Qeveria nuk i arrestoi ‘jakat e bardha’ – Analistët ‘godasin’ LVV-në për mos arrestimin e këtyre politikanëve të fuqishëm të Kosovës!

Politika

Qeveria nuk i arrestoi ‘jakat e bardha’ – Analistët ‘godasin’ LVV-në për mos arrestimin e këtyre politikanëve të fuqishëm të Kosovës!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 8 shtator 2023 Në ora: 21:56
Ramush Haradinaj Pal Lekaj dhe Sami Lushtaku

Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë deklarata ‘bombë’ gjatë fushatës zgjedhore se me ardhjen në Qeveri do t’i arrestojë të gjithë ata që keqpërdorën paranë publike, që u pasuruan me krim të organizuar dhe korrupsion, si dhe ata që privatizuan toka, me çmime super të lira, e që pastaj i shitën për të përfituar miliona euro, si rasti i Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve? Por, deri tash nuk kemi pa akoma që dikush i kësaj kategorie është arrestuar?

Pas këtyre viteve qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, shtrohet pyetja se pse nuk është arrestuar askush prej ‘jakave të bardha’ nga Qeveria Kurti.

Në lidhje me këtë çështje, bashkëbiseduesit e gazetës “Bota sot”, kanë mendime të ndryshme, se pse ndodhi kjo.

Miftari kërkon vetting në drejtësi

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se, kjo ndodhi pasi LVV-ja dhe qeveria e Kosovës, nuk arriti ta pastron Gjykatën Kushtetuese, dhe as gjykatat tjera, as prokuroritë, Policinë e AKI-në.

“Aty ishte dora e krimit të organizuar nga partitë e korruptuara PDK, LDK, AAK, AKR..., prandaj Qeveria nuk arriti të pastrojë nga militantët kukulla dhe sekserë të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt. Prandaj as 10% nuk arriti të pastrojë sistemin e drejtësisë nga KGK, KPK, e që në faktë janë këshilla politike të PDK, LDK, AAK dhe qendra që mbrojnë krimin e organizuar dhe mbrojnë politikanët e korruptuar multi  milioner nga oligarkët e tyre, si përshembull Devollin, e që janë më të fort se shteti”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se nuk ka prokurorë që guxon t’i prek njerëzit e ish-pushtetit.

“Pra, nuk guxon asnjë prokurorë të prek shefat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku, Ramush e Daut Haradinajt, Ilmi Reçicën, Isa Mustafën, Behgjet Pacollin, Skënder Hysenin, Agim Veliun... këta janë kumbarë të krimit të organizuar, prandaj vettingu në organet e drejtësisë është jetike për Kosovën, dhe ligji duhej të vlejë për të gjithë qytetarët dhe pushtetarët”, përfundon Naim Miftari.

“LVV nuk ia ka dalë që ta ç’rrënjos korrupsionin”

Në anën tjetër, analisti politik Rexhep Elezaj kritikon Qeverinë Kurti për mos mbajtjen e premtimeve gjatë fushatës zgjedhore.

“Pyetja e juaj, përveç se është mjaft me vend, në realitet shtron shumë pyetje tjera, në të cilat, mjerisht as qeveria “Kurti-2”, pra qeveria e shpresës, siç është quajtur para zgjedhjeve, nuk ia ka dalë që për dy vite e gjysmë të jep përgjigje të duhura, sidomos për shumë premtime që i ka dhënë para dhe gjatë fushatës zgjedhore, sepse të gjithë kemi pritur se do t’i zgjidh shumë sosh, në mesin e të cilave, premtimi numër një ka qenë se do ta luftojë korrupsionin si dhe do e bën konfiskimin e pasurive të paligjshme nga ata që i kanë keqpërdorë pasuritë shtetërore dhe private të Kosovës. Mirëpo, për fat të keq, as qeveria e shpresës dhe ndryshimit, e cila nga votuesit i mori mbi 50%-ind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, dhe e cila gjatë fushatës zgjedhore me deklarata bombastike dha premtimin, se me ardhjen e LVV-je në pushtet do t’i arrestojë gjithë ata që kanë keqpërdorë paranë publike, ata që u pasuruan me krim të organizuar dhe korrupsion, si dhe ata që privatizuan toka me çmime tepër të lira, që pastaj i shitën dhe u bënë milionerë, etj., etj., lirisht mund të thuhet se gati asnjë nga ato premtime nuk i ka realizuar në praktikë”, thotë Elezaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, pas dy vite e gjysmë në pushtet, LVV-je dhe udhëheqësit e saj që sot udhëheqin me qeverinë dhe organet shtetërore të Kosovës, e kanë kuptuar se bërja politikë si parti, nuk ka asgjë të përbashkët me të bërit politikë shtetërore, ngase këto dy terrene dallojnë si nata me ditën, si në përmbajtje, ashtu dhe në praktikë.

“Pra janë dy fusha krejt të ndryshme, ku mungesa e përvojës politike dhe administrative për të udhëheq me shtetin dhe popullin, bëhet armiku më i madh i çdo partie që vjen në pushtet pa pasur përvojë të duhur, ngase gabimi më i vogël në qeverisje i kthehet si bumerang politik në popull. Kjo, sipas mendimit tim është duke i ndodhur sot partisë në pushtet, LVV, e cila nuk ia ka dalë që ta ç’rrënjos korrupsionin në shoqërinë kosovare, por as nuk i ka burgosur disa tajkunë dhe oligarkë të njohur në Kosovë, të cilët e kanë monopolizuar dhe privatizuar më shumë se gjysmën e ekonomisë së Kosovës. Kjo po ndodhë, sepse të vish në pushtet me votën e popullit, ta kesh fituar votën e afër 51%-ind të elektoratit, ta kesh shumicën parlamentare në Kuvend, të udhëheqësh me qeverinë e Kosovës, t’i menaxhosh resorët kryesorë të shtetit, policinë, MPJ-në, ushtrinë dhe financat, etj., dhe mos të jesh në gjendje ta eliminosh korrupsionin, hajninë, vrasjet e përditshme, drogën dhe krimin e organizuar, varfërinë, ikjen e rinisë nga Kosova, etj., nënkupton dhe flet për paaftësi qeverisëse, frikë nga oligarkët, ose për ndonjë interes eventual, por edhe mos-ballafaqim me realitetin, e që të gjitha këto mosveprime të bëhen me qëllim të ruajtjes së pozitave dhe privilegjeve që i ofron shteti dhe pushteti”, thekson ai.

Ai shton se, shumicës parlamentare i mungon toleranca dhe fryma demokratike.

“Me këtë rast, dua patjetër t’ia shtojë kësaj që u tha më lartë,  veprimin e turpshëm të grupit parlamentar të LVV-je, e cila dje e bojkotojë seancën e thirrur nga opozita lidhur me mungesën dhe telashet për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit tanë, një veprim dhe sjellje antikushtetuese që nuk e bënë asnjë mazhorancë parlamentare në botë. Kjo tregon qartë se kësaj mazhorance i mungon toleranca dhe fryma demokratike, në kohën kur BE-ja, si kurrë më përpara, po punon për zgjerimin e saj me anëtarë të rinj nga vendet e Ballkanit perëndimor..!?”, përfundon analisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat