“Përgjigje e fortë dhe e qartë - Pikë!”, eksperti në Uashington: Ja çka do të thotë armatimi i Kosovës nga SHBA me “Javelin-ët”

Politika

“Përgjigje e fortë dhe e qartë - Pikë!”, eksperti në Uashington: Ja çka do të thotë armatimi i Kosovës nga SHBA me “Javelin-ët”

Nga: A.Zh Më: 19 janar 2024 Në ora: 09:26
Raketat anti-tank “Javelin”

Eksperti i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, ka thënë se armatosja e Kosovës me raketat anti-tank “Javelin”, nuk duhet ta shqetësojë askënd.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka analizuar se Kosova nuk ka qëllime grabitçare ndaj asnjë vendi tjetër, por se kjo është nevojë për fuqizim dhe modernizim të aftësisive të saj ushtarake.

“Kërkesa e Kosovës është në harmoni të plotë me nevojën për shtim, fuqizim, dhe modernizim të aftësive mbrojtëse të ushtrisë së saj. Kosova nuk ka asnjë ambicie grabitçare ndaj ndonjë vendi tjetër, prandaj ky armatim për arsye mbrojtëse nuk duhet të shqetësojë askënd, nëse ata nuk kanë qëllime grabitçare ndaj Kosovës”, ka deklaruar Shtuni.

Image
Adrian Shtuni

Lajmin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, fillimisht e bëri të ditur ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kryeqytetin serb, më 11 janar.

Ndërsa në komunikatën e lëshuar më vonë nga Departamenti amerikan i Shtetit, u konfirmua se administrata amerikane, ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave “Javelin” dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, të cilat Kosovës do t’i kushtojnë 75 milionë dollarë.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shitja e këtyre armëve, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, u tha nga DASH-i.

E eksperti i sigurisë Adrian Shtuni, vlerëson dy gjëra nga deklarata e lëshuar nga DASH-i.

“Sa i përket miratimit nga DASH, pas lajmërimit për miratim ka pasur një deklaratë për shtyp. Sipas leximit tim, deklarata thekson qartazi dy gjëra:

E para, përkushtimin e fortë dhe të qartë të SHBA për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, sidomos e rëndësishme kjo për t’u ritheksuar, duke pasur parasysh situatën e rënduar të sigurisë dhe shqetësimet e krijuara nga sulmi paramilitar i Banjskës.

E dyta, faktin se pajisja me këto armatime e Kosovës mbështet synimet e politikës së jashtme të SHBA dhe sigurinë kombëtare të saj, duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner evropian që përbën një forcë të rëndësishme për stabilitet në Evropë. Sa më sipër, ju deklarua edhe sy më sy Presidentit të Serbisë”, ka nënvizuar Shtuni për “Bota sot”.

I pyetur se çka do të thotë armatosja e Kosovës, në kohën e tensioneve të mëdha me Serbinë, ai ka vlerësuar se armatosja e Kosovës, është një përgjigjje e qartë e SHBA-së, ndaj atyre që kanë mëdyshje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Armatosja e Kosovës është në përgjigjje të nevojave themelore të vendit dhe në vazhdën e mbështetjes së fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Kosovës, si partnere e besueshme në Evropë, që Kosova të shtojë aftësitë për t’u përballur me sukses me gjithë rreziqet ndaj sigurisë së saj.

Kushdo, brenda apo jashtë Kosovës, që ka mëdyshje apo ka shprehur dyshime mbi përkushtimin e SHBA-së për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, besoj e ka marrë përgjigjjen fort dhe qartë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk debatohen dhe nuk do të lejohen të cenohen. Pikë”, ka thënë Adrian Shtuni.

Ai ka shtuar se “rëndësi tani ka që Kosova të ecë përpara për zbatimin e zotimeve që janë marrë përpara Bashkimit Evropian, SHBA, dhe aleatëve, sepse populli i Kosovës s'ka arsye të mbetet në vend numëro e as kohë për të humbur”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank “Javelin”, ka thënë se Kosova tani po hyn në një fazë të re dhe vendimtare për aftësitë mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më marrëdhëniet me ShBA-të.

Ajo ka shpreshur ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj kombit, të cilin ajo e quajti më “pro-amerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat