Kërcënimi i Listës serbe me mos-largimin e ilegalëve nga objekti/ Alarmojnë njohësit: Mund të ketë veprime terroriste

Politika

Kërcënimi i Listës serbe me mos-largimin e ilegalëve nga objekti/ Alarmojnë njohësit: Mund të ketë veprime terroriste

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale. 

Por, nga ana tjetër Lista Serbe njoftoi se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune. 

“Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, u tha në njoftimin e Listë Serbe. 

Pas këtyre paralajmërimeve të Listës Serbe, njohësit e rrethanave politike thonë se Kosova duhet të jetë e përgatitur për tensione të reja, të cilat mund t’i shkaktoj pala serbe. 

Kelmendi: Nga grupet e organizuara kriminale priten aksione terroriste 

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike e politike, Muhamet Kelmendi, vlerëson se asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të ketë objekte shtetërore në shtetin e Kosovës, përveç nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis palëve. 

Sipas tij, pas këtij vendimi, shteti serb po përgatitet për veprime politike kundër Kosovës.  

“Kosova është shtet sovran dhe asnjë shtet tjetër, as Serbia, nuk ka të drejtë të ketë objekte shtetërore në shtetin tone. Çdo çështje e tillë realizohet vetëm me marrëveshje midis palëve. Pa këtë marrëveshje, është e vetëkuptueshme, mbyllja e objekteve të tilla të shtetit serb në Kosovë. Ligjërisht nuk ka ndonjë problem. De-fakto shteti serb, nëpërmjet veprimeve politike, po angazhohet kundër shtetit të Kosovës. Serbia, jo vetëm nuk e njeh shtetin e Kosovës, por edhe po vepron për të rrënuar sovranitetin e shtetit të Kosovës”, thotë ai. 

Tutje ai thekson, se qëllimet e Serbisë janë ndarja e Kosovës ose ripushtimi dhe se për realizimin e këtyre qëllimeve janë organizuar kriminelet serb në veri e kudo në Kosovë. 

Po ashtu, ai shprehet i bindur se nga këto grupe kriminale priten edhe aksione terroriste.  

“Dy qëllime i ka Serbia, ndarjen e Kosovës ose ripushtimin e shtetit të Kosovës. Për të realizuar këto dy qëllime janë mirë të organizuar kriminelet serb në veri e kudo në Kosovë. Politikisht udhëhiqen nga  "Lista Serbe", e ushtarakisht nga grupet e armatosura, si "Severna Brigada". Krejt kjo nën kontrollin dhe udhëheqjen e grupit kriminal të Vuçiq. Këtej, po kryhen aksione kriminale, që kanë për qellim rrënimin e sovranitetit dhe të integritetit të shtetit të Kosovës. Këto po udhëhiqen nga këto grupe kriminale serbe. Nga grupet e organizuara kriminale priten aksione terroriste. Ndoshta pritet themelimi apo mos themelimi i Asociacionit serb në Kosovë, për të shkuar në aksione të gjera luftarake, me një racizëm të egër serbomadh. Grupet e armatosura, si "Brigada e Veriut", është në aksion.  Nga kjo priten veprime terroriste. Këtë nuk duhet lejuar. Kosova kërkohet të jetë e përgatitur”, thotë ai për “Bota sot”. 

Mehmeti: Kjo vetëm sa mund të rikthejë tensionet 

Nga ana tjetër analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se kjo situatë mund të rikthejë tensionet në një kohë kur po bëhen përpjekje për zgjedhje të reja. 

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, edhe pse ky vendim është legjitim dhe i duhur, vështirë se do të ndodh.  

“Paralajmërimi nga organet e reja në veri për largim të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë edhe pse është legjitim nuk besoj se do të ndodh. Kjo vetëm sa mund të rikthejë tensionet në një kohë kur po bëhen përpjekje për zgjedhje të reja atje, kështu që vendimi në fjalë nuk pritet të ndryshojë. Edhe pse po them prapë është legjitim dhe i duhur, por këto gjëra mund të rregullohen me marrëveshje në Bruksel, vështirë të ndodh me këtë vendim në fjalë. Fatkeqësisht, asnjëherë më parë nuk është bërë diçka në këtë drejtim”, thotë ai për “Bota sot”.

Aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë. 

Paraprakisht, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin. 

Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë thënë se objekti është pronë e tyre dhe se ai duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve".  

Më 23 gusht, Ambasada amerikane në Prishtinë kishte kërkuar nga autoritet e Kosovës që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”. 

Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Tensionet në veri janë rritur muajve të fundit, pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë. 

Udhëheqësit e rinj komunalë u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe. 

Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri. 

Në këtë kuadër, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat