“Situatë e brishtë në veri”, nga EULEX-i kërkohen detaje mbi analizën e hetimeve në Banjskë

Politika

“Situatë e brishtë në veri”, nga EULEX-i kërkohen detaje mbi analizën e hetimeve në Banjskë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 shkurt 2024 Në ora: 14:59
Foto nga Banjska

Pas sulmit të armatosur në Banjskë, çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet gjithnjë e më shpresh marrë shkas paralajmërimet e autoriteteve në Prishtinë për përsëritje të skenarit të dhunës.

Edhe pse si siguri kemi praninë e KFOR-it dhe EULEX-it, shqetësimet mbeten.

Për siguri në Kosovë, ka folur edhe shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje, Giovanni Pietro Barbano.

Ai ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, “por ende e brishtë”.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjatë muajit shtator, me sulmin e rëndë në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku”, tha ai në një intervistë.

Elezi: EULEX duhet që te jepte më shumë detaje rreth gjetjeve dhe analizës së veprimeve për rastin në Banjskë

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se pas sulmit në Basnjkë, realisht nga EULEX nuk kemi pasur thuajse një pozicionim solid sa i përket faktit se në Kosova mund të kemi një prishje të situatës.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elez

“Në fakt ne jemi mjaft të shqetësuar në lidhje me vonesën që ka pasur misioni i EULEX-it në lidhje me aktivitetin e 24 shtatorit, sulmit terrorist në Republikën e Kosovës.

Por, që në fund erdhi një reagim i shefit të misionit të EULEX-it, i cili tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë por e brishtë. Në realitet është një fakt publik të cilin në vazhdimësi e kemi deklaruar ne dhe po ashtu edhe shumë përfaqësues të vendeve të cilat janë të angazhuara seriozisht për të mbështet Kosovën në zbatimin e ligjit, organizimin e të gjitha strukturave që bëjnë pjesë në operacione të ndryshme për të garantu rendin dhe ligjin. Dhe, EULEX-in në këtë rast e pamë se ka as një pozicionim thuajse solid sa i përket faktit se në Kosovë mund të kemi një prishje të situatës dhe krejt kjo për shkak të pretendimit të Serbisë për territor të Kosovës, gjitashtu mbështetjes së Rusisë për Serbinë e cila dëshiron të organizojë aktivitete të dhunshme në Kosovë me qëllimin e vetëm, të defunksionojë forcat ndërkombëtare të sigurisë nga Rusia, nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës në Ballkan apo me një fjalë të paralajmëroj rrezikun për përshkallëzim të situatës së sigurisë në Evropë”, potencon ai.

Sipas tij, EULEX duhej të kishte dhënë më shumë detje për rastin në Banjskë, por edhe për mundësinë e përsëritjes së një skeme të njëjtë për eskalimin e situatës në veri të Kosovës.

“Ndoshta është e dobishme edhe pse e vonshme që EULEX ka konstatuar gjendjen e sigurisë por që duhej më shumë të filset për situatën e datës 24 shtator e cila ishte një sinjal edhe për vet forcat ndërkombëtare, andaj grupet terroriste nuk përbëjnë rrezik vetëm për policinë e Kosovës por edhe për trupat e EULEX-it.

Prandaj, mund të themi se në rastin konkret misioni i BE-së, EULEX duhet që te jepte më shumë detaje rreth gjetjeve dhe analizës së veprimeve që kanë ndodhur në atë rast si dhe mundësia që të përdoret një skemë e njëjtë për eskalimin e situatës në veri të Kosovës”, përfundon ai.

Haziri: Një tensionim i sërishëm i situatës atje do t'i shkonte në favor vetëm Serbisë, për të forcuar propagandën e saj

Image
Analisti Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri thekson se shqetësimet për eskalim të situatës në veri janë shumë reale dhe për këtë aleatët tanë po bëjnë thirrje për koordinim me qeverinë e Kosovës për hapa të matur.

“Është reale që gjendja në veri të vendit sa i përket sigurisë dhe jo vetëm është e brishtë edhe pse në dukje e qetë dhe normale, dhe mbi bazën e kësaj është deklaruar edhe shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje, EULEX, Giovanni Pietro Barbano. Po ashtu reale, janë edhe shqetësimet e z. Barbano për incidente të mundshme që do ta përkeqësonin situatën atje, dhe në këtë drejtim partnerët tanë po i kërkojnë qeverisë së Kosovës për hapa të matur dhe të koordinuar me ta kur është në pyetje pjesa veriore e vendit”, shprehet ai.

Sipas tij, përkeqësimin i situatës në veri do t’i shkonte në favor vetëm Serbisë, e cila do ta përforconte propagandën e saj rreth dëbimit të qytetarëve serbë të pjesës veriore nga Kosova.

Andaj, qeveria e Kosovës duhet të jetë më bashkëpunuese dhe më koordinuese me partnerët ndërkombëtarë që të evitohen incidentete e mundshme në veri.

“Një situatë e përkeqësuar eventualisht, nuk do t'i shkonte në favor Kosovës në këtë fazë në të cilën gjendet, kur kemi parasysh sanksionet e BE-së ndaj nesh, procesi i ngrirë i anëtarësimit të vendit në KiE dhe në këtë aspekt qeveria e Kosovës, do të duhet të jetë më bashkëpunuese dhe më koordinuese me partnerët ndërkombëtarë që situata në veri të vendit të jetë më e qëndrushme me një stabilitet politik dhe të sigurisë.

Një tensionim i sërishëm i situatës atje do të shkonte vetëm në favor të Serbisë, e cila do ta përdorte për ta përforcuar propogandën e saj ndaj Kosovës dhe gjoja përndjekjet e serbëve nga ana e institucioneve të Kosovës. Për fat të keq, kjo nuk po shihet se po ndodh në kohën e fundit, qeveria po merr veprime që po shkojnë në tensionim të situatës dhe jo në shtensionimin e saj, dhe kam përshtypjen se qeveria në plan të parë e ka vënë atë se si do të përfitoj elektoralisht partia në pushtet, se sa cili është interesi i Kosovës”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat