 1991, me marrjen e një vendimi të veçantë një rezolutë për definimin e plotë të qenies së Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran si Republikë dhe vendime e tjera që nuk ka qenë lehtë të merren edhe jashtë vendit duke mbajtur respektin për të gjithë njerëzit, edhe të gjallët edhe ata që janë në amshim, që kanë qenë pjesë dhe kanë dhënë kontribut për ndërtimin dhe ecjen e suksesshme të Kosovës si dhe pjesë e rezistencës dhe pjesë e ndërtimit të shtetësisë së saj”, theksoi Latifi.

Ai shtoi gjithashtu se Kuvendi i e Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

“Kështu, Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Kuvendi i parë shumë partiak si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e rezistencës së armatosur kundër okupimit, që do të pasqyrohet me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ai.

Gjithashtu Latifi rikujtoi se ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i Kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi “Shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.

Kosova u çlirua më 10 qershor të vitit 1999 nga okupatori serb, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e ndihmuar nga forcat paqedashëse të Aleancës Veriatlantike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; kurse pavarësinë, konform të gjitha rregullave ndërkombëtare e shpalli, më 17 shkurt 2008 me emrin Republika e Kosovës.

Urimet të përzemërta për këtë ditë të bekuar!”, përfundoi Latifi

Të dhënat historike të kohës thonë se me aktin e Kushtetutës së Kaçanikut, shprehej avancimi i pozitës kushtetuese-politike të Kosovës nga njësia autonome në njësi të pavarur, në kuadër të bashkësisë së Jugosllavisë.

Kushtetuta përbëhej nga pjesa hyrëse dhe pjesa normative. Në preambule theksoheshin shkaqet e miratimit të Kushtetutës dhe qëllimet e saj. Pjesa normative përbëhej nga 9 pjesë të shpërndara në gjithsej 140 nene. Në dispozitat e përgjithshme, Republika e Kosovës përkufizohej si "shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare të serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat