Ngritet alarmi pasi u kërcënua Kurti, të përfshirë terroristë serbë dhe rusë – vjen thirrja për kujdes!

Politika

Ngritet alarmi pasi u kërcënua Kurti, të përfshirë terroristë serbë dhe rusë – vjen thirrja për kujdes!

Nga: A.M Më: 11 shtator 2023 Në ora: 19:01
Albin Kurti

Së fundi, bujë të madhe ka bërë një letër kërcënuese ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Këtë e bëri të ditur, vetë kreu i qeverisë, ku njoftoi se kishe marrë “letër kërcënuese nga terroristët” lidhur me sekuestrimin e një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit nga Policia e Kosovës.

Kurti ka thënë më tej po ashtu se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se është shqetësuese ndikimi rus në Ballkan e veçanërisht në Kosovë.

Sipas tij, Shqipëria nuk e ka këtë problem si vendi ynë, pasi rusë atje nuk kërcënojnë askënd.

Ai tha se Kurti dhe Sveçla u kërcënuan, për shkak se dhe institucionet e Kosovës po tentojnë të vendosin kontrollin në fushën e sigurisë në very.

“Çështja e prezencës, ndërhyrjes dhe ndikimit rus në rajonin tonë ballkanik nuk është vetëm shqetësim i Kosovës dhe kryeministrit të saj, Albin Kurti. Sigurisht që Kosova ka shumë arsye të shqetësohet më shumë sesa Shqipëria për shembull, e cila nuk e vret trurin për këtë gjë. Se në Shqipëri rusët nuk vrasin e nuk presin asnjë politikan. Kosova është në vijën e parë të luftës kundër ndikimit të Moskës në rajonin tonë. Por më e shqetësuar se Kosova për mua duhet të jetë Bosnjë-Hercegovina, ku mëkëmbësi i presidentit rus, Vladimir Putin, pra Milorad Dodik kërcënon çdo ditë ekzistëncën e shtetit.

Por në BH nuk kërcënohen politikanët muslimanë apo kroatë p.sh. Në Kosovë shohim që ekstremistët dhe terroristët serbë, pjestarë të Wagner ose jo, kërcënojnë kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm të Kosovës. Dhe kjo ndodh për një arsye të vetme. Pse qeveria dhe institucionet e Kosovës po tentojnë të vendosin kontrollin në fushën e sigurisë në veri të vendit. Vuçiç bëri thirrje dhe u zotua se pronat në veri të Kosovës nuk do t’ia dorëzojë autoriteteve të Kosovës. Dmth ai e tha hapur se veriun e Kosovës nuk e dorëzon të jetë pjesë e sovranitetit të shtetit të Kosovës”, deklaroi profesori.

Bytyçi u shpreh i befasuar se si në ditën e njëjtë që Kurti e bëri të ditur kërcënimin, Haradinaj doli me deklaratë se Albini ka qenë në një veturë me punonjës të BIA-s serbe.

“Kujt i shërben kjo deklaratë? Përveçse Rusisë nuk i shërben askujt tjetër. Ajo ishte deklaratë lufte. Deklaratë e tjetërsimit të territorit të shtetit fqinjë, Kosovës, me të cilën presidenti serb pranoi dhe ratifikoi në parlament një marrëveshje në shkurtin dhe marsin e kaluar në Bruksel e në Ohër për respektimin e kufijve dhe sovranitetit shtetëror. Kryeministri Kurti në intervistën e tij thjesht konfirmoi ato që presidenti Vuçiç i deklaron çdo ditë, jo vetëm kundër Kosovës si shtet, por edhe kundër Albin Kurtit si kryeministër. Dhe për çudi, në të njëjtën ditë Ramush Haradinaj e furnizon opinionin me skenarë veturash ku të ishin bashkë Kurti dhe punonjës të BIA-s serbe. Nejse se Rambo ia fut kot jo rrallë here”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori kritikoi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Vuçiqit dhe se si nuk shqetësohen shumë për ndikimin rus në rajonin e Ballkanit.

“Çështja është se sa është e shqetësuar Europa dhe Amerika për ndikimin rus, sidomos në Serbi. Më vjen për të qesh kur diplomatë perëndimorë thonë se “Vuçiçi është i yni”! Edhe njëzet Vuçiç t’i ketë Perëndimi, ata nuk e bëjnë Serbinë pro-perëndimore. Substanca është Kisha Ortodokse, Akademia e Shkencave, Agjencia Informative Shtetërore, Ushtria dhe Policia! Të gjithë këta segment kanë qenë, janë dhe do të jenë pro-ruse! Ndryshe Vuçiq, nëse është pro-perëndimor, le t’i largojë nga Serbia bazat logjistike dhe të spiunazhit rus në Serbi. Janë mbi 20 të tilla. Më e madhja është në Nish”, nënvizoi Bytyçi.

Më tej, potencoi se terroristët serbë, rusë po e kërcënojnë udhëheqësit tanë, pasi po u ngushtohet mundësia e një konflikti të armatosur.

“Pra, unë nuk e shoh që shqetësimi i Albin Kurtit të jetë edhe shqetësim i aleatëve të natyrshëm të Kosovës. Kur themi se Kosova është vija e fundit e Perëndimit në hapësirën e ndikimit rus, kjo do të thotë se Kosova do të duhej të trajtohej si e tillë. Fatkeqësisht diplomatë dhe politikanë euro-amerikanë e trajtojnë Serbinë si të tillë, kur kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka për të qenë e vërtetë. Terroristët serbë, rusë e të përzierë në organizatën terroriste të Wagner kërcënojnë kryeministrin, ministrin e Brendshëm dhe institucionet e Kosovës, sepse rajoni parajsë e tyre në katër komunat e veriut po pastrohet prej armëve që këta terroristë kanë grumbulluar në atë zonë. Po ngushtohet mundësia e një konflikti të armatosur. Në fakt ata janë të shqetësuar, sepse ky pastrim armësh e municionesh po bëhet nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe EULEKS-it. Por nuk kanë fuqi të kërcënojnë NATO-n, aq më tepër tani që KFOR-i turk ka marrë komandën”, shpjegoi profesori.

Po ashtu, përmendi faktin se si njëjtë si Kurtin, edhe Zelensky ishte kërcënuar në fillim të konfliktit me Rusinë.

“Atëherë bëjnë zhurmë dhe kërcënojnë Albin Kurtin. Kështu e kishte kërcënuar Vladimir Putin presidentin Zelensky në fillim të agresionit të tij kundër Ukrainës. Por më pas u tërhoq nga ky skenar. Ndërkaq janë të njohur manovrat për likiudimin e politikanëve dhe lidershipit “kokëfortë”, siç e quan Edi Rama, kryeministrin Kurti. Por Kosova është në Europë dhe nuk i përket kontinetit afrikan, aziatik apo të Amerikës Latine. Kësisoj është vështirë të likuidosh liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, sepse kjo do të kthehej në një boomerang shumë herë më të madh”, shtoi ai.

Në fund, profesori kërkoi kujdes nga qeveria e vendit, pasi tha se nuk dihet se me kë bashkëpunojnë këta terroristë dhe se ka shumë bashkëpunëtorë të Rusisë dhe Serbisë në trojet shqiptare.

“Pavarësisht kësaj qeveria e Kosovës duhet të bëjë kujdes. Jo për shkak të kërcënimeve të terroristëve serbë e rusë. Por më së shumti se nuk dihet se me kë bashkëpunojnë këta terroristë. Për shkak se pjesë e komplotit është edhe qeveria serbe, sigurimi serb dhe presidenti i Serbisë. Për shkak se kemi një rrjet të madh bashkëpunëtorësh të Serbisë dhe të Rusisë në hapësirat tona shqiptare! Pra për shumë arsye duhet patur kujdes. Ndërkohë gjykoj se vazhdimi i kontrolleve dhe asgjësimit të armëve, municioneve dhe bazave të armatimit e të logjistikës serbe e ruse në veri të Kosovës është dhe do të jetë mbrojtja më e mirë e territorit dhe e jetës se lidershipit Kosovar”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat