Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt paralajmëron arrestime të reja nga Specialja, tregon cilat vizita duhet të hetohen

Politika

Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt paralajmëron arrestime të reja nga Specialja, tregon cilat vizita duhet të hetohen

Nga: P. Rudi Më: 15 shtator 2023 Në ora: 07:50
Foto ilustrim

Zhvillimet e fundit që ka ndërmarrë Gjykata Speciale në Kosovë, ku dy ish deputetëve të PDK-së, Rrustem Mustafës dhe Nait Hasanit iu konfiskuan telefonat, po shihen si shenjë paralajmërimi se do të ketë arrestime të reja nga Specialja.

Së paku kështu po paralajmëron Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

“Sipas pyetjes suaj e cila është bazuar në informacione të sakta, Gjykata Speciale po vepron paralel edhe në terren për të siguruar informacione dhe dëshmi të reja, të cilat mund të kenë lidhje me aktakuzën në tërësi. Arrestimi i Remit dhe konfiskimi i telefonit të tij, si dhe konfiskimi i telefonit të Nait Hasanit, janë dëshmi që vërtetojnë këtë veprim të Gjykatës Speciale. Këto veprime të Gjykatës Speciale janë edhe një sinjal që paralajmërojnë edhe arrestime tjera”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.

Image
Saim Tahiraj

Sipas tij, arrestimet e reja nga Gjykata Speciale mund të përfshijnë rajone të ndryshme të Kosovës.

“Të gjitha zhvillimet në Gjykatën Speciale, me shumë dëshmitarë, shumica shqiptarë të cilët përmendin edhe emra të rinj, qojnë drejt konstatimit të mundshëm se do ketë edhe arrestime të reja. Këto arrestime mund të përfshijnë pjesën dërmuese të rajoneve të Kosovës dhe jashtë saj, sepse vrasjet politike të paraluftës, të luftës dhe pasluftës ndodhën në shumë rajone. E tërë lufta e palës mbrojtëse është përqendruar te përgjegjësia e sistemit komandues, që nga i ashtuquajturi Shtabi kryesor i UÇK-së, të cilin po përpiqen ta shfajësojnë”, shton Tahiraj.

“Ata po përpiqen ta dëshmojnë se nuk ka pasur sistem vertikal të mirëfilltë komandimi dhe SHPUÇK-së ta lirojnë nga përgjegjësia e veprimeve të shtabeve rajonale apo duke i paraqitur si veprime individuale. Zhvillimet e ardhshme në Gjykatën Speciale, me dëshmitarë të tjerë, si të palës mbrojtëse dhe të prokurorisë, me arrestime tjera, me fakte dhe dëshmi tjera do e paraqesin epilogun drejt përfundimit”, thekson Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Më tej, Tahiraj thotë se Gjykata Specialë është shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“A do dëshmohet fajësia e SHPUÇK-së si hierarkia më e lartë komanduese, apo do të dëshmohet se kjo fajësi do bartet te komandantët e zonave dhe shtabet e tyre, mbetet të dëshmohet nga Gjykata Speciale. Vrasjet politike kanë ndodhur, ato duhet të zbulohen se kush urdhëroi dhe kush i ekzekutoi këto krime makabre, sepse pa zbulimin e tyre nuk ka liri të plotë në Kosovë”.

Siç thotë Tahiraj, krahas zhvillimeve në Gjykatën Speciale, në Kosovë po ndodhin veprime të çuditshme të cilat ngritin edhe shumë enigma tjera.

“E para pse duhet shteti i varfër i Kosovës të ndajë nga buxheti shuma marramendëse për mbrojtjen e tyre, ku në buxhetin e Kosovës kontribuojnë edhe familjarët e viktimave? Pse nuk pritet deri sa të vërtetohet fajësia apo pafajësia e tyre? Nëse vërtetohet pafajësia e tyre, atëherë të kompenzohen dëmet që u ka sjellë kjo Gjykatë. Po supozojmë se mund të shpallen fajtorë, atëherë po i bie se shteti ynë po mbron krimin. E dyta, shumë vizita të çuditshme ndodhën në Hagë: Vizita e ish presidentëve të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përjashtuar Presidentin Sejdiu dhe Presidenten Jahjaga të cilët vepruan drejt dhe duhet vlerësuar lartë veprimin e tyre. Vizita e krerëve të disa feve në Kosovë. E treta dhe më e çuditshmja është vizita e Isa Mustafës, Lutfi Hazirit dhe disa të tjerëve nga LDK”, nënvizon Tahiraj.

Për fund, Tahiraj deklaron se të gjitha këto vizita dhe disa të tjera janë enigmatike dhe duhet studiuar dhe hetuar veç e veç.

“Secila ka arsyen dhe qëllimin e vet, që është mirë ta dijë opinioni shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Ta lëmë të qetë Gjykatën Speciale dhe mos të bëjmë presione të ndryshme mbi të. Drejtësia duhet të vihet në vendin e vet, sado e dhimbshme të jetë për dikë. Populli i Kosovës po kërkon vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër, të presim qetë deri sa ajo të vendoset”, përfundon Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat