“Ndërmjetësues i ri në dialogun Kosovë-Serbi”/ Komentohet deklarata e presidentes Osmani – ja çfarë paralajmërohet!

Politika

“Ndërmjetësues i ri në dialogun Kosovë-Serbi”/ Komentohet deklarata e presidentes Osmani – ja çfarë paralajmërohet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 shkurt 2024 Në ora: 14:22
Vjosa Osmani dhe Miroslav Lajcak

Dialogu Kosovë – Serbi tash e disa vite po vazhdon, mirëpo pa një marrëveshje finale.

E në lidhje me këtë çështje, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian do të ketë ndërmjetës të ri që do ta marrë përsipër dialogun Kosovë-Serbi.

Prandaj, ajo tha se këta muaj deri në zgjedhje janë vendimtarë për këtë proces.

“Janë disa muaj vendimtarë në dialog, sepse në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave dhe ndërmjetësues të ri nga ajo që më është thënë nga vetë Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht, në mos gabofsha”, u shpreh presidentja.

E para e shtetit tha se këtë informacion ia ka dhënë vetë emisari Lajçak, i cili mandatin e ka deri në gusht.

Gjithashtu, kujtojmë që presidentja u shpreh se çështja e dinarit duhet të zgjidhet në Kosovë dhe nuk duhej të ishte bërë fare çështje.

Ndërkohë, zëdhënësi i unionit, Peter Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt.

Tahiraj: Ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak, në bisedimet Kosovë-Serbi zbatojnë politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj.

Ai u shpreh se këto deklarata nuk janë serioze kjo pasi ka shumë muaj që të njëjtat janë duke qarkulluar.

“Tani veq jemi mësuar me deklarata të tilla, amatere, jo serioze dhe në shpërputhje me realitetin politik. Pothuajse shumica e politikanëve, qofshin në pozitë apo opozitë, në vazhdimsi lëshonin deklarata të tilla se; këta muaj janë vendimtarë për fatin e Kosovës, duhet pritur zgjedhjet në Bashkimin Evropian, ndërrimi i ndërmjetësuesit në bisedime Kosovë-Serbi, si psh. ndërrimi i Mogerinit. Pastaj zgjedhjet në SHBA dhe ndërrimi i Presidentit Trump dhe i të deleguarit të tij në bisedimet Kosovë-Serbi, e shumë deklarata të tilla amatoreske. Njëherë e përgjithmonë duhet të mësohen dhe mbushen mend politikanët tonë, se politikën e SHBA-ve nuk e bëjnë dhe nuk e ndryshojnë presidentët. SHBA ka një politikë shtetërore, të qëndrueshme dhe afatgjatë që e ndërtojnë institucionet e specializuara të shtetit amerikan, presidentët e SHBA-së e zbatojnë atë”, u shpreh ai.

Më tej, veprimtari thekson që Kosova duhet të mbajë raportet ngushtë me ndërkombëtarët në mënyrë që dialogu Kosovë – Serbi të ketë sukses.

“Gjithashtu, Bashkimi Evropian e ka politikën e vetë të ndërtuar nga institucionet e tij, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e zbatojnë ate. Ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak, në bisedime Kosovë-Serbi zbatojnë politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian, prandaj është naive të presësh se me ndërrimin e tyre do ndryshon diçka pozitive në favor të Kosovës, siç nuk ka ndryshuar me ndërrimin e Mogerinit. Gjithashtu, kjo qeveri duhet t’i ndërpres këto veprime arrogante, të papjekura politikisht, duke menduar se do e ndryshoj qëndrimin amerikan dhe të Bashkimit Evropian. Kjo është një aventurë e rrezikshme që Kosovën e ka dëmtuar shumë dhe po e dërgon në izolim të plotë ndërkombëtar. Kosova nuk ka fuqi të ecë tutje e vetmuar, pa mbështetjen e miqëve tanë që na ndihmuan të fitojmë lirinë, ta formojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë. Pa ndihmën dhe mbështetjen e tyre të fuqishme, kurrë nuk do arrinim këto fitore historike, por as që mund të realizojmë synimet tona në të ardhmen”, shpjegon veprimtari.

Ndër të tjera, Tahiraj shton që një marrëveshje finale është larg të ndodhë mes dy palëve.

“Deklarata e presidentes Osmani se periudha deri në zgjedhjet e Bashkimit Evropian është vendimtare për Kosovën, mendoj se është e paqëndrueshme. Këtë po e them për faktin se bisedimet Kosovë-Serbi kanë filluar shumë vite më parë dhe as që janë afër me përfunduar. Edhe pse u arritën disa marrëveshje si ato të 2013-ës, 2015-ës, 2023-ës, shumë pak janë zbatuar në praktikë, andaj na pret një maratonë bisedimesh, mendoj unë. Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura mund të realizohen vetëm me presionin e Bashkimit Evropian, Anglisë e në veçanti të SHBA-së, prandaj na duhet ta ruajmë me fanatizëm miqësinë, bashkëpunimin dhe koordinimin për çdo gjë me ta”, nënvizon Tahiraj për “Bota sot”.

Burjani: Deri në fund të këtij viti do të ketë një llojë përfundimi dhe normalizimi të raporteve Kosovë-Serbi

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që nuk është me rëndësi kush vjen në mandat, mirëpo duhet dialogu të vazhdoj njësoj.

Image
Blerim Burjani

“Kjo pak ka rëndësi apo minimale, kush të vjen në këtë pozicion ka mandat të njëjtë me mbajt këtë linjë të dialogut. Mendoj që deri në fund të këtij viti do të ketë një llojë përfundimi dhe normalizimi të raporteve Kosovë-Serbi”, potencon ai.

Juristi përfundon duke u shprehur që nuk mund të ndryshoj qasja ndaj dialogut.

“Pra, nuk ka shpresë se mund të ndryshoj qasja ndaj dialogut, dialogu dhe prioritetet e BE dhe SHBA tashmë janë të dijshëm, nuk pritet ndryshim por përfundim të këtij dialogu me një lloj normalizimi të knaqshëm për politikën ndërkombëtare”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat