Po i vjen fundi! Pas largimit të KFOR-it nga ndërtesa komunale në Zveçan, vjen parashikimi jo i mirë për Serbinë

Politika

Po i vjen fundi! Pas largimit të KFOR-it nga ndërtesa komunale në Zveçan, vjen parashikimi jo i mirë për Serbinë

Nga: M.Haziri Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 15:15
Pjesëtarë të KFOR-it

Sulmi terrorist në Banjskë mbetët temë diskutimi, kjo sepse Serbia nuk u dënua akoma, ani pse qëndron prapa sulmit prapa këtij rasti.

Kosova nuk po pajtohet me dënimin e Serbisë dhe këtë gjë po e kërkon para të gjitha instancave ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, gjendja e sigurisë në Kosovë vazhdon të cilësohet e qetë, por e brishtë.

Gjatë ditës së djeshme misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se situata në komunën e Zveçanit është e qëndrueshme dhe si rrjedhojë trupat e tij janë larguar nga ndërtesa komunale ku ishin vendosur pas tensioneve të vitit të kaluar.

Pranvera e vitit që lam pas u karakterizua me tensione e dhunë në komunat veriore pas vendosjes së kryetarëve të rinj nëpër pozitat e tyre.

Derisa KQZ ende nuk ka vendosur se kur do të mbahen zgjedhjet e reja, situata e sigurisë vazhdon të jetë kryesisht e qetë. Megjithatë, nuk ka siguri nëse kjo qetësi do të jetë e qëndrueshme duke marrë për bazë destruktivitetin e Serbisë dhe Vuçiqit.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai thotë se ngjarja në Banjskë ka arritur të minimizoj ndikimin e serbëve tashmë në veri duke shtuar që tashmë edhe kërcënimet që Radoiçiq bën nuk kanë ndikim në Kosovë.

“Pas ngjarjes së Banjskës në veriun e Kosovës ka ndryshuar thuajse gjithçka. Bandat serbe të drejtuara dhe instruktuara nga Beogradi janë strukur përtej kufiirit dhe kanë ulur në minimum ndikimin e tyre te serbët në veri. Vetë serbët duket se ndjehen më të lirë dhe më pak të tensionuar nga presionet e këtyre bandave, të cilat vepronin nën urdhërat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe shefit të BIA-s, Aleksandër Vulin. Prezenca e policisë së Kosovës dhe institucioneve të saj në veri është dhjetë herë më e madhe. Strukturat e shtetit të Kosovës janë tashmë në veprim në të gjithë territorin e vendit.

Ndërkaq selitë e komunave u morën në mbikëqyrje nga KFOR-i pas përplasjeve për të vënë në krye të detyrës katër kryetarët e zgjedhur pas bojkotit të Listës Srpska, sepse qenë krijuar përplasje të forta pikërisht me forcat e NATO-s. Ne e dimë se atë kohë u plagosën me dhjetëra ushtarë të KFOR-it nga dhuna që ushtruan banditët e Radoiçiçit. Tani ky Radoiçiçi ndodhet në territorin e Serbisë dhe prej atje kërcënon tensionimin e situatës. Por nuk është njësoj sikur atëherë kur ai drejtonte bandit terroriste kundër KFOR-it dhe kundër policisë së Kosovës, si në rastin e Banjskës në Zveqan”, thotë ai.

Sovraniteti i Kosovës është i pranishëm tashmë edhe në veri të vendit

Profesori më tej, thotë që tashmë sovraniteti i Kosovës po vazhdon në gjith vendin duke përfshi këtu edhe veriun.

Gjithashtu largimi i forcave të KFOR-it pra ka të bëjë me nivelin e pranueshëm të sigurisë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Shtrirja e sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit dhe kontrolli i këtij territori nga qeveria dhe institucionet e tjera të vendit ka krijuar kushte që edhe selitë e komunave tashmë të lirohen nga mbikëqyrja e forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë. Megjithatë unë largimin e këtyre forcave nga selitë e komunave e shoh si shprehje të besimit të këtij faktori të rëndësishëm sigurie te policia e Kosovës. E shoh edhe si shprehje të faktit se popullsia, sidomos ajo me etni serbe në këtë pjesë të vendit, është e qetë dhe pranon me vullnetin e saj të lirë të jetojë e lirë nën sigurinë e forcave policore të rendit në Kosovë. Është kjo gjithashtu një masë për të dhënë mesazhe se sovraniteti i shtetit të Kosovës është i pranishëm në këtë territor.

Largimi i forcave të KFOR-it pra ka të bëjë me nivelin e pranueshëm të sigurisë në katër komunat e veriut të Kosovës. Zveçani, po të kemi parasysh aktin terrorist serb në Banjskë, ishte pika e rëndesës e përpjekjeve për ta cenuar këtë siguri dhe paqen e stabilitetin në Kosovë e në rajon. Duket se tashmë edhe Zveqani është një zonë stabiliteti dhe sigurie të qëndrueshme. Për pasojë KFOR-I nuk e sheh më të arsyeshme që të demonstrojë forcën e vet në ruajtjen e selisë së kësaj komune. Gjithkush duhet të kuptojë se çdo masë e tillë si kjo në Zveçan është shprehje e besimit në institucionet e Kosovës. Besim nga ana e serbëve në radhë të parë e më pas edhe nga ana e KFOR-it dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, potencon profesori.

Banjska ka krijuar kushte të mira për një qasje politike e sjellje qytetare të favorshme për integrimin e serbëve të Kosovës

Ndër të tjera, Bytyçi shprehet se propagandat tashmë të Serbisë nuk po kalojnë, madje siç thekson profesori edhe politikanët serbë në veri e në jug të Ibrit shumë pak po përkrahin këto propaganda.

Por ky akt i komandës së KFOR-it demanton gjithashtu shpifjet dhe përpjekjet e Beogradit për ta akuzuar qeverinë e Kosovës sikur ajo “po bën spastrim etnik të serbëve nga Kosova e sidomos nga veriu i saj”! “Qëllimet e Albin Kurtit, thotë vazhdimisht Vuçiq, janë që ta spastrojë Kosovën nga serbët që jetojnë atje”! Por ama presidenti i Serbisë nuk sjell dot asnjë fakt. Ndërkohë që situatën e monitoron KFOR-I dhe instrumente të tjera ndërkombëtare të pranishme në Kosovë. Asnjë prej këtyre organizmave nuk ka folur kurrë për ndonjë lloj dhune aq më pak për “spastrim etnik” të serbëve në Kosovë. Këtë e thonë vetëm autoritetet e Beogradit. Madje edhe politikanët serbë në veri e në jug të Ibrit shumë pak e artikulojnë këtë akuzë. KFOR-I me veprimin e tij të tërheqjes nga ruajtja e godinave dhe zyrave të komunës së Zveqanit e dëshmoi edhe njëherë se situate është stabile dhe nuk ka vend për frikë për asgjë”, thotë ai.

Në fund, profesori shton që se hartimi i një strategjie për integrimin e serbëve kudo në Kosovë, por sidomos atyre në veri në institucionet dhe jetën politike, sociale, kulturore, arsimore, etj të vendit është i domosdoshëm.

Natyrisht që qeveria e Kosovës, institucionet e saj dhe policia do të duhet ta menaxhojnë me shumë sukses këtë situatë të re të krijuar pas tërheqjes së KFOR-it prej aty. Unë do të thosha se hartimi i një strategjie për integrimin e serbëve kudo në Kosovë, por sidomos atyre në veri

 në institucionet dhe jetën politike, sociale, kulturore, arsimore, etj të vendit është i domosdoshëm. Investimi edhe në fonde për këtë qëllimi nga ana e shtetit të Kosovës është detyrë emergjente. Duhet krijuar besim i plotë midis palëve. Situata e krijuar është shumë e favorshme. Banjska ka krijuar kushte të mira për ta realizuar një qasje politike e sjellje qytetare të favorshme për integrimin e serbëve të Kosovës në çdo aspekt në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Unë besoj se serbët janë të interesuar vetë për këtë. Sa më shumë integrohen serbët në Kosovë, aq më pak rol do të ketë Beogradi për t’i instrumentalizuar ata në shërbim të politikave të veta shoviniste të Botës serbe”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat