Zeqiraj zbulon arsyen pse ndërkombëtarët nuk po e përkrahin Kosovën për dinarin dhe pse po e ‘përkëdhelin’ Serbinë

Politika

Zeqiraj zbulon arsyen pse ndërkombëtarët nuk po e përkrahin Kosovën për dinarin dhe pse po e ‘përkëdhelin’ Serbinë

Nga: H.O. Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 21:49
Ilustrim

Pse ndërkombëtarët nuk po e përkrahin Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për ҫështjen e dinarit, përgjigjen e ka dhënë publicisti dhe veprimtari, Idriz Zeqiraj.

Ai për “Bota sot”, thotë se, pyetja e përsëritur me tepri, pse ndërkombëtarët nuk po e përkrahin Kosovën dhe Albin Kurtin, për "problemin" e stisur të dinarit, përgjigja është dhënë, madje edhe përsëritur mjaftueshëm.

“Megjithatë, ndonëse falsifikimi, gënjeshtra shumëzohet në pafundësi, ne detyrohemi ta demantojmë e kundërshtojmë me fakte, se ndërkombëtarët me përkëdhelje dhe favore, madje, në vijimësi, të bëra Serbisë, ëndërrojnë ta shkëpusin nga Rusia, qoftë edhe me shpërblime në dëm të popullit, shtetit më të ri të botës, Kosovës”. Edhe pse një shkëputje si kjo, e kërkuar nga ndërkombëtarët, është në interes të popullit serbë dhe të paqes rajonale dhe të përbotshme, ëndrra nacionaliste pushtuese e Serbisë e pengon ta pranojë. Sepse në saje të vëllazërisë me Rusinë, ajo ka grabitur në tavolinë, në kancelaritë e Berllinit, të Londrës e Parisit, më shumë se gjysmën e territoreve të Shqipërisë Etnike”, vlerëson Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai përmend madje zyrtarë të ndryshmë, qoftë në Kosovë, Shqipëri e ndërkombëtarët që sipas tij, janë bashkuar në dëmtim të shtetit të Kosovës dhe për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti.

“Janë bashkuar, "si mishi me thojin, Serbia, Edvin Rama, me partinë e tij, bandë-enveriste; opozita e legene e bandite e Kosovës, sidomos, ajo e PAN-it; shumësia absolute e medieve qendrore e lokale; pjesa më e madhe e analistëve lakej të paguar, të ekstremit stalinist; ish-prokurorë e gjyqëtarë, të djeshëm dhe të sotëm, të cilët kanë shkatërruar, madje, me fund, sistemin e drejtësisë në Kosovë; akademikë, ish-ambasadorë e avoketër lëpiracakë; e gjithë këlyshëria numerike e Hashim Thaçit; dhe, së fundi, zyrtarët ndërkombëtarë, e me shumë e shumë keqardhje edhe disa nga ata amerikanë, janë koordinuar -an bloc-, jo vetëm për mos përkrahje të Kosovës dhe Kurtit, por, për dëmtim të shtetit të Kosovës dhe shkarkimin e kryeministrit Albin Kurtit”, thotë ai.

Zeqiraj citon edhe një deklaratë të një zyrtari amerikan, që sipas tij është e paprovokuar nga Kosova. Sipas tij, nëse Serbia ka partnere fisnore Rusinë, Kosova ka partnere besnike përtej një shekulli, Amerikën.

 "Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere", - thotë zyrtari i lartë amerikan - Jim O`Brian! Është kjo një deklaratë, fare e paprovokuar nga ana e Kosovës, si e tillë, e papritur dhe rrast shokuese për popullin e Kosovës dhe Shqiptarinë e përbotshme. Madje, është sa shantazhuese e kërcënuese, po aq edhe hiç diplomatike. Nëse Serbia ka partnere ideologjike e fisnore, gjak sllav, Rusinë, Kosova dhe shqiptarët kanë partnere besnike, të paktën, përtej një shekulli Amerikën. Periudhën 50-vjeçare, të sundimtarit fashist Enver Hoxha, i cili, veç krimeve të tjera numerike, i ka vrarë e lënë pa varr edhe 6.000 intelektual nacionalistë, kombëtarë, të shkolluar në Universitetet e Evropës dhe të botës. Hoxha kriminel ishte bisht i sllavizmit serbo-rus, me akuzat lehaqene kundër SHBA-së, politika amerikane kurrë nuk e ka identifikuar me popullin shqiptar. Dhe, për këtë bota shqiptare është përjetësisht mirënjohëse shtetarëve dhe popullit amerikan”, thekson Zeqiraj.

Ai në prononcimin e tij, thekson se Serbia i vajton edhe 7 komunat ilegale, paralele serbe, të cilat funksiononin nën sistemin e Serbisë.

“Këtij vajtimi i mbajnë "ison", si në këngët labe, edhe ndërkombëtarët dhe disa bastardë shqipfolës, hafije të Serbisë. Shteti i Kosovës, qeveria e saj, duhet të fillojë suprimimin, mbylljen e disa komunave-fshat të Kosovës, me shumicë serbe, të cilat, as për së afërmi, nuk i plotësojnë normat kushtetuese, me numrin e pakët të banorëve që e përbejnë "komunën" minore. Kosova duhet të stopojë, një herë e përgjithmonë të gjitha zyrat, të cilat bëjnë politikën e Serbisë, brenda shtetit të Kosovës si dhe të ndalojë të gjitha ndërhyrjet në institucionet arsimore dhe shëndetësore, në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, vlerëson ai.

Poashtu, veprimtari Zeqiraj thotë se ndërkombëtarët i konsiderojnë hapa të rëndësishëm të bërë nga Serbia heqjen e targave të paligjshme dhe dokumentet doganore, ndërkohë që ato kanë qenë domosdo e kohës.

“Dhe, tmerrësisht e çuditshme, në këmbim të këtyre i kërkohet bërja e "Zajednicës", edhe pse dihet qëllimi i kësaj kërkese identike me atë të krijimit të -Republika Srpska" të Dodikut në Bosnje e Hercegovinë! Për ta shtuar -zullumin-, ndërkombëtarët kërkojnë, madje, ngulmërisht, edhe aprovimin dhe zbatimin e vendimit të vitit 1997, të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, për dhurimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit!!! "Luaje macë kryet e buallit!" Kjo na kujton fabulën e mirënjohur "Ujku dhe qingji", i pari ishte lart rrjedhës së ujit, ndërsa i dyti poshtë kësaj rrjedhe. Dhe, megjithatë, paradoksalisht, ujku me mujëshinë e tij e akuzonte qingjin se "po ia turbullon ujin"!?”, përfundon Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat