E krahasoi me Putinin, Haradinajt i vijnë reagime të ashpra – ja pse po e sulmon Kurtin!

Politika

E krahasoi me Putinin, Haradinajt i vijnë reagime të ashpra – ja pse po e sulmon Kurtin!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 shkurt 2024 Në ora: 22:05
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është treguar kundërshtari më i ashpër i kryeministrit Albin Kurti.

Ai në vazhdimësi kritikon kryeministrin dhe madje hedh edhe akuza të rënda ndaj tij.

Së fundi, në një intervistë televizive, Haradinaj është shprehur se “edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë Rusinë sa e ka ndihmuar Kurti Putinin”.

Ky reagim i ashpër i kreut të AAK-së erdhi si rrjedhojë e situatës së krijuar në Kosovë dhe marrëdhënieve me ndërkombëtarët

“Ne me shumë ngut e kemi ngritur çështjen e Kosovës në nivele të vendimmarrësve të parë të presidentit Macron e kancelarit Sholz, me mbështetjen amerikane në nivel sekretarësh shteti. Që nga marrëveshja e njohur e plani franko-gjerman qeveria jonë ka bërë kthim prapa, në vend që të shkojë në nivel e marrëdhënieve drejt anëtarësimit në NATO që ishte opsion, qeveria është kthyer prapa duke kërkuar çështje që e prishin besimin e krijuar dhe dëmtojnë marrëveshjen e arritur.

Sipas tij Kurti është vënë në funksion të agjendës ruse për destabilizim, duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët dhe mbështetësit e Kosovës.

“Nuk ka qenë e lehtë ngritja e çështjes tonë në nivel të presidentëve të Francës, Gjermanisë e SHBA me sekretarin Blinken. Pasi kemi arritur në këtë nivel, Kurti ka kërkuar çështje që përkeqësojnë çështjet me aleatët e sigurisë. Kurti, në vend që ta çojë Kosovën drejt NATO-s, është vënë në dispozicion të agjendës ruse për destabilizim. U kthyem në Këshill të Sigurimit si agresorë, kemi qenë viktima. 9 anëtarë të KS janë njohës. Kosova u nda në kritikë të mbështetësve kryesorë të vet. Ka plot skeptikë ndaj Kosovës dhe interesi i Rusisë është që të rritet skepticizmi i vendeve evropiane, dhe kjo loja me refuzime është në funksion të agjendës ruse duke e larguar Kosovën nga themeluesit e liderët e NATO-s dhe duke i nxitur armiqtë me e rreziku Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

Siç duket, mllefi i madh që ka Haradinaj ndaj Kurtit, ka ndikuar që ta krahasoi atë edhe me Putinin, një udhëheqës mizor e që me urdhër të tij po kryhen krime të rëndë në Ukrainë.

Mirëpo, çfarë po tenton të arrijë Haradinaj me këto akuza ndaj Kurtit?

Mehazi: Deklaratë humoristike, deklaratë shpifëse sa për të folur diçka kundër Kurtit

Image
Sulejman Mehazi

Këto deklarata të Haradinajt ndaj Kurtit, në një prononcim për “Bota sot” i komentoi profesori Sulejman Mehazi.

Sipas tij, vendimet dinjitoze të Kurtit ia kanë humbur mendjen kreut të AAK-së, sa që nuk di as çfarë flet.

Gjithashtu, ai komentoi edhe krahasimin që iu bë Kurtit me Putinin.

“Veprimet pozitive e dinjitoze të kryeministrit Kurtit në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës si vërehet ia ka humbur mendjen Haradinajt sa që nuk di se çfarë flet për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke i thënë se me politikën qeverisëse të gabuar më shumë i ndihmon Putinit të Rusisë, fare se mendon i shkreti i AAK-së, Haradinaj se me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës ana veriore e vendin nuk është sallamadi si në kohën kur ai ishte kryeministër dhe se kryeministri i Kosovës, Kurti, kriminelëve serbë të veriut ua ka futur frikën në palcë dhe se as një lëvizje kriminale nuk mund të bëjnë serbët e Vuçiqit pa mos i vëzhguar policia e Kosovës, aq sa më as dinari serb nuk do merret parasysh nga serbët e Kosovës”, deklaroi profesori.

Ndër të tjera, ai tha se këto deklarata të Haradinajt janë shpifëse, kanë vetëm për qëllim që të flitet kundër Kurtit.

Madje, profesori përmendi edhe “lidhjen” e Haradinjat me Radoiçiqin.

“Intervista e Haradinajt ndaj Kurtit se: “edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë Rusinë sa e ka ndihmuar Kurti Putinin”. është për të qeshur, deklaratë humoristike, është deklaratë shpifëse sa për të folur diçka kundër Kurtit e asgjë më shumë, pasi asgjë s'ka të bëjë Kurti me Putinin e Rusisë dhe Vuçiqin e Serbisë. E vërteta e qytetarëve të Kosovës është e kundërta e intervistës së Haradinaj, se gjatë qeverisjes së Haradinajt as Vuçiqi nuk i ka ndihmuar kriminelit serb Radoiçiqit sesa vetë Haradinaj, dhe se krimet më të mëdha korruptive e plaçkitëse serbe në veri të Kosovës krimineli Radojçiqi i ka bërë në përkrahje të mikut të tij të ngushtë Haradinajt si kryeministër i Kosovës.

Më afër Putinit, Vuçiqit e Radoiçiqit është Haradinaj e jo Kurti”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Hoxha: Krahasimi i Kurtit me Putinin apo këdo tjetër lider që ka qasje negative dhe armiqësore ndaj Kosovës është zhurmë politike dhe jo serioze

Image
Hafir Hoxha

Në lidhje me sulmet që kundërshtarët politikë po ia bëjnë Kurtit, në veçanti Haradinaj, në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot”, foli ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha.

Sipas tij, sa më shumë që po afrohen zgjedhjet parlamentare, më shumë po sulmohet Kurti, ku liderët opozitarë po shpresojnë të marrin rezultate të mira në ato zgjedhje.

“Sa më shumë po afrohet koha e zgjedhjeve aq më shumë po ashpërsohet gjuha e disa liderëve opozitarë, e sidomos e atyre që nuk kanë shpresa se do të kenë rezultate të kënaqshme në ato zgjedhje.

Në realitet nuk është qeveri aq e forte, por opozita është shumë e dobët! 

Vërehet mungesa e kërkimit, e studimit dhe e analizimit të mirëfilltë të planeve, projekteve qeveritare nga opozita.

Gjatë punës së qeverisë Kurti nga opozita aktuale vërehet mungesa e ofertave, planeve dhe koncepteve të elaboruara mirë në projektet, planet qeveritare të gabuara apo të dështuara nga qeveria Kurti!

Dukshëm vërehet mungesa e kuadrave profesionale, e njohësve të mirë të delegatëve opozitarë në të gjitha Komisionet Parlamentare ku nuk kanë njohuri të mjaftueshme për kompetencat, detyrat e atyre komisioneve parlamentare dhe shumica e tyre në ato komisione kanë fjalor, komunikim politik partiak e jo profesionl”.

Po ashtu, ai tha se opozita e ka zgjedh një fjalor dhe metodat të gjeneralisimit të problemeve, e cila sipas tij është e gabuar.

Hoxha tha se deputetët opozitarë nuk janë shumë të aftë dhe kjo shihet në Komisionet Parlamentare.

“Vërehet dukshëm tek partitë opozitare mënyra e punës, fjalori i tyre si metodë e gjeneralizimit të problemeve në bllok ose paketë duke mos i ndarë dhe duke mos i trajtuar dhe profilizuar secilin problem me mënyra dhe ligje përkatëse për secilin komision në vete.

Mos njohuria e lëmive të caktuar, mungesa e metodës se punës, mungesa edhe e edukatës të disa deputetëve në Komisione Parlamentare, ndikojnë në suksesin e punës së qeveris në tërësi pasi nuk dinë opozitarët  të kërkojnë përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë tek komponentët qeverisës dhe këto mangësi  të tyre i shfrytëzojnë zyrtarët, funksionarët qeveritarë dhe me sukses i maskojnë i devijojnë ngecjet e tyre ku nga kritika në bllok i nxjerrin me fakte punët e mira që për opozitën nuk ekziston asnjë e që nuk është e vërtet dhe qeveria nga ato vërejtje i nxjerrin në dukje punët e mira dhe sukseset duke i vërtetuar me fakte dhe dëshmi tek qytetarët dhe ashtu të gjitha vërejtjet e opozitës mbarojnë si të pa baza dhe vetëm vërejtje politike”, shpjegoi ai.

Më tej, Hoxha ia bëri disa kritika profesionale partive politike në lidhje me qasjen e tyre ndaj qeverisë Kurti dhe partisë LVV.

“E tërë opozita, të gjitha subjektet opozitare reagimet e tyre i kanë të gjeneralizuara sikur të ishin të gjithë liderë politikë, kryetarë të partive. 

Në Kuvend, para mediave, në Komisione Parlamentare të gjitha vërejtjet dhe kritikat janë të njëjta dhe të drejtuara vetëm në adresë të kryeministrit Kurti dhe tek partia e VV!

Ato kritika janë politike, jo konkrete as profesionale! Duhet të dallon puna, vërejtja e një delegati, e një anëtari opozitar në komisionet parlamentare dhe kritikat politike të liderëve të partive të tyre!

Në Komisione Parlamentare, në takime me ministra kur analizohet puna e tyre anëtarët opozitarë të atyre komisioneve nuk caktohen konkretisht në punën e atij ministri, të asaj ministrie, të atyre kompetencave por prapë anëtarët opozitarë vijnë aty me paket politike dhe të kryetarëve të partive të tyre, me vërejtje gjeneralë, me kritika ndaj qeverisë, ndaj kryeministrit, ndaj LVV”.

Në fund, tha se deklaratat krahasuese të Haradinajt mes Kurtit e Putinit janë vetëm zhurmë politike, asgjë tjetër.

“Vërejtjet, kritikat gjenerale populliste ndaj kryeministrit Kurti që i bëjnë liderët opozitarë ndikojnë vetëm tek militantët partiakë dhe besoj se nuk do të përfitojnë partitë politike më shumë simpatizant në zgjedhjet e radhës pasi qytetarët tani kërkojnë përgjegjësi, kritika, vërejtje konkrete. Ai fjalor ofendues, nënçmues ndaj kryeministrit nuk gjen mbështetje tek qytetarët prandaj me atë fjalor qytetarët e kuptojnë vetëm nervozen, mllefin dhe pandershmërinë e atyre që e përdorin atë gjuhë vetëm si sulm për të dëmtuar suksesin e qeverisë dhe si luftë për pushtet.

Të gjithë liderët e dinë, sidomos Ramushi dhe secili që ishte kryeministër i Kosovës, se sa ka fuqi dhe mundësi një kryeministër të sjellë vendime për çështjet politike, për statusin e veriut të Kosovës, të bashkësive të komunave me shumicë të pakicës serbe në Kosovë.

Prandaj, krahasimi i Kurtit me Putinin apo këdo tjetër lider që ka qasje negative dhe armiqësore ndaj Kosovës është zhurmë politike dhe jo serioze” – përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat