“Kosova bëri hapa para”/ Zeqiraj zbulon ‘mashtrimet’ e dikurshme nga tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri

Politika

“Kosova bëri hapa para”/ Zeqiraj zbulon ‘mashtrimet’ e dikurshme nga tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri

Nga: H.O. Më: 3 janar 2024 Në ora: 21:46
Qeveria e Kosovës

Një vlerësim për vitin 2013 në zhvillimin ekonomik për Kosovën, e ka dhënë për ‘Bota sot’, publicisti dhe veprimtari Idriz Zeqiraj. Ai thotë se sipas vlerësimit të tij, ky vit që shkoi lë për të dëshiruar, pasi munguan investimet që mund të zvogëlonin papunësinë.

“Në përmbylljen e një motmoti, zakonisht bëhet bilanci, llogaria, qoftë ajo familjare, ashtu edhe zyrtare, shtetërore. Ndërrimi i moteve, më së shumti i gëzon fëmijët, për rritjen e tyre dhe rininë, që projektojnë të afërmen dhe të ardhmen në perspektivë. Ndërsa të moshuarit, përfshirë nga ata që kanë kaluar të 60-at e sipër, me shqetësim numërojnë vitet, që rrokullisën me ritmin e një orteku bore. Ngushëllimi i tyre reduktohet në rritjen, shkollimin dhe punësimin e fëmijëve, respektivisht, të nipërve, mbesave... Ndonëse jemi të thirrur për ta vlerësuar vitin kalendarik 2023, për Kosovën, përgjigja në sintezës, nuk është për "marshallah". Ekonomistët, në shumësinë e tyre, konstatojnë se munguan investimet në veprat zhvillimore kapitale, të cilat do ta zbusnin papunësinë dhe migrimin e rinisë në Evropë dhe botë”, vlerëson Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai thotë tutje se, qeveritë paraprake rrënuan gjithçka, "i bënë rrush e kumbulla" pasuritë e trashëguara, me tenderime e privatizime zhvatëse e kriminale. Por, si mbulesë, në mbyllje të mandateve qeverisëse të papërfunduara, betononin ndonjë autostradë apo rrugë rajonale e lokale. Ndërkohë, viti 2023 kaloi pa asnjë vepër kapitale! Edhe pse ishte bërë fizibiliteti për ndërtimin e autostradës të Dukagjinit, qeveria aktuale e la jashtë projekteve brenda mandatit të saj.

“Ndërtimi i kësaj autorruge ishte arsyetuar bindshëm, sepse ajo përshkon 5 (pesë) komuna, me popullësi numerike, në çdo 15-20 km., pason një qytet. Është skajshëm alogjike që në rrugëtimin për Prizren, Tiranë, duhet udhëtuar në drejtimin e kundërtë deri në Drenicë! Llogarisni shpenzimet në kohë dhe xhep, nga kjo lakore absurde! Rruga nga Tirana në Vërmicë, përshkohet për 1(një) orë, kurse nga Vërmica në Pejë, Istog, për 2 (dy) orë! Qeveria aktuale, si për inat, me një cinizëm sa befasues, aq edhe irritues, bujshëm e përdhunshëm, proklamon fillimin e afërm të rrugës Prizren-Tetovë, duke e anashkaluar injorueshëm prioritetin e natyrshëm, ndërtimin e autostradës të Dukagjinit”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë poashtu se, fakt është se qeveritë paraprake, menaxhuese kriminale të buxhetit shtetëror, me abuzime penalizuese të shpronësimeve, i filluan dhe nuk i mbaruan rrugët dhe autostradat Prishtinë: Gjilan, Podujevë, Mitrovicë, Pejë, të cilat, edhe pse me vonesë, disa syrësh janë në ndërtim e sipër.

"Çështja e shpornësimeve, e përcaktuar me Kushtetutë, për nevoja publike, shtetërore, mbi bazën vlerësuese të vlerës aktuale të tokave, nuk mund dhe nuk guxon të abuzohet e pengohet me arsyetimin klishe, se "prona private është e shenjtë". Shtetit duhet t`i vjen era shtet dhe nuk duhet të tolerojë "trimëritë" rrugaçërore të individëve apo të grup individësh privatë, të cilët duke abuzuar me demokracinë e "shenjtërinë", pengojnë ndërtimin e rrugëve, duke synuar të realizojnë pazarët e pista në shpronësime, me shuma jashtë çdo norme e kriteri. Interesi i përgjithshëm publik e shtetëror, tejkalon këtë "shenjtëri" abuzive. Kjo dëshmohet me gjakun e derdhur ndër mote, dekada e shekuj të brezave shqiptarë, jo në mbrojtje të parcelave private, por në mbrojtje të shenjtërisë të territorit shtetëror. Shembull: Në komunën e Istogut, pikërisht, në fshatin Cërcë, shteti kishte planifikuar buxhetin, për ta diciplinuar një përrua zullumqar, në raste të reshurave sasiore, sillte nga bjeshka gurë e rërë, duke vërshuar e dëmtuar rrugët dhe tokat e fshatit. Një plak i handakosur i lagjës, ku kalonte përroi, që kishte nevojë për zgjërim simbolik, reagoi me fyerje e mujshi ndaj shtetarit të caktuar për bisedime me komunitetin kufitar të kanalit, i cili kishte dy funksione - njëherësh: Diciplinimin e përroit dhe kullimin e tokave të ujëshme, deri në derdhjen në Lumin e Istogut. Shteti nuk i "shtrëngoi dhëmbët", përkundër "lëshoi pe" ndaj kundërshtisë private. Dhe, komuniteti vazhdon ta vuajë egërsinë e përroit dhe kullimin e arave e bëjnë stërmundimshëm, çdo vit me mjete rrethanore. Sot fshatarët ngushëllohen me anatemimin e plakut, të ikur mallkueshëm, kësaj bote”, thekson ai.

Megjithatë, publicist Zeqiraj thotë se në rrafshin politik, përgjatë vitit 2023, Kosova ka bërë disa hapa para.

Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, është përballur me "bagëlimet" e qeverive të shkuara. Qysh në vitin 2010, tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri, në konspirim të plotë, mashtruan shqiptarët se, kinse, "po bëjmë vetëm dialog teknik me Serbinë!" Realisht, ata bënin bisedime politike, si rrjedhojë e shantazhimit të kryeministrit Thaçi, me dosjet faktike të krimeve të luftës dhe të pasluftës, vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Dhe, këto nuk janë trillime politike, por krime faktike, të dosuara nga Serbia dhe ndërkombëtarët e pranishëm, zyrtarisht kudo në Kosovë. "Zajednica" e nënshkruar, nga Hashimi dhe Isa, më 2013, dhe "pronat" prej 27 hektarësh park, të dhuruara Manastirit të Deçanit, me porosinë imponuese të Hashim Thaçit, për nuset drejtuese të Gjykatës Kushtetuese, në këmbim të lirisë personale të tij, janë pikërisht këto dy çështje të cilat e kanë pykuar dhe e mbajnë peng Kosovën sot:

1) Kadastrimi në pronësi të Manastirit të Deçanit i 27 hektarëve tokë, që devijon, karastrofisht dhe turpërisht, rrugën ndërshtetërore: Deçan-Plavë-Guci-Mbishkodër-Hani i Hotit-Velipojë-Ulqin... Presidenti Vuçiq e tregon një letër, me vizatimin e rrugës së devijuar, prapa 27 hektarëve, larg Manastirit, të bërë dhe të propozuar nga dora e vet- Hashim Thaçi. Këtë dëshmi të Vuçiqit, Hashimi nuk e ka demantuar kurrë!

2) "Zajednica", Asociacioni për komunat me shumicë serbe të Kosovës, që e parathotë mosfunksionimin normal, madje, përjetsisht, të shtetit të Kosovës, në tërësinë e tij”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se, ‘problemin madhor e jetik për Kosovën, e tragjizon edhe më shumë BE-ja dhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe aleatin tonë - SHBA, vendimtar për lirinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, ngulmojnë, çuditshëm e paradoksalisht, pikërisht, realizimin e këtyre dy kërkesave të Serbisë, edhe pse dihet qëllimi i saj final, ndarjen e Kosovës, vazhdimin e gëllabërimit të tokave shqiptare, të filluara që nga Lidhja e Prizrenit, respektivisht, Kongresi i Berlinit, më 1878; Konferenca e Londrës 1913, Versaja e deri ke "rregullimet administrative" të Jugosllavisë komuniste’.

“Lëvizja Vetëvendosje, atëbotë, në opozitë, reagoi me vrazhdësi dhe egërsi, kundra pozitës PAN dhe patericës së tij, LDK-së, përkatësisht, klanit uzurpator të partisë së Rugovës, të kryesuar dhunshëm, nga Isa Mustafa, rrast i shantazhuar nga SHIK-u i Hashimit dhe Kadriut me shokë. E gjithë kundërshtia, forcërisht e bërë, ishte e motivuar dhe e përligjur, sepse mbronte integritetin tokësor, mbronte shtetin e Kosovës. Tymosja, qoftë edhe kallja e Parlamentit apo shenjëstrimi i godins me zollë, asgjë nuk janë, sikur brenda tij të fundonin vetëm përkrahësit fanatikë të Hashimit dhe të Isës, në raport me dëmin, tradhtinë e madhe të bërë ndaj Atdheut- Kosovë”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat