“Vuçiqi është tallur me BE-në”, Qarri ‘godet’ dy emisarët evropian: Kjo është kërkesa e tij!

Politika

“Vuçiqi është tallur me BE-në”, Qarri ‘godet’ dy emisarët evropian: Kjo është kërkesa e tij!

Nga: N. Shaqiri Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 22:42
Josep Borell dhe Miroslav Lajçak

Dialogu Kosovë – Serbi, edhe pse po kërkohet nga ndërkombëtarët që të vazhdohet dhe të arrihet një marrëveshje finale, siç po duket kjo do të jetë mjaft e vështirë që të ndodhë.

Tashmë kemi një ngecje në këtë drejtim, ndërsa ndërkombëtarët nuk ndalojnë së ftuari të dy palët për takime në Bruksel.

Madje ata po kërkojnë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, por që në këtë drejtim pak ka shpresa të lëvizë diçka.

Analisti politik, Gani Qarri thotë se, dialogu me Serbinë, tanimë ka hyrë në dekadën e dytë pa arritur ndonjë progres relativ deri më tani.

Sipas tij, Borell dhe Lajçak kanë shënuar edhe regres të theksuar, duke bërë një prapakthim katastrofal nga praktika e njohur e marrëveshjeve të nënshkruara, në promovimin e marrëveshjeve të ashtuquajtura të "dakorduara" të cilat në shembujt e diplomacisë evropiane duket të jenë risi dhe që në thelb, ia kanë humbur tërësisht kuptimin edhe dialogut!

“Madje Vuçiqi në vazhdimësi edhe është tallur publikisht me marrëveshjet e “dakorduara”, herë duke deklaruar se i dhimbëte dora t’i nënshkruante dhe si të tilla nuk ka obligim as t’i zbatojë ato, e herë duke i dërguar edhe letër të hapur Bashkimit Evropian, se nuk do t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, formë banditeske e talljes, që nuk ka ndodhur kurrë në diplomacinë e deritanishme serioze evropiane, kuptohet, aty ku nuk kishin dorë Borell dhe Lajçak, të cilët po ikin, duke e lënë të turpëruar edhe diplomacinë e njëmendtë të BE-së”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Andaj sipas tij, “duke pasur parasysh përvojën negative me Serbinë, e cila nuk ka zbatuar qëllimisht, as shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara nga vet ajo, madje shpeshherë ka këmbëngulur për t’i ridiskutuar përsëri në Bruksel edhe marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara edhe një dekadë më parë, si ato për targat, dokumentet shtetërore apo edhe diplomat, është e domosdoshme dhe nevojë e patejkalueshme, që urgjentisht të shfuqizohen aktet qesharake të "dakordimeve" gojore, të shpifura nga Borell e Lajçak, akte këto vërtetë të pashembullta në diplomacinë parimore evropiane, dhe fut menjëherë në praktikë, marrëveshjet me nënshkrime nga të dy palët, në mënyrë që ato të jenë obligative për zbatim edhe nga Serbia dhe të fuqizohen e bëhen funksionale, përndryshe kemi shembuj mese të mjaftueshëm që Serbia, nuk i ka zbatuar as marrëveshjet e nënshkruara nga vet ajo”.

“Në anën tjetër, nëse opsionet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, vazhdojnë të vendosen në parime njëetnike dhe territoriale, kjo përveçse bie ndesh me vlerat perëndimore, të cilat në parim, të dy shtetet dialoguese janë të obliguara t’i respektojnë, si kusht për inkuadrim në BE, ky parim do ta pengojë edhe në të ardhmen arritjen e marrëveshjes, pikërisht për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë hegjemoniste ndaj tokave të Republikës së Kosovës dhe tendencave të hapura të saj për imponimin me çdo kusht, edhe të një "republika srpska" brenda shtetit tonë, për bosnjëzimin dhe ndarjen e Kosovës”, potencon analisti.

Qarri kërkon që të emërohen ndërmjetësues të rinj në dialogun me Serbinë.

“Kështu që bazuar në vet mungesën e rezultateve gjatë procesit të ndërmjetësuar në mënyrë krejt të njëanshme dhe vetëm në dobi të Serbisë nga dyshja Borell e Lajçak, mund të themi lirisht se ishin tandemi Borell & Lajçak, ata të cilët ia kanë humbur tërësisht edhe kuptimin dialogut dhe as që ka më kush vullnet, t’i shoh si të mirëqena mendimet e tyre, andaj dhe është i domosdoshëm emërimi i ndërmjetësuesve të rinj, nga BE dhe SHBA, me figura të paanshme politike, për dallim nga Borell e Lajçak që ia mbanin hapur krahun Serbisë, dhe të një emisari special të pa kontestuar nga konflikte të interesit, si z. Eskobar, gruas së të cilit Elisabeth Eskobar, mu në kohën e marrjes së postit të lartë special, Serbia ia financoi ekspozitën e shtrenjtë pamore, përmes ambasadës së saj, duke përfshi edhe përfaqësinë diplomatike serbe në këtë akt, të diskutueshëm”.

“Dhe përveç shfuqizimit të menjëhershëm të "dakordimeve" gojore, të shpifura nga Borell e Lajçak, akte këto vërtetë të pashembullta, që veçanërisht në kontest me Serbinë, as që mund të funksionojnë, dhe futjes menjëherë të praktikës së marrëveshjeve me nënshkrime nga të dy palët, në mënyrë që ato të jenë obligative për zbatim edhe nga Serbia dhe të bëhen funksionale, duhet zëvendësuar medoemos edhe ndërmjetësuesit e BE-së në dialog dhe ndryshuar formati i bisedimeve me Serbinë, edhe për faktin e pazakont se Lajçak e Borrell, me risinë që sollën në "diplomacinë" evropiane, duke imponuar edhe promovime të "marrëveshjeve" ANONIME!, të ashtuquajtura "dakordime" pa autor as nënshkrime të palëve, e kanë vënë në lojë dhe quar në dështim edhe diplomacinë e njëmendtë evropiane, të paktën sa i takon dialagut Kosovë-Serbi”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat