Veprimet ekstremiste fetare të ditëve të fundit/ Tahiraj: Kjo është arsyeja pse e themeluam “Nismën e Deçanit”

Politika

Veprimet ekstremiste fetare të ditëve të fundit/ Tahiraj: Kjo është arsyeja pse e themeluam “Nismën e Deçanit”

Nga: M.Lakna Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 17:59
Foto nga tubimi në Deçan

Ish bashkëluftëtari i komandant Sali Çekajt dhe njëri nga themeluesit e "Nismës së Deçanit", Saim Tahiraj e konsideron si mjaft shqetësuese frymën ekstremiste që u shfaq ditëve të fundit, ku u dodh bredhi i vitit të ri në Han të Elezit dhe u fye figura e gazetarit Arton Turkaj që ndërroi jetë ditë më parë.

Në një prononcim për gazetën "Bota sot" Tahiraj ka thënë se djegia e Bredhit në Han të Elezit dhe komentet fyese për gazetarin Artan Turkaj, janë vazhdimësi e veprimeve ekstremiste të Islamit politik në Kosovë i cili nuk zgjedh mjete edhe pas vdekjes.

"Për një shoqëri normale ku funksionon ligji, kjo përbën llojin e skandalit më të rëndë dhe duhej të ishte urgjencë për marrje masash, për të cilat dikur familjarët dhe të drejtat zakonore nuk kanë heshtur. Kjo ideologji e shëmtuar që po vepron nën petkun e Islamit politik ekstremist kaq hapur, është rezultat i ligjëratave amorale dhe destruktive të shumë imamëve nëpër xhamit e Kosovës dhe jashtë saj", ka thënë Tahiraj për "Bota sot".

Image
Saim Tahiraj

Pikërisht për shkak të këtyre veprimeve të ekstremit islamik dhe tepër të shfrenuar në Kosovë, sipas Saim Tahirajt lindi edhe "Nisma e Deçanit".

"Kjo nismë ishte një kambanë e fuqishme ndërgjegjeje, por tepër e vonuar, për të zgjuar popullin nga kjo agoni, në të cilin e ka katandisur propaganda e këtij islami radikal. Pushteti në Kosovë dhe organet kompetente, bartin përgjegjësinë kryesore për mos veprim adekuat kundër këtij fenomeni të rrezikshëm për shtetin dhe identitetin tonë kombëtar. Partitë politike janë strukur dhe po heshtin për të ruajtur një grusht vota nga ky xhemat ekstremist radikal. Kjo logjikë, si strehë e tyre, është kapitullim, është tradhtia më e madhe që i bëhet elektoratit dhe atdheut", shpjegon ai.

Tahiraj po ashtu potencon se arsimi, në të gjitha nivelet ka rënë nën ndikimin e kësaj ideologjie, shumë të dëmshme për identitetin tonë kombëtar.

"Athua a mos jemi dorëzuar si shoqëri përballë këtij fenomeni kaq të rrezikshëm për vet ekzistencën tonë si kombi më i vjetër në Evropë? Nisma e Deçanit ishte një shkëndijë që ndezi alarmin për këtë rrezik dhe mobilizoi atdhetarët shqiptarë kudo që janë. Kjo nismë po zgjerohet dhe kërkon mbështetje morale dhe përkrahje nga të gjitha shtresat e shoqërisë si e vetmja alternativë dhe shpresë për shpëtim. Andaj bashkohuni ta shpëtojmë qenien tonë si popull me një kulturë dhe traditë të vjetër që e kishim dhe ende kemi shpresë. T'i bashkërendisim idetë tashmë vepruese dhe kulturën tonë me Evropën dhe të mbesim aty, pashmangshëm në Evropë", përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat