Numri i vogël i votuesve shqiptarë në zgjedhjet e Serbisë/ Analistët zbardhin prapaskenat - kjo është thirrja urgjente!

Politika

Numri i vogël i votuesve shqiptarë në zgjedhjet e Serbisë/ Analistët zbardhin prapaskenat - kjo është thirrja urgjente!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 dhjetor 2023 Në ora: 16:59
Shaip Kamberi

Vuçiqi i shpalli zgjedhjet e parakohshme muajin e kaluar, dy vjet pasi u zgjodh parlamenti i fundit. Partia e tij pritet të marrë një mandat tjetër katërvjeçar, por mund të përballet me vështirësi në zgjedhjet lokale.

Serbët votuan sot (17.12.) në zgjedhje të parakohshme legjislative dhe lokale, që mund të përcaktojnë të ardhmen e vendit nën presidentin Aleksandar Vuqiç.

Këto zgjedhje vijnë në fund të një viti të turbullt për Serbinë, me tensione të brendshme pas shkëmbimeve masive të zjarrit të njëpasnjëshme në Serbi, që morën jetën e 18 personave.

E të drejtë zgjedhje kanë edhe shqiptarët e Luginës se Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Mirëpo, numri i votuesve ka qenë i vogël, gjë që ka sjellë reagime të mëdha në opinonin publik.

Në fshatin Tërnavë të Preshevës ka votuar kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Bartësi i listës “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, deklaroi se numër i vogël i qytetarëve kanë votuar për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Ai tha se kjo ndodhë për shkak të përçarjes së shqiptarëve dhe garimit në dy lista të ndara.

Pas votimit, Arifi shtoi se bojkoti nga qytetarët është faturë ndaj lidershipit shqiptarë.

Sipas tij, ka ardhur fundi i politikave egocentrike në Luginë të Preshevës.

Mirëpo, se çfarë ka ndikuar në numrin e vogël të votuesve, flasin analistët për “Bota sot”.

Ahmeti: Mobilizmi i shqiptarëve do të ishte shumë më masiv nëse do të kishte unifikim të partive shqiptare

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë që për shkak të përqarjes së tyre politike, mund ta humbasin përfaqësimin në institucionin më të lartë.

“Mobilizmi i shqiptarëve do të ishte shumë më masiv nëse do të kishte unifikim të partive shqiptare. Shqiptarët mund rrezikohen ta humbin përfaqësimin në institucionin më të lartë, si shkak i përçarjes në mes vete”, u shpreh ai.

Analisti më tej thekson që shqiptarët duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se në raste të tilla duhet të bëhen një, inatet e interesat personale e partiake duhet lënë anash.

“Logjjka e përqarjes nuk krijon mobilizim, por e humb mundësinë për një qëllim të rëndësishëm për shqiptarët atje. Shqiptarët duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se në raste të tilla duhet të bëhen një, inatet e interesat personale e partiake duhet lënë anash.Kjo logjjke e veprimit në raste të tilla do të ishte një vepër kombëtare, patriotike, por edhe historike”, tha Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Historikisht në kuadër të organizimit politik të shqiptarëve, ka mbretëruar mungesë e theksuar e gatishmërisë për unitet politik

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, kritikon këtë situatë.

Pasi sipas tij, një unitet në këto raste do të ishte e domosdoshme dhe se këto inate politike kanë lënë shqiptarët mbrapa.

“Zhvillimet politike, rreth aktivitetit dhe pjesëmarrjës në procesin zgjedhor në Serbi, përkatësisht shqiptarëve në Kosovën lindore, janë edhe një dëshmi e fortë e mjerimit në të cilin gjendemi si komb. Pothuaj se historikisht në kuadër të organizimit politik të shqiptarëve, ka mbretëruar mungesë e theksuar e gatishmërisë për unitet politik rreth proceseve politike. Si pasojë, në vend të sukseseve kombëtare, kemi vazhduar me qenë mbrapa proceseve dhe si të tillë na ka ndëshkuar vetë historia. Shqiptarët, edhe përkundër faktit që janë me ekzistencë të rrezikuar nga aparatura shtetërore serbe, e cila me zell të jashtëzakonshëm ç' aktivizon adresat e shqiptarëve, duke realizuar spastrim etnik në regjion. Shqiptarët, në vend që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të luftojnë për ekzistencën e tyre, kanë vendosur të kenë prioritete të tjera”, shpjegon analisti.

Në fund, ai thotë që është për keqardhje numri i vogël i votuesve sot.

“Për një pjesë goxha të madhe, interesi kombëtarë tashmë nuk është zgjidhje e parë, pasi që kanë rënë preh e ekstremizmave dhe agjenturave antishqiptare. Për të ashtuquajturën elitë politike, edhe ashtu në radhë të parë është lufta e pa kompromis brenga llojit duke koketuar për benefite të ndryshme. Thjeshtë një grusht njerëz të rrezikuar, të cilët në vend që të mobilizohen të bashkuar, ndajnë rrugët duke orientuar luftën konkurruese brenda llojit e jo aty ku duhet. Thjeshtë për keqardhje”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat