“Po e përhapin epideminë e shkatërrimit të LDK-së”/ Anëtari i hershëm i LDK-së tregon pse “Rruga e re” është rrugë e gabuar

Politika

“Po e përhapin epideminë e shkatërrimit të LDK-së”/ Anëtari i hershëm i LDK-së tregon pse “Rruga e re” është rrugë e gabuar

Nga: M.Lakna Më: 8 shtator 2023 Në ora: 17:55
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Ditë më parë kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me bartësit e ekipeve programore qëndruan në një hotel, në Brezovisë për të të finalizuar “rrugëtimin e ri”, që sipas kësaj partie i duhet Kosovës.

Pas kësaj ngjarjeje, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Programi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ‘Rruga e Re’ po merr formë.

“Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës - ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit”, ka thënë mes tjerash kryetari i kësaj partie.

Por, “rruga e re” e LDK-së, nuk po gjen përkrahje në opinion dhe shoqëri. Kjo pasi partia e themeluar nga Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, ka lënë jashtë programit një pjesë të anëtarësisë së vjetër, të figurave që morën pjesën në themelimin e partisë.

Po ashtu, ka pasur kritika të shumta për proceset zgjedhore nëpër degë e nëndegë të partisë.

Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e komentoi publicisti dhe njëri nga anëtarët më të hershëm të LDK-së, Skender Zogaj.

Zogaj tha se LDK e ka hapur rrugën e re qysh më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe sipas tij kjo ushtë është është suksesi që gëzon sot populli i Kosovës.

Image
Skender Zogaj.

“Kur është bërë një me idealet e një tradite themeltare gjithë popullorë sepse, LDK-ja e ka hap udhën e re më 23 dhjetor 1989, për çlirimin e vendit nga okupatori serb dhe për ecje drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo udhë është suksesi që gëzon sot populli i Kosovës dhe, LDK-ja në vend se të mburret me të dhe të angazhohet për ta forcuar, pastruar, pasuruar, zgjeruar, modernizuar dhe funksionalizuar në dobi të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, bën manovrime diletanteske duke kërkuar rrugë të reja!”, ka thënë Zogaj.

Ai ka shtuar se LDK-ja ka nevojë për reformë të mirëfilltë demokratike, në frymën misionare rugoviane.

“Kjo është detyra thelbësore e LDK-së, sot më shumë se kurdoherë sepse, Kosova ndodhet në udhëkryqin historik, e kanosur të mbetet as mish as peshk!”, nënvizoi ai.

Kështu sipas tij, kryesia e LDK-së në vend të sloganeve të “pakuptimta, do të duhej ta shpëtonte partinë nga degjenerimi i skajshëm nëpër degë e nëndegë.

“Prandaj Kryesia Qendrore dhe strukturat e larta partiake të LDK-së, në vend të slloganeve të pakuptimta do të duhej ta shpëtojnë partinë nga degjenerimi i skajshëm që po ndodh nga nëndegët e deri te Kryesia qendrore, ku kanë hy viruset e rrezikshëm anti – LDK - istë, që me shumë sukses po e përhapin epideminë e shkatërrimit të LDK-s”, ka potencuar publicisti Zogaj.

Zogaj e konsideron si dëshpërues procesin zgjedhor brenda LDK-së, duke kritikuar kështu mënyrën se si zgjidhen kryesitë e degëve.

“Procesi i zgjedhjeve brenda LDK-s është dëshpërues, sepse në pjesën dërmuese zgjedhjet janë të shpifura, me lista të sajuara nga emra të njerëzve që nuk janë fare anëtar të LDK-s! Listat sajohen nga ca matrapazë që mbledhin emrat e rrethit të shokëve dhe familjarëve të tyre (nënat, motrat, gratë, nipa e mbesat...) dhe krijohet forumi që me aklamacion e kryen aktin e zgjedhjes së kryetarit dhe të kryesisë së nëndegëve. Ka raste kur nënshkrimet e personave në këto lista janë me nënshkrime false, pra që nuk i kanë nënshkruar personat e evidentuar!!! Kjo nuk është rastësi por dukuri e thellë, manifest solemn nëpër të gjitha nëndegët e degëve të LDK-s, ku për parregullsi shquhen Fushë Kosova, Ferizaj, Vushtrria, Gjilani..”, është shprehur ai.

Andaj, Zogaj thotë se “rruga e re”, këtë subjekt politik e dërgon “te përrojet”.

“Nëse kjo quhet "rrugë e re" atëherë arsyetohet edhe slogani i ri, mirëpo le ta themi hapur, kjo udhë e shpie LDK-n te përrojet. Proceset zgjedhore të srukturave partiake nga nëndegët te degët dhe Qendra, janë kushti elementar pa të cilin nuk ka udhë të qëndrueshme!

Prandaj LDK-së, duhet të bëj reformat e vërteta nga anëtari më i thjeshtë e deri të kreu. Partia e shenjtë - LDK - duhet me heq dorë nga "gratë e krehme", dhe me u kthjellë e me ndjek "udhën e rrehme"!”, përfundoi Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat