Sot afati i fundit që serbët të largohen nga objekti në Mitrovicë/ Profesori jep alarmin: Vuçiq i shfrytëzon me mjeshtri këto rrethana

Politika

Sot afati i fundit që serbët të largohen nga objekti në Mitrovicë/ Profesori jep alarmin: Vuçiq i shfrytëzon me mjeshtri këto rrethana

Nga: Q.R Më: 8 shtator 2023 Në ora: 13:54
Objekti në Komunën e Mitrovicës

Sot, 8 shtator, është afati i fundit që autoritetet e Kosovës u kanë dhënë katër institucioneve serbe të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë thënë se i përket Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk është kërkuar asistenca e Policisë për largimin e nëpunësve serbë nga objekti komunal.

“Është e vërtetë që herën e kaluar kemi pasur një kërkesë për asistencë, dhe ne kemi qenë të gatshëm që të asistojmë, kësaj radhe deri në këtë moment kur po flasim, nuk kemi kërkesë për asistencë, sidoqoftë nëse kërkohet asistenca, ne jemi të gatshëm që ta ofrojmë atë, nuk kemi ndonjë problem, sepse e kemi krijuar përvojë tash në veri të Kosovës për intervenime, por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”, ka thënë ai.

Image
Enver Bytyçi

Për të gjithë këtë situatë të krijuar në veri, Profesor Enver Bytyçi, vlerëson se Vuçiq i shfrytëzon me mjeshtri këto rrethana, pasi që sipas tij, i njëjti është kriminel lufte dhe aleat i ngushtë i Putinit.

“Aleksandër Vuçiq i shfrytëzoi me mjeshtëri këto rrethana. Si mashtrues tipik që është, diti të hiqet si perëndimor, ndërkohë që është një kriminel lufte dhe aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërsa u thotë amerikanëve dhe evropianëve se “unë jam me ju”, i kërcënon ata në anën tjetër se “mund ta destabilizojë Ballkanin”! Ndërsa flet me diplomatët perëndimorë, nuk pranon asnjë opsion të njohjes së shtetit të Kosovës. Ndërsa josh përkatësinë perëndimore, mban lidhje shumë të ngushta me Rusinë. Madje vazhdon në stilin e Iranit, Sirisë dhe Koresë së Veriut të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Moskën. Gazi rus vazhdon e rrjedh në tubacionet serbe me çmime shumë të lira. Marrëveshjet për bashkërendimin në politikat e jashtme kanë vazhduar edhe pas agresionit rus në Ukrainë. Bazat ruse vazhdojnë r ruhen në territorin e Serbisë”, deklaron ai.

Bytyçi thekson, se Serbia vazhdimisht është pala destruktive dhe se Bashkimi Evropian po bënë lëshime në këtë drejtim.

“Lëshimet që Bashkimi Evropian i ka bërë Serbisë janë të paimagjinueshme. Serbia është përgjegjëse për katër luftëra në Ballkan. Por, me ikjen e Milosheviçit në vitin 2000, Evropa filloi të ndryshojë qasje ndaj Serbisë, duke e rehabilituar atë hap pas hapi. Fillimisht duke krijuar atë që u quajt proces negociatash për statusin e Kosovës. Që në atë moment u pa se Serbia do të bëhej faktor dhe aktor në të ardhmen e Kosovës, pavarësisht se Kosova ishte viktimë e pamëshirshme e saj. Ndonëse u pranua fakti që Kosova e pavarësia e saj është produkt i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë dhe pasojë e gjenocidit serb në këtë vend, sërishmi Serbia u bë pjesë e vendimmarrjes.Vendimmarrja serbe u zgjerua pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, të cilën Beogradi e refuzoi. Pse e refuzoi? Sepse ndjeu se kishte mbështetjen e evropianëve. Në këtë mbështetje rol përcaktues luajti dhe vazhdon të luajë Franca. Evropianët e tjerë duan që të ruajnë unitetin. Por gjithnjë në dëm të Kosovës e pavarësisë së saj. Rol negative kanë luajtur gjithashtu pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e njohin pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro vendet që e kanë çuar situatën deri në këtë pikë, sat ë përkëdhelet Serbia e të injorohet ose dëmtohet Kosova”, thotë ai.

Derisa flet për situatën në veri, Bytyçi komenton edhe sanksionet e vendosura nga BE për Kosovën, për të cilat shprehet se janë të padrejta.

Ndërkaq, thekson se BE duhet të bindet se Serbia është problemi dhe se duhet të gjejnë zgjidhje politike e diplomatike.

“Tani situate ka ardhur deri në pikën kur në veri të vendit serbët ngrenë barrikada, bojkotojnë institucionet, sulmojnë NATO-n, policinë e Kosovës dhe gazetarët, grumbullojnë armë e municione, bëjnë krime dhe trafiqe, e megjithëkëtë kritikohet e madje sanksionohet Kosova! Nuk ka padrejtësi më të madhe. Nuk ka dyftyrësi më të turpëruese se kjo. Megjithatë qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk mjaftojnë ta konstatojnë këtë fakt që po përmend unë. Ato duhet të gjejnë zgjidhjen. Duhet të bindin aleatët dhe partnerët evropianë se Serbia është problem. Duhet të gjejnë zgjidhje politike e diplomatike. P.sh nuk do të ishte keq që ta bindin BE-në që dialogu të zhvendoset nga përballja me Beogradin te serbët e Kosovës. Duhet një zgjidhje. Nuk mjafton të kesh të drejtë. E drejta duhet menaxhuar! Duhet ditur për ta kërkuar dhe realizuar. Me vetëgjyqësi e drejta kthehet në të kundërtën e saj”, thotë ai për “Bota sot”.

Ndryshe, vendimi i administratës së Komunës fillimisht ishte thënë se duhet të zbatohej deri më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Afati prej 14 ditësh u ishte dhënë për t’u krijuar hapësirë dhe kohë për largim të dokumentacionit ose çkado që iu hyn në punë zyrtarëve që kanë punuar aty.

Inspektorati komunal u kishte dërguar nëpunësve, që aty punojnë nën administratën e Serbisë, paralajmërim që t’i lironin zyrat.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian kishte reaguar duke thënë se vendimi i autoriteteve komunale ishte në kundërshtim me përpjekjet për shtensionimin e situatës në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat