“Javët e ardhshme vendimtare”, publicisti nga Gjermania zbërthen mesazhet e Macron dhe O’Brien për Kosovën – ja si po “joshet” Vuçiqi!

Politika

“Javët e ardhshme vendimtare”, publicisti nga Gjermania zbërthen mesazhet e Macron dhe O’Brien për Kosovën – ja si po “joshet” Vuçiqi!

Nga: A.M. Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 17:00
Emmanuel Macron dhe Aleksanda Vuciq

Vendimi për ndalimin e dinarit është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara.

Si rrjedhojë ndërkombëtarët janë treguar shumë të ashpër me Kosovën pas këtij vendimi, ku edhe kanë shtuar përpjekjet për t’i sjellë Albin Kurtin dhe Aleskandar Vuçiqin në tavolinën e diskutimeve.

E në lidhje me këto çështje, në një prononcim për “Bota sot” u deklarua publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Fillimisht, ai tha se ashpërsia e reagimeve të ndërkombetarëve, përfshirë edhe sanksionet e tyre ndaj Kosovës është kërcënim i hapur brutal.

Krahas kësaj, përmendi edhe letrën e Macron-it dhe paralajmërimin e tij.

"Vënia e sanksioneve Kosovës, kur pritej ndëshkimi i Serbisë, pas sulmit banditesk në Banjskë të Zveçanit, për rrjedhojë vrasjen e rreshterit policor, Afrim Bunjakut, tashmë, hero i Kosovës, dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, ishte një goditje sa e papritur dhe shokuese, po aq edhe e padrejtë. Dhe, në vend të heqjes së masave ekonomike, politike dhe të tjera Kosovës, ndërkombëtarët: SHBA, QUINT-I dhe BE, i japin goditjen e radhës, duke reaguar, paradoksalisht, ndaj një të drejte tërësisht legjitime për Kosovën, si është ndalimi i hyrjes së "egër, dhe të përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Ashpërsia reaguese e ndërkombëtarëve, është dukshëm artificiale, me një prepotencë, mujëshi shantazhuese, deri në kërcënim të hapur e brutal.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shfrytëzoi telegramin urues për Pavarësinë e Kosovës, duke përcjellur mesazhin personal dhe të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare, drejtuar në adresë të Presidentes Vjosa Osmani. Dhe, përmes saj edhe Qeverisë dhe popullit të Kosovës. Në mes tjerash, Macron shkruan: "Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjeve Bruksel-Ohër, përfshirë dhe themelimin e Asociacionit".

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Gjithashtu, Zeqiraj potencoi se duke marrë parasysh zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në SHBA e BE, ndërkombëtarët me çdo kusht po synojnë ta zgjedhin “problemin” e Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, tha se dozën e presioneve e kanë shtuar ndaj Kosovës, derisa po “joshin” Vuçiqin.

“Vatrat e luftës në Ukrainë, konflikti aktual Izrael-Palestinë, brishtësia në Ballkanin Perëndimor: Bosnje, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore; zgjedhjet e pritshme në Amerikë e BE, ndërkombëtarët janë shumë të interesuar të heqin nga agjenda problemin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke neutralizuar edhe Serbinë, në orekset e saj ndërhyrëse tek fqinjët e përmendur.

Ndërkohë, ndërkombëtarët shtuan dozën e presionit, në mënyrën më të vrazhdët ndaj Kosovës, me qëllim të joshjes, afrimit të Vuçiqit dhe të Serbisë. Fillimisht, akuzuan për mos konsultim me partnerët për çështjen e përdorimit të dinarit, pastaj kërkuan shtyrjen e afatit deri në 3 apo 6 muaj. Por, ndryshe nga ambasadori amerikan Hovenier, zyrtari i lartë amerikan O`Brian, kërkoi "tërheqjen e vendimit për dinarin", pa dhënë asnjë afatizim!” – shpjegoi ai.

Në vazhdim, publicisti komentoi deklaratat e O’Brien ndaj dinarit, derisa tha se po ndikohet nga ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

“Ka një manipulim dhe huti rreth konsultimit. Zoti O`Brien e pranon konsultimin e qeverisë rreth dinarit, por nuk e aprovon heqjen nga përdorimi. Dhe, akuzon Qeverinë e Kosovës se, megjithatë, e zbatoi vendimin. Si duket Jim O`Brian është i ndikuar nga Chris Hill, ambasador në Serbi, i cili është shprehur hapur në favor të Serbisë, duke propozuar se çështja e dinarit të dialogohet në Bruksel”.

Më tej, komentoi edhe qasjen kritikuese të opozitës ndhe Edi Ramës ndaj qeverisë Kurti.

“Edhe pse BQK bëri korrigjimin e nevojshëm, pa tërheqjen e vendimit fillestar, por zgjati afatin e përdorimit për tre muaj, pa ndëshkim dhe lehtësira tjera konvertuese të dinarit gratis. Ndërsa opozita, respektivisht, kuadrot e dy partive-banda, PDK-AAK, të koalicionuara në PAN, vazhdojnë "lehjen në hënë", se, kinse, "Qeveria nuk ka konsultuar, paraprakisht, askënd nga partnerët tanë për ndalimin e dinarit!?

Takimi i sekretarit amerikan, Antony Blinken-Rama, në Tiranë, u shrytëzua për të dërguar një mesazh ndryshe. Nuk u përsërit klisheja që "Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve", por u veçua se "Kosova ta themelojë Asociacionin dhe t`i bëjë të gjitha detyrat e veta, njëanshëm", dhe këtë e tha dhe e përsëriti miku i Vuçiqit, Edvin Rama, madje, në prezencë të sekretarit Blinken!” – përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat