Veprimtari nga Gjermania: Kurti pranoi marrëveshjen, duke lënë të hapur mundësinë e korrigjimeve

Politika

Veprimtari nga Gjermania: Kurti pranoi marrëveshjen, duke lënë të hapur mundësinë e korrigjimeve

Nga: H.O. Më: 6 janar 2024 Në ora: 22:33
Albin Kurti

Në fund të vitit 2023 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i gatshëm për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë në Bruksel. Ndërsa kjo e fundit, nuk shprehi gatishmëri.

Njohësi i ҫështjeve politike dhe veprimtari Idriz Zeqiraj, thotë se viti 2023 ka lëvizur shumëçka në drejtim të një marrëveshje të mundshme.

“Kryeministri Albin Kurti, me VV-në e tij, ka kundërshtuar me kohë pazaret e pista të qeverive paraprake halabake. Ai vazhdon të rezistojë edhe sot. Andaj, Vuçiq e Bernabiq nuk e preferojnë si partner në bisedime. Përkundër, i kërkojnë ata që kanë nënshkruar marrëveshjet. Pala kosovare ka pranuar një draft-statut të BE-së, duke lënë të hapur mundësinë e korrigjimeve, pa cënuar kushtetutshmërinë. Zoti Kurti shpreson në vlerësimin korrekt të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në vitin 2016, kjo Gjykatë bëri krimin e madh, me imponimin e Hashim Thaçi, aprovuan dhënien e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Tani, rrethana ndryshon, Hashimi mungon”, vlerëson ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj thekson më tutje se, pala serbe nuk ka pranuar nënshkrimin dhe gojarisht ka përsëritur se nuk do ta njohë Kosovën shtet. Dhe, pa këtë njohje reciproke, nuk ka as marrëveshje.

“Paradoksalisht, Kosova është nën saksione! Pavarësisht refuzimit të palës serbe, për të filluar nga zbatimi radhazi të pikave të sipas renditjes në marrëveshje, ndërkombëtarët, "nuk hanë arsye" dhe ngulmojnë që Kosova ta jetësojë Asociacionin domosdo dhe menjëherë. Dhe, njëherësh, ta bëjë edhe kadastrimin e hektarëve të pretenduar, në llogari të Manastirit të Deçanit! "Luaje macë, kryet e buallit!", thekson ai.

"Pushka top"- se kjo nuk kapërdihet, sepse është padrejtësi dhe mujëshi çmendurake e BE-së dhe e ndërkombëtarëve, që i bëjnë "aminin" asaj, si ndërmjetësuese e parë në dialogun Kosovë-Serbi, me një  njëanshmëri proverbiale, gjithnjë në favor të agresorit të djeshëm dhe të sotëm, Serbisë”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thekson më tutje se, pa trysninë ndërkombëtare, sidomos të SHBA, Serbia nuk bashkëpunon në drejtim të normalizimit fqinjësor, si dy shtete të barabarta.

“Ajo në vijimësi përsëritë slloganin bajat se "nuk e njohim kurrë Kosovën". Asnjë presion serioz nuk është ushtruar ndaj Serbisë agresore, as nga BE-ja dhe as nga SHBA. Kritika, sa të pamatura, aq edhe të padrejta, janë bërë ndaj Kosovës, deri në sanksionimin absurd, për të mos thënë të turpshëm! Pas agresionit të Serbisë, më 24 shtator 2023, vrasjes të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, shkelje e sovranitetit të Kosovës, e gjithë bota priste ndëshkimin e Serbisë persekutore. Por, për çudë, ndodhi e kundërta, i ndëshkua, arbitrarisht, Kosova viktimë”, thekson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat