Shefki Popova, gazetari që u vra tinëzisht në hyrje të banesës së tij/ A do ta zbardh rastin Gjykata Speciale?

Politika

Shefki Popova, gazetari që u vra tinëzisht në hyrje të banesës së tij/ A do ta zbardh rastin Gjykata Speciale?

Nga: M.Lakna Më: 10 shtator 2023 Në ora: 21:12
I ndjeri, Shefki Popova

Sot (e diel 10 shtator) janë mbushur 23 vite nga vrasja e gazetarit të shquar, Shefki Popova.

Vrasja e gazetarit Shefki Popova u bë në stilin e njëjtë, sikurse që u vranë Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Enver Maloku e shumë personalitete të tjera politike e publicistike.

Ngjarja që ndodhi pak pasi kishte mbaruar lufta në Kosovë mbeti e pazbuluar tash e 23 vite.

Në lidhje me rastin, për gazetën “Bota sot”, foli publicisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai konsideron se është shumë e dhimbshme që për zbardhjen e vrasjes së Shefki Popovës është bërë shumë pak.

“Sot mbushën 23 vite nga vrasja e gazetarit Shefki Popovës, i vrarë në qytetin e Vushtrrisë në hyrje të banesës së tij, vrasje kjo e cila akoma nuk ka marrë epilogun nga institucionet e drejtësisë për zbardhjen e saj dhe vënien e kriminelëve prapa grilave. Është shumë e dhimbshme që për vrasjen e Shefkiut është bërë shumë pak jo vetëm në aspektin e zbardhjes së vrasjes së tij, por edhe në përkujtim të tij, pasi dihet kontributi i tij i madh në informim dhe gazetarinë shqiptare në Kosovë, sidomos gjatë periudhës së luftës.

Haziri thekson se institucionet e drejtësisë dështuan në zbardhjen e vrasjes së Shefki Popovës si dhe gazetarëve të tjerë, që u vranë tinëzisht pas luftës në Kosovë.

“Pra institucionet e drejtësisë, që nga koha e UNMIK-ut, por edhe pas pavarësimit të vendit kan dështuar në zbardhjen e vrasjes së Shefki popovës si dhe gazetarëve të tjerë si edhe vrasjet e tjera të Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Ismajl Berbatovcit, Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, e të tjerëve”, shprehet ai.

Andaj sipas Hazirit, derisa këto vrasje si e Shefki Popovës nuk zbardhën dhe autorët e këtij krimi nuk marrin dënimin e merituar, ne kemi dështuar si shoqëri dhe liria e fjalës apo liria e mediave do të vazhdojë të kërcënohet nga krimi i pandëshkuar.

Ai potencon se Gjykata Speciale është një shpresë për zbardhjen e rastit të vrasjes së gazetarit Shefki Popova.

“Shefki popova nuk është vrarë për asgjë tjetër, veç për shkak të profesionit të tij prej gazetari dhe fjalës së lirë. Dhe tani deri sa po prononcohem për gazetën tuaj, mu kujtua deklarata e Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhënë pas kësaj ngjarje ku thotë se autorët e vrasjes së gazetarit Shefki Popova një ditë do të dalin para drejtësisë. Dhe unë besoj se vrasësit e Shefkiut do të dalin një ditë para drejtësisë dhe këtë shpresë e mbështes edhe punën e Gjykatën Speciale të Kosovës”, përfundoi Haziri.

Kush ishte intelektuali Shefki Popova?

Shefki Popova ka lindur me 17 Maj 1951 ne Vushtrri për të ndërtuar një jetë prej gazetari dhe aktivisti të pashoq me veprat e të cilit do të mund të krenohet mbarë qyteti dhe vendi për të cilin Shefkiu informoj disa vite.

Shkollën fillore dhe të mesmen e ka përfunduar në Vushtrri ndërsa studimet në UP fakulteti Juridik-Dega e Gazetarisë.

Ne gazetën Rilindja ka punuar që nga viti 1974 si gazetar i rregullt.

Është rritur në një familje që gjithmonë është shquar për atdhedashuri dhe arsimdashëse.

Shefkiu gjate punës së tij si gazetar është shquar për korrektësi dhe paanshmëri si dhe guxim sidomos gjatë kohës së okupimit serb.

Shkrimet e tija kanë qenë gjithmonë të mirëpritura dhe të respektuara nga opinioni mbarë shqiptar.

I ndjeri gjatë kohës së okupimit serb disa herë eshte rrahur e torturuar për shkak të shkrimeve kundër persekutimeve që po bente policia serbe në atë kohë.

Është vrarë me 10 Shtator 2000 në hyrje të baneses së tij ne Vushtrri nga persona ende të pa identifikuar.

Për veprimtarinë e tij është nderuar edhe nga Presidentja Jahjaga e cila i ka ndarë atij “Urdhrin e Lirisë”.

Gazetaria shqipe me vrasjen e z. Popova humbi zërin dhe guximin kritik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat