A e përfundon Vetëvendosja mandatin e plotë qeverisës?/ Analistët parashikojnë rezultatin për zgjedhjet e ardhshme

Politika

A e përfundon Vetëvendosja mandatin e plotë qeverisës?/ Analistët parashikojnë rezultatin për zgjedhjet e ardhshme

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 shkurt 2024 Në ora: 19:48
Foto ilustrim, Qeveria Kurti

Deputetët e partisë në pushtet thonë se LVV-ja do të jetë partia e parë që do ta përfundojë një mandat të plotë qeveritar dhe se në muajin shtator sipas ligjit për zgjedhje do të vendoset për datën e zgjedhjeve.

Kështu, ditë më parë deputeti Armend Muja, beson se LVV-ja e ka mbështetjen popullore të konfirmuar, në çfarëdo rrethane.

“Nga shtatori në bazë të ligjit për zgjedhje presidentja duhet t’i konsultoj partitë për datën e zgjedhjeve por unë personalisht mendoj se do të ishte më mirë që ta përfundojmë mandatin që të japin edhe një shembull që Kosova është fanar i demokracisë, ndërsa LVV-ja është e konfirmuar që ka mbështetje popullore dhe në këtë rast ne jemi të gatshëm”, ka deklaruar ai ditë më parë.

Duke u nisur nga këto deklarime, cili është disponimi aktual për zgjedhjet meqë kanë filluar të publikohen edhe sondazhe e të mbahen tubime më të afërta me qytetarë nga partitë politike? A do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës Lëvizja Vetëvendosje?

Lidhur me këtë ҫështje folën njohësit e çështjeve politike.

Kështu, Prof. Dr. Eshref Ymeri në një prononcim për ‘Bota sot’, thekson se, formacioni politik LVV, pas ardhjes në pushtet më 14 shkurt 2021, ka ndikuar në një mënyrë të dukshme në mbrojtjen e autoritetit të Republikës së Kosovës në hapësirat evropiane dhe botërore.

Ymeri: LVV do ta përfundojë të plotë mandatin qeveritar, por që ta vazhdojë punën në një mandat të dytë

Image
Prof. Dr. Eshref Ymeri

“Kjo për arsye se koha kur në pushtet ishte formacioni politik PDK dhe më pas në aleancë edhe me formacionin politik LDK, autoriteti i Republikës së Kosovës ishte cenuar së tepërmi në raport me Serbinë. Fakti që këto dy formacione politike, të përfaqësuara nga Thaçi dhe Mustafa, në gushtin e vitit 2015, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nënshkruan në Bruksel me Vuçiçin marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe (BKS - Asociacionit), dëshmon më së miri se me këtë marrëveshje kanë kryer një akt tradhtie ndaj Republikës së Kosovës”, vlerëson ai.

Ai vlerëson se duke pasur parasysh qëndrimin e vendosur të qeverisë Kurti kundër lëshimeve që kërkon Serbia fashiste, autoriteti i LVV është rritur në radhët e elektoratit, për të cilin mbrojtja e interesave kombëtare është detyrë e shenjtë për çdo qytetarë me dinjitet personal.

“Prandaj kam bindjen se LVV do ta përfundojë të plotë mandatin qeveritar më 14 shkurt 2025. Por që ta vazhdojë punën në një mandat të dytë, do të duhet që LVV t’i përvishet punës, të zbres në terren, të trokasë në çdo derë dhe t’u flasë njerëzve vetëm me gjuhën e së vërtetës - gjatë katër vjetëve të qeverisjes së saj cilat kanë qenë sukseset, çfarë ka mbetur pa u realizuar plotësisht dhe cilat do të jenë objektivat që duhen arritur në periudhën mes viteve 2025-2029. Me objektiva nënkuptohet zhvillimi ekonomik i vendit, rritja e mirëqenies së njerëzve nëpërmjet punësimit, zhvillimi i bujqësisë, si burimi i furnizimit të tregut me produkte bujqësore, rritja e pagave dhe e pensioneve, ruajtja e shëndetit të popullit përmes zhvillimit të shëndetësisë dhe shtimit të cilësisë së shërbimeve mjekësore.

Zhvillimi ekonomik i Republikës së Kosovës, i pasqyruar në rritjen e standardit të jetesë, do të frenojë shpopullimin e vendit, i cili është një dukuri mjaft tragjike në Republikën e Shqipërisë, ku kryeministri Rama, si një tradhtar me damkë, po e boshatis vendin nga shqiptarët dhe po mundohet të sjellë emigrantë që nga Afrika deri në Bangladesh. Formacioni politik LVV duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së arsimit para universitar dhe universitar, në mënyrë që të rinjtë të mos detyrohen të marrin rrugët e emigracionit”, thotë ai.

Tutje, Prof. Dr. Ymeri thotë se, duke pasur parasysh dy ngjarjet e fundit - sulmin fashist të banditëve serbë në Banjskë, ku Serbia hëngri “dajakun” që meritonte, dhe vendimin e BQK për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb - autoriteti i qeverisë Kurti është rritur së tepërmi në radhët e elektoratit.

Po ashtu, edhe mospranimi i krijimit të AKS (Asociacionit), pavarësisht nga kundërshtimet e Brukselit dhe të Vashingtonit, ka ndikuar edhe më shumë në forcimin e autoritetit të saj.

“Në bindjen time, autoriteti i qeverisë në të dy shtetet shqiptare, nuk rritet vetëm duke ju thënë të huajve “si urdhëron”. Sepse po u the të huajve gjithmonë “si urdhëron”, “si urdhëron”, “si urdhëron”, ata humbasin çdolloj respekti dhe nuk ta varin më.  Prandaj mu duk me shumë vend reagimi para disa muajsh i ministres së jashtme, Zonjës së Nderuar Donika Gërvalla, e cila, duke pasur parasysh përkrahjen që Brukseli i jep Serbisë, kundër interesave të Republikës së Kosovës, u shpreh: “Bashkimi Evropian është një tigër prej letre”. Ju në Kosovë, në krahasim me ne në Shqipëri, keni avantazhin e madh se keni në krye të vendit një treshe udhëheqëse me dinjitet të lartë kombëtar - Presidenten, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit. Kurse ne kemi president një shërbëtor të kryeministrit, kurse kryeministrin, si mik të kriminelit Vuçiç, e kemi tradhtar jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Prandaj edhe shumica dërrmuese e mjeteve  të informimit masiv në Tiranë, si sahanlëpirës dhe servilë-zvarranikë të Ramës, sulmojnë Kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij. Për fatkeqësinë tonë kombëtare, ne në Shqipëri shumicën e Kuvendit (pozitën) e kemi tradhtare të interesave kombëtare, kurse ju tradhtare keni opozitën e Thaçit dhe të Mustafës, dy servilë-shërbëtorë të Beogradit”, thekson ai.

Mehazi: Qeveria e Kurtit dallon nga qeveritë paraprake në dy gjëra të vlefshme

Image
Sulejman Mehazi

Po ashtu, edhe profesori Sulejman Mehazi, për këtë ҫështje thekson se, të gjitha sondazhet dhe analizat që dalin vërehet se partia në pushtet LVV-ja do udhëheqë qeverinë e Kosovës dhe katër vitet e ardhshme. Nëse më 2020-n partia e Kurtit së bashku me partinë e Vjosa Osmanit fituan mbi 50% të votave gjatë zgjedhje parlamentare që do mbahen në muajt e fundit të 2024 përqindja e LVV-së jo që nuk do zvogëlohet, por do rritet dhe më shumë, pasi qeveria e Kurtit dallon nga qeveritë paraprake në dy gjëra të vlefshme.

“Një, se qeveria e tanishme e Kosovës me Kurtin nuk është e korruptuar, dy, kjo qeveri në mënyrë fanatike mbron kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës përballë Serbisë e cila nuk ka pasur muaj që nuk është sulmuar sovraniteti i Kosovës politikisht e me armë nga bandat e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqi. LVV-ja si parti kurrë nuk ka qenë inferiore para Serbisë, sikurse qeveritë e mëparshme të Thaçit i cili dialogonte me Vuçiqin për ndërrime kufijsh, Mustafës, që rëndë u mashtrua me asociacionet serbe, Haradinajt që ia fali lehtësisht Çakorrin dhe Zhlebin Malit të Zi, këtyre të dështuarve më shumë ju interesonte pasuria e tyre galopante sesa mbrojtja e sovranitetit të Kosovës”, vlerëson Mehazi.

Ai ka thënë se partitë e mëparshme që ishin në pushtet, vëllazëroheshin për interesa korruptive me kriminelin Milan Radoiҫiҫin.

“Derisa partitë paraprake vëllazëroheshin për interesat e tyre korruptive me kryekriminelin e Listës serbe, Radojçiqin që  përhapte metastazë korruptive e armiqësore aq sa të sulmonte Kosovën në Banjskë të Zveçanit. Si do që të ndodhë me zgjedhjet parlamentare, para kohe apo gjatë mandatit të plotë katërvjeçar LVV-ja është në përparësi të madh përballë partive opozitare PDK, LDK e AAK. Sikur edhe të bashkohen partitë opozitare nuk do mund ta përmbysin LVV-në e Albin Kurtit”, thekson Mehazi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat