“Asociacioni pa njohje, fatal dhe shkatërrues për shtetin e Kosovës”/ Nela ka një thirrje për opozitën, thotë se Kurti është zbutur në qëndrime

Politika

“Asociacioni pa njohje, fatal dhe shkatërrues për shtetin e Kosovës”/ Nela ka një thirrje për opozitën, thotë se Kurti është zbutur në qëndrime

Nga: M.Lakna Më: 14 shtator 2023 Në ora: 09:51
Foto ilustrim, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Sot në Bruksel do të mbahet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Kurti e Vuçiq rikthehen në tryezën e bisedimeve pas shumë tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Ka mjaft skepticizëm lidhur me arritjen e ndonjë marrëveshjeje të re apo zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara më herët.

Lidhur me pritshmëritë e takimit të radhës në Bruksel, për gazetën “Bota sot” foli publicisti Milaim Nela.

Ai këto bisedime i konsideron si favorizim i xheleatit dhe presion ndaj viktimës.

Image
Milaim Nela

Nela thotë se është fatkeqësi që akoma kryefjalë e këtyre negociatave mbetet asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Bisedimet Kosovës – Serbi në Bruksel (Favorizim i Xhelatit - presion ndaj Viktimës!)

Krye temë e mediave shqiptare të Kosovës është raundi i ri i bisedimeve Kurti-Vuçiç!

Fatkeqësisht akoma kryefjalë e këtyre negociatave mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ekzaktësisht atë që do Serbia!

Duket se gjithnjë e më larg është marrëveshja finale mes dy vendeve e cila do kishte kuptim vetëm nëse kjo marreveshje do të konkludonte me njohjen reciproke mes dy vendeve pra njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Shumë i mëshohet asociacionit, kjo edhe falë prononcimeve të dy negociatorëve dhe zyrtarit Amerikan Gabriel Eskobar që kanë shënjestruar Kosovën si shkaktare të ngërçit të dialogut mes dy vendeve!”, vlerëson Nela.

Ai thotë se për fat të keq, vërehet një zbutje e gjuhës së Albin Kurtit kryeministër për sa i takon kësaj pikë krahasuar me Kurtin opozitar të para disa viteve.

Ai nuk flet më për njohjen reciproke si kusht për te biseduar, por është shumë më i zbutur!

Po ashtu, ai nuk këmbëngul mjaftueshëm për efektet shkatërruese që mund të kishte një asociacion me kompetenca ekzekutive për serbët në veriun e Kosovës!

Përkundrazi në ligjërimin politik publik termi vetëqeverisje është maskuar me termin vetemenaxhim që në thelb janë e njëjta gjë!”, nënvizon ai.

Sipas publicistit Nela, incidentet në veri që morën shkas nga konstituimi i kryetarëve të Komunave në veri të Ibrit nxorën cullak edhe mungesën e vullnetit të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit, por në fakt mbajtjen e gjallë të tij.

“I kërkohet qeverisë së Kosovës de-eskalimi i situatës në veri dhe jo shkaktarëve dhe atyre që e eskaluan situatën në rastin konkret, Serbisë!

Kemi arritur deri në absurditete të tilla sa na thuhet nga eksponentë ndërkombëtarë që policia e Kosovës nuk duhet të kalojë në veri duke i mohuar Kosovës sovranitetin në këtë pjesë të territorit të saj”, shprehet ai.

Nela shton se për fat të keq, Opozita e Kosovës në vend që të kundërshtojë me fakte Vuçiçin dhe burokratët ndërkombëtarë për sa i takon pikës më nevralgjike që është Asociacioni vazhdon t’i kërkojë llogari qeverisë së Kosovës për mos-implementimin e saj.

“Do të duhej që opozita kosovare të ngrihej në nivelin e mbrojtjes së interesit kombëtar të shqiptarëve dhe integritetit të shtetit të saj duke kundërshtuar fort çdo lloj asociacioni jashtë një marërveshjeje FINALE që do përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia.

Unë pres nga opozita kosovare që të bëjë presion ndaj qeverisë Kurti që kjo e fundit të mos i bëjë lëshime Serbisë lëshime këto që e bëjnë Kosovën shtet jofunksional.

Këta bëjnë të kundërtën e kërkojnë që ti varin ujkut mëlçitë e qingjit në qafë, kërkojnë që Kosova të implementojë Asociacionin!”, shprehet ai.

Nela thekson po ashtu se Kosova nuk guxon ta implementojë kurrfarë Asociacioni pa njohje nga Serbia në kufijtë aktualë të Kosovës të njohura nga mbi 100 vende të botes.

Në çdo rast nuk guxon të mos respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Asociacioni pa njohje siç e kam thënë në të kaluaren do ishte fatal dhe shkatërrues për shtetin e Kosovës.

Pavarësia dhe integriteti i Kosovës janë shumë më madhore se lufta për pushtet!

Mbrojeni Kosovën e mos e shkatërroni për inat të Albin Kurtit se Kosova është e të gjithëve në pushtet ose jo!

Unë personalisht nuk pres shumë nga raundi i nesërm i bisedimeve në Bruksel.

E shoh si një seancë tjetër presioni krejt absurd e të padrejtë nga miqtë e Vuçiçit në favor të këtij të fundit! Kjo shpjegohet edhe me mos heqjen e sanksioneve absurde të BE-së ndaj Kosovës”, përfundoi Nela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat