“Kryeministër historik”/ Haziri del kundër Talat Xhaferit: Kartë e BDI-së

Politika

“Kryeministër historik”/ Haziri del kundër Talat Xhaferit: Kartë e BDI-së

Nga: P.Rudi Më: 30 janar 2024 Në ora: 10:01
Talat Xhaferi

Me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Qeveria Xhaferi do të ketë mandat vetëm 100 ditë, dhe mandati kryesor do të jetë organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Edhe pse u quajt historike, analisti politik Nexhat Haziri nuk po e sheh si të tillë zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“E thash edhe dje në një status se është për habi që një popull i tërë , jo vetëm shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë dhe në Shqipëri, u ekzaltuan me një ngjarje që ka apo është teknikalitet apo simbolik, se sa që është një përmbajtje e cila do të bënte që të ndryshohet apo t'i japi një shtytje pozitës së shqiptarëve në këtë shtet. Zgjedhja e z. Talat Xhaferi si kryeministër i Maqedonisë së Veriut me mandat apo periudhë tre mujore deri pas zgjedhjeve atje, është si një i punësuar me kontratë mbi vepër”, shprehet Haziri.

“Dhe tani pyes se çfarë qenka historike zgjedhja e një shqiptari kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut për një periudhë tre mujore, e në anën tjetër nxënësit shqiptar akoma nuk e kanë filluar vitin e ri shkollor në disa vendbanime apo komuna atje si në Idrizovë, Cashkë, e mjedise të tjera për shkak se maqedonasit nuk pranojnë që të mësojnë në të njëjtën shkollë me shqiptarët”, shton Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se të gjitha postet që kanë mbajtur deri më tani shqiptarët në Maqedoni të Veriut, më shumë kanë qenë të karakterit dekorativ.

“Pra të gjitha postet që shqiptarët kanë udhëhequr në institucionet shtetërore në MV, kanë qenë dhe janë deri më tani vetëm dekor, se sa që kanë avancuar pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar në raport me maqedonët në se cilin aspekt të jetës në Maqedoninë veriore”, thekson Haziri.

Më tej, sipas Hazirit, në Maqedoni të Veriut nuk është përmbushur aspak marrëveshja e Ohrit sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione.

“Përfaqësimi i shqiptarëve me 25 % sipas marrëveshjes së Ohrit në institucione të politikës, sigurisë, kulturës dhe në sfera të tjera nuk është i përmbushur. Paramendoni një komunë e vogël që udhëhiqet nga maqedonët ka buxhet më të madh se sa Tetova”.

“Institucionet e sigurisë nuk ka përfaqësim fare të shqiptarëve siç janë njësitet speciale, skorpionët , luanët apo njësive të tjera speciale të policisë. Kjo shifër nuk është as në ushtrinë maqedonase, po ashtu as në institucionet e drejtësisë, në prokurori dhe gjykata, e në sfera të tjera shqiptarët janë të diskriminuar”, shpjegon Haziri.

Për fund, Haziri thotë së zgjedhja e Xhaferit si kryeministër është vetëm një kartë që BDI synon ta përdor në zgjedhjet nacionale.

“Prandaj nuk shohë asgjë historike me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër teknik në Maqedoninë e Veriut. Është vetëm një ngjarje ku BDI po e shndërron si kartë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 8 majit, për nevojat elektorale të saja”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat