“Demaskim i pastër” / Përplasja Kurti - Bërnabiq në Samitin e Londrës – Vlerësohet lart paraqitja e kryeministrit!

Politika

“Demaskim i pastër” / Përplasja Kurti - Bërnabiq në Samitin e Londrës – Vlerësohet lart paraqitja e kryeministrit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 shkurt 2024 Në ora: 19:00
Foto nga paneli

Është bërë një kohë e gjatë që nga fillimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, por ende nuk ka marrwveshje normalizimi mes dy vendeve.

Përveç që nuk ka normalizim të raporteve, është Serbia ajo e cila në vazhdimwsi provokon dhe tenton të përfshijë Kosovën si territor të saj.

E së fundmi mori vëmendjen Samiti në Londër, ku pjesëmarrës ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Përplasja lindi natyrshëm kur Bërnabiq tha se Kosovën e shohin “si pjesë të Serbisë”.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tash po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo.

Kryeministri Kurti më pas ia kujtoi se ajo quhet Republika e Kosovës dhe se njihet anë e mbanë botës si shtet.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse përveçse Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

Analistët në lidhje me këtë çështje u shprehen që ishte më se e duhur ndaj një shteti terrorist siç është Serbia.

Elezaj: Serbia do të duhej ta pranonte shumë kohë më parë pavarësinë e Kosovës

Image
Rexhep Elezaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë se kundërpërgjigjja e kryeministrit Kurti do të duhej të ishte edhe më e ashpër ndaj Serbisë, pasi e njwjta moti është dashur ta pranojë gjenocidin e shtetit të vetë të bërë në Kosovë në vitet 1998/9.

“Përplasja e kryeministrit A. Kurti me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në samitin e Londrës për investime në Ballkanin perëndimor, lidhur me deklaratën e saj provokuese, se “Kosova është pjesë e Serbisë”, për aq sa ishte me vend, sipas mendimit tim, përgjigja e kryeministrit Kurti, do duhej të ishte shumë herë më e ashpër. Për faktin, sepse ishte momenti i duhur që vokabularin antishqiptar të regjimit aktual të Serbisë në krye me fashistin A. Vuçiq, ta demaskonte me disa fakte shtesë, pikërisht në Londër, aty ku shpeshherë gjatë historisë janë vendosur fatet e kombit shqiptar.

Pra, ishte çasti i duhur që përveç asaj që i tha, se Kosova nuk quhet “Kosovë e Metohi”, por Republika e Kosovës, e pavarur dhe e njohur nga më shumë se 117 vende të botës, t’i thoshte troç në sy, se ajo, Bërnabiq, si shefe e qeverisë së Serbisë “demokratike”, moti është dashur ta pranojë gjenocidin e shtetit të vetë të bërë në Kosovë në vitet 1998/99. Si dhe të kërkojë falje për krimet monstruoze të  bëra ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë, e jo të vazhdojë me retorikën e saj fashiste dhe kolonialiste ndaj Kosovës, duke e trajtuar atë si pjesë të Serbisë”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që këtë demaskim të propagandës serbe në Perëndim kundër Kosovës, do duhej ta bënin në çdo takim me zyrtarët serbw, duke ua hedhur në “surrat” para botës pa hezitim dhe ngurrim.

“Ngase, një regjim i cili ka bërë krime dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë, vetëm se nuk ishte popull sllav, me të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare si dhe me Kartën e OKB-së, i ka humbur përgjithmonë të gjitha të drejtat që ta sundojë dhe administrojë një territor ose një rajon të caktuar.

Mbase, të drejtën e Kosovës për t’u bërë shtet i pavarur dhe sovran e ka vërtetuar në mënyrë shumë qartë Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë, si organ i AP të OKB-së, në përgjigjen e saj të datës 22 korrik 2010, “Se akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare“, fakt të cilin, për fat të keq, zyrtarët shtetëror të Kosovës si dhe diplomacia e saj e fjetur, nuk janë duke e potencuar sa dhe si duhet në takimet e tyre zyrtare dhe formale me faktorët ndërkombëtarë. Këtë demaskim të propagandës serbe në Perëndim kundër Kosovës, do duhej ta bënin në çdo takim me zyrtarët serb, duke ua hedhur në surrat para botës pa hezitim dhe ngurrim, se pavarësia e Kosovës është dhe do mbetet përjetësisht një akt sublim dhe pa kthim mbrapa për shqiptarët, i pëlqeu ky fakt ose jo krerëve hegjemonist dhe fashist të Beogradit zyrtarë”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Qarri: Kryeministri Kurti edhe ka punuar shumë, që situata edhe në terren, të kthehet tërësisht në favor të Kosovës

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që paraqitja e kryeministrit Kurti gjithmonë në përballje me Serbinë, po dëshmon që Kosova është në qeverisje të një politikani strategjik dhe jo të dëmshëm për vendin.

“Në fakt Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga ardhja në krye të Qeverisë së vendit tonë, është treguar në vepër, si mbrojtësi më i mirë politik, praktik dhe strategjik i Republikës së Kosovës, gjë që u tregua edhe në replikën kundër kryeministres në shkuarje të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin e organizuar në Londër nga BERZH-i për investimet në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Kurti, në kundërshtim me heshtjen e paraardhësve, të cilët nuk dihet të kenë reaguar qoftë edhe njëherë drejtpërdrejtë, kundër provokimeve publike të qeveritarëve serb edhe kur ata janë shprehur me cinizëm dhe terma të ngjashme provokuese për Kosovën, nëpër takime me ndërkombëtarët, nuk e ka fare problem tu përgjigjet menjëherë dhe aty për aty, kryeministres, presidentit apo cilitdo zyrtar tjetër shtetëror serb, me fjalë bindëse dhe të argumentuara me fakte autentike, siç iu përgjigj edhe Bërnabiqës. Ai i tregoi se vendi ynë quhet Republika e Kosovës dhe njihet në gjithë botën si shtet i pavarur e sovran, ngase duke mos bashkëpunuar as kooketuar, asnjëherë me kriminelët dhe mposhtur terroristët serb në veri, kryeministri Kurti edhe ka punuar shumë, që situata edhe në terren, të kthehet tërësisht në favor të Kosovës”, tha analisti.

Qarri përmend më tutje disa nga të arriturat që kryeministri Kurti ka bërë gjatë qeverisjes

“Sukses që Kryeministri Kurti e ka arritur me punë e përkushtim të jashtëzakonshëm, duke shtrirë për herë të parë pas mese 23 vitesh sovranitetin e plotë shtetëror edhe në veri të Kosovës, ndalimit po-ashtu për herë të parë, që nga çlirimi i Kosovës, të referendumeve dhe zgjedhjeve të Serbisë në vendin tonë, shpalljen organizata terroriste të të ashtuquajturave "brigada e veriut, "mbrojtja civile" etj, fitoren kundër terroristëve serb, në sulmin që ata organizuan në Banjë të Zveçanit, dëbimin e tyre nga veriu, pranimin e targave RKS dhe dokumenteve të Republikës së Kosovës, nga pjesëtaret e pakicës serbe dhe vet Serbia hegjemoniste, ndalimi i dinarit serb, me të cilin Vuçiq ende përpiqet të “dëshmojë” sovranitetin e Serbisë, mbi Kosovën, si dhe mos lëshimi pe, në dëm të vendit, edhe përkundër trysnisë së jashtëzakonshme dhe njëanshmërisë së hapur, në krah të Serbisë, nga ndërmjetësit evropian dhe emisari Eskobar, në Bruksel, të gjitha këto, kanë bërë që kryeministri Kurti, të mos mund të shantazhohet nga Serbia, as ndërkombëtarët pro-serb, si Thaçi, Haradinaj, Limaj etj”, shpjegoi ai.

Në fund, ai shprehet se Kurti është gjithmonë ai që i përplasë të vërtetat Serbisë ani pse kjo e fundit mundohet ta provokoj në çdo përballje ndërkombëtare.

“Shto gjithë kësaj faktin se nuk ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai që provokoi kryeministren e Serbisë, por ishte vet Ana Bërnabiq, ajo që në Samitin e organizuar nga BERZH-i në Londër,  ku merrnin pjesë 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shumë panatyrshëm dhe në mënyrë krejtësisht të qëllimtë e tejet provokuese, nxiti këtë përplasje, kur tha pa asnjë arsye dhe me shumë cinizëm se Kosovën e shohin “si pjesë të Serbisë”, të cilës kryeministri i Kosovës, si gjithmonë, duke përzgjedhur fjalët e nevojshme, i dha Bërnabiqit, siç e donte edhe rasti, plotësisht përgjigjen e duhur, duke ia kujtuar "dylberes" serbe Ana Bërnabiq, se vendi ynë, quhet Republika e Kosovës dhe se njihet anë e mbanë botës si shtet sovran dhe i pavarur. Gjendje të cilën kryeministri Kurti, duke mundur terroristët e sponsorizuar nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi, e ka krijuar edhe në terren, si aktin më sublim, të sukseseve të tij, që është fakt dhe nuk mund ta mohojë më askush, me asgjë, Serbia hegjemoniste as armiqtë e Kosovës”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat