Marrin rrogë 600 euro, juristi tregon pse nuk mund të funksionojnë asistentët e deputetëve: Bartin vetëm çantat e tyre

Politika

Marrin rrogë 600 euro, juristi tregon pse nuk mund të funksionojnë asistentët e deputetëve: Bartin vetëm çantat e tyre

Nga: Naile Ejupi Më: 11 shtator 2023 Në ora: 16:24
Kuvendi i Kosovës

76 deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha partitë politikë tashmë kanë angazhuar asistentë personalë, paga e të cilëve është 600 euro.

Angazhimi i asistentëve personalë vjen pas miratimit të rregullores së re për shtesa e Kuvendit të Kosovës, e cila është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe parashikon që duke filluar nga kryetari i Kuvendit e deri të deputetët, të kenë këshilltarë përkatësisht asistentë.

Një deputet bashkë me asistentin e tij i kushton buxhetit të shtetit në fund të muajit 2 mijë e 331 euro (1 mijë e 722 euro paga e deputetit plus 609 euro paga e asistentit).

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se në Kosovë është vështirë të funksionojë kjo, pasi fillimisht deputetët nuk kanë zyre për vete e për zyrtarin.

Ai përmend arsyet e “vështirësisë”.

“Puna dhe angazhimi i deputetëve është baza e punësimit të zyrtarëve ndihmës për deputetë. Kuvendi si organ legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor kërkohet të funksionojë dhe t’i kryejë detyrat ligjore e kushtetuese. Për të realizuar këtë detyrë lypset që çdo deputetë të këtë zyrën e punës për vete dhe zyrtarin. Në zyrë punësohen një a dy-tri zyrtarë. Kjo është kudo në botë. Mirëpo, në Kosovë, kemi vështirësi. Kjo del nga shumë anë: 1. Deputetët nuk janë të përzgjedhurit e partive politike mbi bazën e njohurive dhe të angazhimit, por mbi bazën e lidhjeve politike dhe shërbimit ndaj udhëheqjes. 2. Mbi këtë edhe zgjedhësit nuk kane pasur mundësi të përzgjedhin. 3. Votimi për deputet ka dyshime të dukshme në numërim të votave dhe 4. Aftësia e deputetëve për një punë të suksesshme lënë për të dëshiruar, sepse shumë nuk e njohin fare lëmin e punës”, thekson Kelmendi.

Sipas tij, një zyrtar pa zyre është thjesht zyrtar që bart materialin me çantë të deputetit.

Kosova është larg të sigurojë për deputetë zyre dhe kuadrin përcjellës, sipas Kelmendit, gjersa shton se paraprakisht kërkohet përzgjedhja e kandidatëve.

“Faktet tregojnë se asistenti pa zyre konkrete për deputet, por edhe me zyrë, me nivel që kanë deputetët, është thjesht zyrtar që bartë materialin me çantë të deputetit. Nga angazhimet në Kuvend, prej 120 deputetëve, dalin rreth 30 që angazhohen, shprehim mendime dhe marrin pjesë në diskutime nëpër seanca dhe në grupe parlamentare. Ka një numër të deputetëve qe një a dy -tri herë diskutojnë. Për atë kanë materialin e përgatitur. Të tjerët janë në Kuvend për votë. Kosova është larg që të sigurojë për deputetë zyre dhe kuadrin përcjellës. Paraprakisht kërkohet shumë punë në përzgjedhje të kandidatëve për deputetë. Në të kundërtën do kemi vetëm harxhime. Puna dhe angazhimi mbetet i njëjtë . Hiç më hiç dhe rreth hiçit”, shton Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Kujtojmë se rregullorja e miratuar në mars të këtij viti në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, parasheh që Kryetari i Kuvendit, mund t’i ketë deri në 21 këshilltarë.

Në këtë rast, Shefi i Stafit të Konjufcës, me koeficient 12.4 (sipas Ligjit për Paga) ka pagë bazë 1 mijë 302 Euro si dhe shtesë prej 30 për qind dhe shtesa për shpenzime ditore nga 5 Euro (mesatarisht 115 Euro në muaj), që dikun i bie që paga e tij mund të mbërrijë deri në 1 mijë e 807 euro.

Këshilltarët politikë që mund të jenë deri në 10 të tillë, kanë pagë bazë 987 euro.

Më tej, nënkryetarët parashihet të kenë katër persona staf politik, dy këshilltarë, një asistent dhe një shofer.

Tutje, edhe Grupe Parlamentare pritet të kenë këshilltarë e asistent. Numri i tyre përcaktohet në bazë të madhësisë së grupi parlamentar.

Sipas rregullores, stafi mbështetës politik për Grupin Parlamentar është si në vijim:

1.1.Grupi Parlamentar deri në 10 deputetë, një (1) këshilltar politik 2 –C1O (koeficienti 9.4),

1.2.Grupi Parlamentar 11 - 20 deputetë, dy (2) këshilltar politike 2 – C1O (koeficienti 9.4),

1.3.Grupi Parlamentar 21-30 deputetë, tre (3) këshilltarë politikë 2 –C1O (koeficienti 9.4),

1.4.Grupi Parlamentar 31-40 deputetë, katër (4) këshilltarë politikë 2 – C1O (koeficienti 9.4),

1.5.Grupi Parlamentar 41 - 50 deputetë, pesë (5) këshilltarë politikë 2 - C10 (koeficienti 9.4),

1.6.Grupi Parlamentar mbi 50 deputetë, gjashtë (6) këshilltarë politikë 2 -C10 (koeficienti 9.4) dhe

1.7.Një (1)Nëpunës/e i/e Kabinetit 1 (vozitës) - C-15 (koeficienti 5.8).

Paga bazë e një këshilltari të Grupit Parlamentar është 987 Euro, pa llogaritjen e shtesave dhe kompensimin për shpenzimet ditore.

Tutje Neni 6 “Stafi mbështetës politik i Grupit Parlamentar, Komisionit Parlamentar dhe deputetit/es” i rregullores parasheh edhe këta asistentë:

2.Grupi Parlamentar ka të drejtë për staf mbështetës politikë - një (1) nëpunësi Kabinetit 1 (asistent) -C-15 (koeficienti 5.8)

3.Kryetari i Komisionit Parlamentar të përhershëm apo funksional ka të drejtë në staf mbështetës politik - një (1) nëpunësi Kabinetit 1 (asistent) -C-15 (koeficienti 5.8).

Edhe deputetët kanë të drejtë të kenë një “zyrtar të lartë personal” që paga e tij bazë është 609 euro, plus shtesa prej 30 për qind dhe shpenzimet ditore, në fund paga mund të mbërrijë deri në 906 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat