Vrasja e Liridonës, kërkohet burg i përjetshëm për Naim Murselin e dy të tjerët – juristët flasin edhe rreth dënimit me vdekje! 

Politika

Vrasja e Liridonës, kërkohet burg i përjetshëm për Naim Murselin e dy të tjerët – juristët flasin edhe rreth dënimit me vdekje! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 dhjetor 2023 Në ora: 18:58
Liridona Ademaj

Së fundi, Kosova u trondit nga vrasja makrabre e Liridona Ademajt. 

Ajo u vra në pabesi në mënyrë mizore, me urdhër të bashkëshortit të saj, Naim Murseli. 

Tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj Murseli gjatë natës së 29 nëntorit në fshatin Bernicë të Prishtinës, Naim Murselit (bashkëshorti), Granit Plavës si dhe Kushtrim Kokallës të dielën Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. 

Kjo ngjarje shokoi të gjithë shoqërinë tonë dhe jo vetëm. 

Për këtë vrasje tronditëse po kërkohen dënime maksimale për të përfshirët në këtë rast. Madje, disa kanë përmendur edhe rikthimin e dënimit me vdekje, si masë parandaluese për kriminelët që vendosin të marrinë jetët e të tjerëve. 

Burjani: Jo, nuk duhet të ketë dënim me vdekje! 

Image
Blerim Burjani

E për këtë çështje foli edhe juristi Blerim Burjani. 

Së pari, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kundërshtoi dënimin me vdekje. 

Sipas tij, ky dënim është në kundërshtim me legjislacionin e BE, e që burgimi i përjetshëm do mjaftonte. 

“Jo nuk duhet të ketë dënim me vdekje, pasi është në kundërshtim me legjislacionin evropian, dhe Kosova duhet ta ndjekë rrugën evropiane të zhvillimit. 

Natyrisht se edhe në BE ka pas shumë krime të rënda të shkaktuar nga shumë individë, por historia kriminale nuk ndalet, dhe kjo është studiuar gjatë në historinë njerëzore, burgimi i përhershëm është dënim efektiv për rastet që ndodhin”, deklaroi Blerim Burjani për “Bota sot”. 

Kelmendi: Dënimi me burg të përjetshëm është mase adekuate e ndëshkimit për veprat e rënda penale 

Image
Muhamet Kelmendi

Edhe juristi tjetër, Muhamet Kelmendi e kundërshtoi dënimin me vdekje. 

Ai në një prononcim për “Bota sot” fillimisht foli për historikun e dënimit me vdekje, derisa përmendi vlerën e njeriut gjatë disa etapave të historisë. 

“Dënimi është mjet që ka karakter të përgjegjësisë dhe natyrisht se ka edhe qëllim të resocializimit. 

Vdekja si dënim ka qenë gjatë historisë shumë i rëndë dhe shumë i shpeshtë. Është aplikuar shumë. Dënimi me vdekje ka qenë masë kryesore, që është aplikuar në forma e në mënyra të ndryshme vdekjeprurëse. 

Shoqëria ka kaluar nëpër etapa shumë të rënda dhe ku vlera e njeriut ka qenë tamam si e gjësendeve. Shumë gjatë njeriu është konsideruar mall për pronarin. 

Ai ka qenë subjekti që ka vendosur për jetën dhe për vdekjen. Është shitur, dhuruar dhe dhënë me qera, çdoherë sipas vullnetit të pronarit. Pronari ka vendosur për jetën dhe për vdekjen. Etapa të tilla kanë zgjatur me dhjetëra shekuj”, u shpreh juristi. 

E për këtë, Kelmendi tha se edhe shqiptarët janë diskriminua në vazhdimësi në të kaluarën, dhe për shkak të dënimit me vdekje, ata për vepra të karakterit çlirimtar janë vrarë mizorisht. 

Në këto zhvillime, shqiptarët kanë qenë shumë të diskriminuar. U vranë dhe u theren në sundimin otoman dhe në atë serbo-maqedono-malazez. 

Për një vepër të karakterit çlirimtar, u cilësuan nga otomanët dhe pushtuesit sllavë, në vepër penale të karakterit terrorist dhe u dënuan me vdekje dhe u vranë mizorisht. 

Ky dënim u largua me çlirimin e vendit. Tash nuk e kemi dënimin me vdekje në Kosovë. Kjo është rezultat i shoqërisë humane, të cilën e ndjekë BE dhe shumë shtete demokratike. Këtë e kemi edhe në Kosovë”, theksoi ai. 

Bazuar në këtë, juristi tha se ka dy mendime pro dhe kundër dënimit me vdekje, derisa sqaroi këndvështrimet e tyre, konsideroi se dënimi me burg të përjetshëm është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për dënim me vdekje. 

“Mendohet se dënimi me vdekje është antinjerëzor. Natyrisht se ka mendime për dhe kundër dënimit me vdekje. 

Parimisht, mendohet se dënimi me vdekje ndikon në frikësim të dorasëve. Të tjerët thonë se ky dënim vetëm e rritë dhe e bënë më të rëndë krimin dhe vrasjet. 

Sidoqoftë, nuk duhet të shkohet nga dënimi me vdekje. Është masë mjaftë adekuate dënimi me burg të përjetshëm, sepse me këtë rritet ndëshkimi dhe njeriu më mirë e kupton veprën e tillë penale”, shpejgoi Kelmendi. 

Në fund, shtoi se në vrasjen e Liridona Murselit, të gjithë të përfshirët në këtë akt mizor duhet të dënohen me burg të përjetshëm. 

“Vrasja ndikon aty për aty. Nuk ka mundësi të ndëshkimit dhe të përgjegjësisë graduale. Dënimi me burg të përjetshëm është shumë adekuat dhe i dënuari e ndjen për çdo ditë peshën e krimit. 

Rastet si vrasja kriminale e Liridona Murselit, kërkon përgjegjësi me dënim me burg të përjetshëm të vrasësve dhe të kujtdo që ka marrë pjesë në krim. 

Dënimi me burg të përjetshëm është masë adekuate e ndëshkimit të autorit apo autorëve të veprës kriminale. I takon gjykatës të vendos”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat