Pas reagimit të Von Cramon për spastrim etnik në Luginë, ngritet alarmi: Shqiptarët jetojnë në kushte pushtimi

Politika

Pas reagimit të Von Cramon për spastrim etnik në Luginë, ngritet alarmi: Shqiptarët jetojnë në kushte pushtimi

Nga: A.SH Më: 11 shtator 2023 Në ora: 23:01
Presheva

Dje, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, reagoi ndaj pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nga ana e shtetit serb.

Ajo tha se nuk mund të hyjnë në Bashkimin Evropian, ata që ua heqin shtetësinë qytetarëve të vet pa asnjë arsye.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet ta vendosë këtë temë shumë në rendin e ditës në bisedimet e anëtarësimit me Serbinë dhe t’i japë rëndësinë e mbrojtjes së pakicave në Serbi një prioritet shumë më të madh”.

Analisti dhe njohësi i politikës nga Presheva, Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shqiptarët në këtë zonë jetojnë me frikë dhe në kushte të pushtimit.

“Shqiptarët në Serbinë Jugore, jetojnë në kushte pushtimi, u janë ekzpozuar frigës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim e pastrim etnik.

Edhe media të huaja, gjithnjë e më shumë po shkruajnë mbi diskrimininin në rritje ndaj shqiptarëve në Krahinën që përfshin Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, dhe Krahinën e Sanxhakut”, shprehet ai.

Sipas tij, ky rajon është më i pazhvilluar dhe më i diskriminuari në Evropë.

“Ne, shqiptarët në Serbi përkundër mbajtjes së Referendumit më datën e 1 e 2 Mars të vitit 1992, dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, jemi rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën.

Instanca e mekanizma të BE-së, do të duhej marrë seriozisht këtë diskriminim, që ka prekur kufinjtë e segregacionit, racizmit dhe aparteidit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat